Njerëzit bejnë pjesë në Mbretërinë Animalia, në Tipin Cordata në Klasën Mammalia e cila origjinoi rreth 200 milionë vite më parë. Gjitarët i ushqejnë të vegjlit e tyre me qumësht dhe kanë kujdes të lartë prindëror. Njerëzit përfshihen në një nga rendet e Klasës Mammalia që quhet Rendi Primates. Primatët kanë karakteristika të tilla si jeta arboreale, shikimi binokular stereoskopik, socialiteti mes anëtarëve të grupit e kështu me rradhë. Njohja e tipareve fizike dhe e sjelljes tek gjitarëve dhe primatëve në vecanti na shërben për të kuptuar lidhjet evolutive e tyre me njeriun por dhe për të ndërtuar një panoramë më të plotë me të përbashkëtat dhe vecantitë e njeriut me paraardhësit e tij.
Klasifikimi dhe lloji
Për të kuptuar vendin e njeriut në natyrë është e domosdoshme të njohim klasifikimin e tij :
Kategoria taksonomike | Emri taksonomik | Emri i zakonshëm |
MbretëriaTipiNëntipi
Klasa Nënklasa Rendi Nënrendi Mbifamilja Familja Nënfamilja Gjinia/ Lloji | AnimaliaChordataVertebrata
Mammalia Eutheria Primates Anthropoidea Hominioidea Hominidae Homininae Homo sapiens | KafshëtKordatëtRruazorët
Gjitarët Gjitarët me placentë Primatët Antropoidët Hominoidët Hominidët Homininët Njeriu i sotëm |
Cfarë kuptojmë nga kjo tabelë?
Cdo lloj në botën e gjallë ( Homo sapiens– njeriu), (Canis familiaris-qeni), ( Lilium albanicum-zambaku shqiptar) ka një emërtim me dy emra, emrin e gjinisë p.sh Homo dhe emrin e llojit, sapiens. Llojet përfshihen në mënyrë hierarkike në kategori më të mëdha: ashtu si disa lloje përfshihen në një gjini p.sh qeni Canis familiaris, ujku C.lupus dhe cakalli C. aureus përfshihen në gjininë Canis, po ashtu gjinitë përfshihen në familje, familjet në rende, rendet në klasa, klasat në tipe, tipet në mbretëri dhe mbretëritë në të gjithë botën e gjallë.
Sipas konceptit biologjik, lloji përkufizohet në bazë të aftësisë së tij për riprodhim: nëse dy organizma të dy popullatave arrijnë të kryqëzohen në kushte natyrore dhe të lënë pasardhës pjellorë atëhere këto organizma i përkasin të njëjtit lloj.
Paraardhësit e njeriut: Gjitarët
Njeriu apo lloji Homo sapiens përfshihet në klasën Mammalia, në klasën e gjitarëve. Pse? Për këtë mjafton të tregojmë disa tipare:
- Gjitarët lindin të vegjël. Megjithëse ka dhe disa gjitarë që shumohen me vezë.
- Në nënklasën e gjitarëve placentarë përfshihen ato gjitarë që kanë një organ që zhvillohet brenda trupit të femrës gjatë barrës. Placenta përbën lidhjen e embrionit me sistemin e qarkullimit të gjakut të nënës dhe transporton ushqim, oksigjen, antitrupa etj. Zhvillimi i pasardhësve në placentë është më efikas sesa zhvillimi i tyre në vezë. Megjithatë ky lloj zhvillimi ka një kosto të madhe në energji. Nga ana tjetër, femra tek gjitarët lind pak pasardhës.
- Gjitarët i ushqejnë të vegjlit me qumësht.
- Gjitarët në raport me reptilët, prej të cilëve ata e kanë prejardhjen, kanë një kujdes të lartë prindëror, si para ashtu edhe pas lindjes. Si rrjedhojë, gjitarët shpenzojnë shumë energji për formimin dhe rritjen e pasardhësve.
- Nga pikëpamja evolutive shtrohet problemi se cila strategji në lojën për jetë është më e mira: të prodhosh shumë pasardhës por ti kushtohet pak kujdes prindëror apo të kesh pak pasardhës por t’i kushtohesh më shumë kujdes për rritje? Këto strategji të njohura përkatësisht si strategjia r dhe strategjia K kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Por është fakt se evolucioni ka favorizuar strategjinë K.
- Gjitarët janë kafshë që e ruajnë të pandryshuar temperaturën e trupit pra janë homeotermë. Gjitarët e mbajnë konstante temperaturën e trupit duke shndërruar ushqimin e marrë në energji në formë të nxehtësisë. Aftësia për ta shndërruar energjinë e ushqimit në nxehtësi i bën gjitarët që të jetojnë në mjedisetë ndryshme. Por për këtë i duhet të marrin më shumë ushqime dhe kur nuk i gjejnë ato, atëhere vendoset balanca midis kostos dhe fitimit. Si gjitar, njeriu bën të njëjtën gjë por kjo nuk mjafton. Njeriu për të siguruar një mjedis alternativ ka shpikur zjarrin, veshjet, strehën. Me këtë rast tregohet se si kultura krijon efektorët e duhur po ashtu sic kanë lindur funksionet e reja tek kafshët.
- Thënia “Cfarë ha goja tregon boja” tregon një të vërtetë të ekologjisë dhe të evolucionit.
Gjitarët kanë katër tipe dhëmbësh: dhëmbë prerës (P), dhëmbë të qenit (Q), premolarë (PM) dhe molarë (M). Formula e dhëmbëve është: P-Q-PM-M. Kjo do të thotë se në gjysmën e një nofulle numri i dhëmbëve P, Q, PM e M është përkatësisht 2+1+2+3=8. Gjithsej janë 32 dhëmbë. Specializimi i dhëmbëve tregon se gjitarët hanë lloje të ndryshme ushqimesh dhe i përpunojnë ushqimet në mënyrë efikase. Aftësia për të ruajtur temperaturën e trupit është e lidhur ngushtë me dietën ushqimore dhe dhëmbët sepse sasia e energjisë që kërkohet bëhet e mundur nga prania e dhëmbëve të specializuar për një larmi ushqimësh. Po kaq energji kërkon edhe jeta placentare.
- Truri i gjitarëve ka pësuar disa ndryshime. Tek ta u zhvillua lobi frontal i cili është përgjegjës për marrjen dhe përpunimin e informacionit ndjesor. Tek gjitarët, përgjigjet ndaj stimujve të jashtëm janë të lidhura më shumë me të mësuarit sesa me instiktet dhe si pasojë, përvoja e fituar, zë një vend të rëndësishëm në përgjigjet ndaj stimujve.
Në përgjithësi, sa më i madh kujdesi prindëror, aq më inteligjente është kafsha dhe aq më shumë jeta e saj është e lidhur me të mësuarit se sa me instinktet. Kështu, sjelljet sociale janë të lidhura me të mësuarit, inteligjencën dhe me sjelljet riprodhuese.
Nga sa u përmend më sipër, vlen të theksohet se përshkrimi i karakteristikave të vecanta ka vlerë të kufizuar njohëse nëse këto tipare nuk paraqiten në formën e tyre të ndërlidhur.
Disa tipare të përgjithshme të primatëve
Klasa e gjitarëve ndahet në disa rende. Njëri nga këta rende është Rendi Primates qw origjinoi rreth 70 milionë vite më parë.
Shumica e tipareve të tyre të primatëve janë të lidhura me të jetuarit të pemë ose të jetuarit arboreal. Të jetuart arboreal kërkon një orientim në një mjedis tredimensional (gjatësia, gjerësia dhe thellësia) në dallim nga kafshët që jetojnë në tokë të cilave iu mjaftojnë dy dimensione (gjatësia dhe gjerësia). Kështu, të jetuarit në pemë zhvilloi tek majmunët aftësinë për të përdorur krahët dhe këmbët për t’u kapur nëpër degë dhe aftësinë për të perceptuar largësinë dhe thellësinë. Mendohet se aftësia kapëse e krahëve ka lindur si përshtatje për të marrë frutat në majë të degëve. Ndoshta për të kryer të njëjtën detyrë ka lindur dhe perceptimi i largësisë si dhe thellësia e të parit.
Perceptimi i thellësisë është i lidhur me të ashtuquajturin shikim binokular stereoskopik. Quhet shikim binokular sepse fushëpamjet e të dy syve mbulojnë njëra tjetrën. Përkundrazi, kafshët e tjera i kanë sytë të vendosur anash kafkës dhe cdo sy merr informacion të ndryshëm. Natyra stereoskopike e shikimit të majmunëve ka të bëjë me mënyrën se si truri përpunon sinjalet vizuale. Tek primatët, në dallim nga kafshët e tjera, sinjalet vizuale të dy syve përpunohen në të dy hemisferat e trurit. Rezultati i këtij shikimi është thellësia e tij ose të parit në tre përmasa: gjatësi, gjerësi dhe lartësi. Gjithashtu shumë primatë kanë aftësi të perceptojnë ngjyrat.
Dallimi më i madh i majmunëve prej kafshëve të tjera i detyrohet trurit: primatët kanë një tru të madh dhe kompleks. Pjesa e trurit të primatëve që ka të bëjë me të mësuarit dhe inteligjencën është më e zhvilluar se tek cdo kafshë tjetër. Madhësia më e madhe e trurit në raport me trupin dhe kompleksiteti i tij shprehen qartë në sjelljet e primatëve. Është fakt se majmunëve iu duhet të mësojnë shumë gjëra gjatë jetës së tyre. Pesha që zë informacioni gjenetik në plotësimin e këtyre nevojave është shumë e vogël. Si rrjedhojë, majmunëve iu duhet të mësojnë gjatë gjithë jetës sepse vetëm kështu ata sigurojnë mbijetesën dhe riprodhimin e tyre. Ky mësim iu shpenzon atyre shumë kohë dhe për më tepër ky mësim arrihet vetëm nga kujdesi i lartë prindëror. Edhe në këto raste vihen re lidhjet komplekse midis riprodhimit, kujdesit për pasardhësit, procesit të të mësuarit dhe inteligjencës.
Të mësuarit tek primatët siguron një mjet me anën e të cilit një sjellje e re kalon nga një brez në tjetrin po ashtu sic ndodh me materialin gjenetik. Nëse e përcaktojmë kulturën si një sjellje të mësuar atëhere arrihet në përfundimin se primatët kanë kulturë. Në këtë kuadër, sjelljet kulturore dhe organizimi social i primatëve quhet protokulturë. Pavarësisht se cfarë fjale përdoret apo mënyra se si e dallojmë kulturën humane dhe jo humane, mbetet fakt se të mësuarit social siguron një mjet me anën e të cilit sjelljet trashëgohen nga një brez në tjetrin.
Ka shumë shembuj që tregojnë se si trashëgohen ose përcillen sjelljet nga njëri brez në tjetrin tek primatët. Në vitin 1953 një femër e re e majmunit makak të Japonisë e quajtur Imo filloi të lante patatet në rrymën e ujit para se t’i hante ato. Në krye të tre vjetëve, gjysma e majmunëve filluan të kryenin të njëjtën sjellje. Një sjellje e ngjashme u formua në lidhje me pastrimin e kokrrave të drithit prej rërës. Majmunët vëzhguan se kokrrat e grurit pluskonin mbi ujë kurse rëra sedimentonte. Sigurisht ata majmunë që mësuan këtë veprim patën një përparësi përshtatëse. Si rrjedhojë, të mësuarit e kësaj sjelljeje favorizohet nga seleksioni natyror. Sic pohuam më lart, transmetimi kulturor i sjelljeve tregon rëndësinë e të mësuarit. Në këtë kontekst, primatët vec njeriut shfaqin elementët fillestarë kulturorë që lidhen me transmetimin me anë të të mësuarit me imitim të sjelljeve të ndryshme.
Strategjitë riprodhuese tek primatët
Riprodhimi tek majmunët është një problem kryesor i evolucionit të tyre. Ai duhet analizuar në termat e kostos dhe të fitimit. Teoria e historisë së jetës tregon se si tiparet e ciklit jetësor të një organizmi janë të lidhura me sasinë dhe cilësinë e riprodhimit. Tipare të tilla janë: mosha e arritjes së pjekurisë, mosha në riprodhim, kohëzgjatja e barrës, intervali midis linjeve, numri i pasardhësve të prodhuar në një brez, jetë gjatësia, kohëzgjatja e fëmijërisë, e rinisë etj. Mekanizmi kryesor, sic kemi përmendur në kapitullin mbi evolucionin, i formësimit të sjelljeve seksuale apo tipareve që lidhen me riprodhimin konsiderohet seleksioni seksual, koncept i propozuar fillimisht nga Darvini në vitin 1859.
Një nga konceptet kryesore të teorisë se historisë së jetës lidhet me mënyrën se si përdoret apo shfrytëzohet energjia. Bëhet fjalë për energjinë e një organizmi si aftësi e tij për të kryer punë. Sipas këtij koncepti, vihet në balancë kostoja dhe fitimi midis numrit të pasardhësve dhe fitnesit të tyre. Gorilla dhe lemur-miu janë përkatësisht majmunët me peshë më të madhe (75 kg) dhe me peshë më të vogël (80 gr). Një diferencë e tillë në madhësinë trupore ndikon në sjelljet ekologjike të llojit. Për të njëjtën kohë kur gorilla femër prodhon një pasardhës, lemur-miu femër formon shumë të tillë.
Disa lloje shtazore kanë “histori jetësore të shpejtë “, pra e arrijnë herët maturimin dhe prodhojnë shumë pasardhës. Këto lloje thuhet se përdorin strategjinë r d.m.th riprodhimin (r) e një numri të madh pasardhësish. Disa lloje të tjerë, përkundrazi, kanë“ histori jetësore të ngadaltë”, arrijnë me vonesë maturimin dhe prodhojnë pak pasardhës. Këto lloje thuhet se përdorin strategjinë K, pra atë strategji evolucionare që rrit efikasitetin ndaj përdorimit të burimeve të mjedisit.
Në përgjithësi primatët, përfshirë këtu edhe njeriun, përdorin strategjinë K. Primatët maturohen vonë, jetojnë gjatë, kanë tru të madh dhe prodhojnë pak pasardhës por shpenzojnë shumë energji me kujdesin prindëror. Në sajë të kujdesit të lartë prindëror primatët rrisin fitnesin e tyre pra rrisin probabilitetin që ADN-ja e një individi të kalojë në brezin pasardhës. Për këtë arsye ky kujdes quhet investim prindëror sepse femrat harxhojnë kohë dhe energji për rritjen e pasardhësve të tyre. Realizimi i këtij investimi arrihet me krijimin e lidhjes nënë-fëmijë. Në dallim nga gjitarët e tjerë, primatët fëmijë (të vegjël) janë krejtësisht të paaftë të rriten pa ndihmën e nënës. Jeta e primatëve të vegjël, po ashtu dhe e fëmijëve të njeriut, varet nga kujdesi i nënës e cila e ushqen, e mbron, e përkëdhel dhe e mëson se si të veprojë ndaj rrethanave të ndryshme. Në këtë mënyrë, fëmija është i lidhur ngushtësisht me nënën e tij. Madje këto lidhje ruhen dhe pasi ka kalur fëmijëria dhe rinia. Gjatë një eksperimenti të realizuar për të kuptuar lidhjen e të voglit të majmunit rhezus me një nënë kukull tw veshur dhe njw nwnw teli e cila i ofronte ushqim ( Harlow, H. 1962) u vëzhgua se pothuajse gjatë gjithë kohës i vogli rrinte duke përqafuar nënën kukull dhe jo nënën prej teli, pavarësisht ushqimit të alokuar afër saj. Ky fakt tregon se fëmija e kërkon nënën jo vetëm për ushqim por edhe për siguri dhe përkëdhelje.
Sic dihet ka majmunë monogamë ku formohet një lidhje pak a shumë e përhershme midis një mashkulli dhe një femre. Në këndvështrimin gjenetik, pritet që edhe mashkulli duhet të kujdeset për fëmijën si babai i tij sepse në këtë mënyrë ai rrit fitnesin. Nëse ndodh kështu atëherë tek majmunët poligamë d.m.th tek ata që nuk ruajnë lidhjet vetëm me një femër apo me një mashkull pritet që ky kujdes të jetë më i vogël ose të mungojë fare. Në të vërtetë gjendja është komplekse.
Në disa lloje monogamë meshkujt angazhohen pak në kujdesin për fëmijët e tyre ashtu si disa femra të këtyre llojeve kanë lidhje seksuale jashtë “martese”. Gjithashtu në disa lloje majmunësh poligamë meshkujt kujdesen për fëmijët e tyre. Në disa studime është treguar se kujdesi për fëmijët nga ana e meshkujve varet nga zgjedhja e femrës. Kështu është provuar se femrat në disa lloje poligame preferojnë të kryqëzohen me ata meshkuj që kujdesen për fëmijët. Por ka individë që kujdesen për fëmijët pa qënë prindër biologjik. Këto individë quhen aloparentë .
Nga ana tjetër një individ i cfarëdoshëm sa mund të bëhet prind i një fëmije ( aloparent) po aq mund të bëhet dhe vrasës i tij. Vrasja e një fëmije, dukuri kjo që quhet infanticid, konsiderohet një sjellje adaptive për disa biologë dhe një sjellje deviante për disa të tjerë. Kjo dukuri vëzhgohet në ato raste kur një mashkull zotëron një grup femrash. Përse vriten fëmijët? Vrasja e fëmijëve të meshkujve të tjerë rrit kontributin gjenetik të mashkullit vrasës në brezin pasardhës. Femrat që janë duke ushqyer me qumësht të voglin nuk mund të mbeten me barrë. Duke vrarë fëmijët e meshkujve të tjerë, meshkujt vrasës realizojnë gatishmërinë e femrës për të mbetur menjëherë me barrë.
Një tipar i rëndësishëm për evolucionin e majmunëve është bashkëveprimi dhe të mësuarit midis individëve të të njëjtës moshë. Një tipar i tillë në lidhje me të mësuarit vihet re edhe tek njeriu. Në bashkëveprimin e moshatarëve vendin kryesor e zënë lojërat e ndryshme. Lojrat kontribuojnë në zhvillimin e aftësisë motore tek fëmijët dhe me anën e tyre të vegjlit mësojnë sjelljet në grup pasi aftësitë e nevojshme sociale mësohen nëpërmjet lojës. Mendohet se pa kontaktet e duhura sociale majmunët mund të bëhen sociopatik pasi ata, ashtu si dhe njeriu, janë kafshë sociale.
Organizimet sociale të majmunëve
Një grup social quhet grupi në të cilin ka një komunikim dhe bashkëveprim midis pjesëtarëve të tij. Madhësia dhe struktura e grupit mund të jetë e ndryshme në të njëjtin lloj dhe në të njëjtin grup por në kohë të ndryshme. Përbërja e grupit analizohet nga numri i të rriturve që ai disponon. Po të marrim në konsideratë teorinë e seleksionit në grup, mund të mendojmë se bashkëveprimet e anëtarëve brenda grupit i shërbejnë atyre për të rritur fitnesin e vetë grupit ku ata bëjnë pjesë. Eshtë fakt që tek gjitarët në përgjithësi, prania e grupeve dhe marrëdhëniet e individëve mes tyre i kanë ndihmuar ata të përshtaten dhe të zgjidhin në mënyrë efektive problemet adaptive. Tek shimpanzeja p.sh grupi social bashkëvepron gjatë procesit të gjetjes së ushqimit apo mbrojtjes nga grabitqarët. Megjithë favorizimin e grupeve sociale nga ana e seleksionit gjatë evolucionit të organizmave, duket se dhe individët që jetojnë më vete mund dhe zgjidhin probleme të ndryshme adaptive.
Grupi nje mashkull-një femër ( giboni p.sh ) është cifti monogam me fëmijët e tij. Ky grup i korrespondon “familjes nukleare“ që formon në shumicën e kulturave edhe njeriu. Megjithatë duhet theksuar se cifti nuk është besnik në marrëdhëniet seksuale pasi tradhëtitë brenda grupit janë të shpeshta.
Tip tjetër i grupeve sociale përbëhet nga një individ i njërit seks dhe shume individë të seksit tjetër një mashkull-shumë femra (gorilla p.sh). Gorilla kurrizargjendi formon një harem me femra dhe është përgjegjës për mbrojtjen e tyre nga meshkujt e tjerë që duan ta “përmbysin” atë për të marrë femrat dhe territorin. Ndërkohë, tek orangutangu kemi formimin e grupit nënë-fëmijë i cili shpërbëhet deri në maturimin seksual të fëmijës. Nëna kryen një jetë të vetmuar dhe ciftohet me mashkullin i cili nuk shfaq kujdes prindëror për të voglin e tij.
Por tipi më i zakonshëm i grupeve sociale tek majmunët është ai që përbëhet nga shumë meshkuj-shumë femra. Ky tip grupimi haset tek shimpanzetë dhe bonobot, kushërinjtë tanë më të afërt gjenetikë. Grupet shumë meshkuj-shumë femra formohen duke u bazuar në një sistem hierarkik ku cdo individ ne raport me anëtarët e grupit të të njëjtit seks zë një pozicion të caktuar në lidhje me sigurimin e ushqimit, partnerit/es, mbrojtjes së grupit etj. Sic mund të merret me mend, pozicioni i femrave në një grup shoqëror është më i qëndrueshëm ( tek bonobot psh) pasi meshkujt konkurrojnë midis tyre në mënyrë të vazhdueshme për të dominuar ( meshkujt alfa) anëtarët e tjerë të grupit.
Një sjellje e zakonshme e majmunëve është cmorritja apo heqja e parazitëve dhe e papastërtive të ndryshme. Kjo sjellje ka dobi higjenike por mendohet se një funksion tjetër thelbësor i morritjes është edhe zvogëlimi i tensioneve apo i konflikteve nëpërmjet fuqizimit të lidhjeve miqësore.
Dhënia e ndihmës ndaj njëri-tjetrit quhet altruizëm reciprok. Realiteti i kësaj sjelljeje do të bëhet i qartë nëse pranohet se ndihma e sotme e njërit shpërblehet nga një tjetër qoftë ky edhe një individ që nuk ka lidhje gjaku me të. Po si shpjegohet altruizmi nga pikëpamja evolutive? Mendohet se sjelljet altruiste janë favorizuar nga seleksioni ndër të afërmit (kin selection). Kjo do të thotë se kur individi ndihmon fëmijën për t’u rritur, madje duke sakrifikuar edhe jetën e tij, ai në të vërtetë bën një veprim egoist sepse kërkon të kalojë në brezin pasardhës gjenet e tij. Sipas Hamiltonit, kjo sjellje do të kryhet në bazë të fitimit (B) dhe kostos (C) dhe konkretisht kur raporti midis tyre do të jetë më i madh se 1/r ku r është koeficienti i afërsisë që mat përqindjen e gjeneve të përbashkët midis atij që jep ndihmën ( donori) dhe atij që merr ndihmën ( recipienti) : B\C> 1\r.
Nëqoftëse ju vdisni duke shpëtuar fëmijën tuaj atëhere veprimi i bërë ka si pasojë kalimin e ADN-së suaj në brezin pasardhës. Edhe nëse kjo sjellje altruiste ka të bëjë pjesërisht me gjenet prapë se prapë ajo do të kalojë në brezin pasardhës nëpërmjet mbijetesës së fëmijës.
Në këto sjellje është e vështirë të dallohen ato që kanë të bëjnë me acidet nukleikë me ato që kanë të bëjnë me të mësuarit. Fakti i formimit të grupit, kopesë ka si burim vetë biologjinë e majmunëve. Lidhja nënë-fëmijë krijon predispozitën e formimit të grupeve të vogla. Pa këtë lidhje është vështirë që të mendohet jeta e majmunëve dhe e njeriut. Po kaq e vështirë është të mendohet jeta pa lidhjet e shpeshta të një mashkulli me një femër. Kjo lidhje i detyrohet pranisë së përhershme të estrusit tek femra e primatëve në dallim nga gjitarët e tjerë. Si pasojë e këtyre predispozitave biologjike, formohet grupi ose kopeja e majmunëve. Po në këtë kohë disa lloje primatësh kaluan nga jeta në pemë në jetën në tokë. Jeta në tokë solli detyra të reja që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga grabitqarët. Si pasojë, seleksioni natyror ka favorizuar rritjen trupore dhe ndoshta fuqizimin e dhëmbëve kaninë për mbrojtje. Edhe prania e ushqimit në vende të caktuara ka ndikuar në organizimin social të majmunëve. Modeli ekologjik i Wrangham-it arrin të tregojë se femrat dhe meshkujt kanë strategji të ndryshme riprodhuese. Për një femër, variabli që përcakton suksesin e saj riprodhues është sigurimi i ushqimit. Për një mashkull ky variabël është sigurimi i partneres femër. Por këto sjellje përcaktohen nga madhësia e zonës së ushqimit. Kur ushqimi ekziston në zona të vogla atëhere femrat vecohen vetëm me fëmijët e tyre.
Në këto raste pranë femrave shkon për t’i mbajtur një mashkull ose disa meshkuj dhe formohet monogamia ( tek giboni), poliginia me një mashkull ( tek orangutangu) dhe poliginia me shumë meshkuj ( tek shimpanzeja dhe bonobo). Vecoria kryesore e njeriut krahasuar me primatët e tjerë është fakti se ovulacioni i tij është i fshehur, pra femra tek njeriu nuk i sinjalizon meshkujt me anë tiparesh të ndryshme të shprehura në fizik apo sjellje lidhur me statusin e saj riprodhues, kohën e duhur për të mbetur me barrë. I ashtëquajturi ovulacion kriptik apo ovulacioni i fshehur ka shënuar tek femrat, një fazë të re evolutive në lidhje me sjelljen seksuale dhe zgjedhjen e partnerit ( Diamond, J.1997) .
Lidhjes biologjike si pasojë e estrusit (afshit) apo gatishmërisë për të mbetur me barrë gjatë gjithë jetës, i shtohen edhe sjelljet që lidhen me sigurimin e ushqimit dhe mbrojtjen ndaj grabitqarëve të femrave nga ana e meshkujve të tjerë. Analiza që bëhet në sigurimin e ushqimit është komplekse. P.sh grupet e formuara e arrijnë suksesin nëse ata “dijnë” të kooperojnë dhe të harmonizojnë marrëdhëniet midis tyre. Ky kooperim është më i suksesshëm kur ndodh midis të afërmve sepse duke ndihmuar të afërmit, dhënësi i ndihmës që ka një përqindje të lartë të gjeneve me marrësin e ndihmës, rrit frekuencën e gjenit të duhur.
Sjelljes e përmendura më sipër shfaqen edhe tek njeriu dhe janë formuar po ashtu, në rrjedhën e gjatë të evolucionit, si përshtatje ndaj kushteve mjedisore.
Familja Hominidae
Familja Hominidae përfshin nënfamiljen Ponginae ku bën pjesë orangutangu, nënfamiljen Gorrillinae ku bën pjesë gorilla dhe nënfamiljen Homininae ku përfshihen dy tribu: Tribuja Panini që përfshin shimpanzenë dhe bonobon dhe tribuja Hominini ku përfshihet njeriu i sotëm dhe anëtarë të zhdukur të asaj linje evolutive që divergoi dhe u nda prej tribusë Panini rreth 6.3 milionë vite më parë duke origjinar kështu linjën evolutive deri tek njeriu i sotëm. Këtu, ne do të trajtojmë disa karakteristika të anëtarëve të familjes Hominidae me qëllim njohjen e tipareve të përbashkëta mes tyre dhe njeriut. Nga ana tjetër, tiparet themelore që e dallojnë njeriun e sotëm prej kushërinjvë të tij të afërm evolutivë janë: bipedalizmi, gjuha simbolike dhe kultura.
Orangutangu jeton në Sumatra dhe Borneo në Azinë Juglindore dhe ka një jetë kryesisht arboreale. Femra dhe mashkulli tek orangutangu kanë një dimorfizëm të theksuar seksual dhe ndryshe nga majmunët e tjerë të lartë, femra lind mesatarisht cdo 8 vjet (Galdikas 2005). Orangutangu kryen një jetë të vetmuar dhe grupi i vetëm social që formohet është ai i nënës me fëmijën pasi meshkujt janë poligami, ata largohen prej femrës pas kryerjes së akteve riprodhuese. Gjithashtu, janë dokumentuar raste të “ përdhunimit” nga ana e meshkujve solitarë të cilët përpiqen të riprodhohen me forcë me qëllim lënien e pasardhësve. Kështu, jetesa e vetmuar e meshkujve ka bërë që një formë e trashëgimit të gjeneve të jetë dhe koopulimi me forcë, pra duket se seleksioni ka favorizuar në kohë këtë tip sjelljeje agresive seksuale. Dieta ushqimore e orangutangut përbëhet kryesisht nga fruta apo rrënjë. Ata janë kuadrapedalë dhe mbështeten mbi grushtin për të ecur (fist walking). Orangutangët janë studiuar dhe njihen sot nga punimet e hershme në terren të primatologes me famë botërore Birutes Galdikas.
Gorilla është ndër primatët e sotëm, majmuni me përmasa më të mëdha trupore dhe jeton në Afrikën Ekuatoriale. Mashkulli kurrizargjend është kreu e tufës pasi gorillat jetojnë në grupe nga 8 deri në 10 individë dhe ai dominon seksualisht mbi femrat (Fossey, 1983). Ata janë vegjetarianë dhe konsumojnë ushqim gjatë gjithë kohës apo pushojnë për shkak të llojit të dietës që kanë në mënyrë që të mos shpenzojnë energji. Gorilla është studiuar intensivisht nga primatologja e talentuar Diane Fossey dhe libri i saj i botuar në 1983 “Gorillas in the mist” konsiderohet edhe sot një nga monografitë më të arrira shkencore mbi gorillën.
Shimpanzeja është padyshim primati më i njohur nga njerëzit dhe kjo njohje i detyrohet vecanërisht punimeve në terren të primatologes britanike Jane Goodall librat e së cilës mbi sjelljen (pavarësisht akuzave për qëndrim antropomorfik) e shimpanzesë janë të lexuar kudo ne Bote. Gjithashtu, aktiviteti i saj i palodhur dhe prezencat e vazhdueshme publike mbi ruajtjen dhe respektimin e shimpanzeve prej njeriut janë shprehje e lidhjes së fortë së studiueses me subjektet studimore e më gjerë.
Shimpanzetë gjenden në Afrikën Qëndrore dhe Perëndimore, janë omnivorë dhe jetojnë në grupe deri në 50 individë ku lidhjet më të forta krijohen mes nënës dhe fëmijës por edhe midis të afërmve të gjakut. Grupet sociale formohen dhe shpërbëhen vazhdimisht (origj. fission-fusion society) dhe meshkujt përpiqen të dominojnë grupin por edhe femrat si partnere të mundshme seksuale (Goodall 1986). Shimpanzetë janë objekt i studimeve intensive për shkak të afërsisë së tyre gjenetike me njeriun por edhe pasi repertori i sjelljeve që ato shfaqin është i madh dhe tejet interesant. Konkretisht, ata janë vëzhguar nga primatologët duke prodhuar dhe përdorur vegla pune, janë dokumentuar formimet e aleancave mes grupeve për femra dhe resurse apo kanë shfaqur sjellje altruiste ose antagoniste etj.
Bonobo si anëtar i familjes Hominide dhe një nga llojet e gjinisë Pan, ka të përbashkëta fizike me shimpanzenë por ndryshon prej tij pasi i ka gjymtyrët më të gjata, ballin më të madh dhe dimorfizmi seksual shfaqet mesatarisht midis dy sekseve. Vecantia e tij qëndron në faktin se ndryshe nga primatët e tjerë, ai ecën më me lehtësi mbi dy këmbë, një fakt i cili na bën të dyshojmë se hominidët e parë mund të kenë qënë të ngjashëm me bonobon e sotme. Ky lloj popullon zona të caktuara të Zairesë, në Afrikën Qëndrore dhe ushqehet kryesisht me fruta apo rrënjë bimësh dhe ndryshe nga shimpanzeja, nuk konsumon mish ( de Waal 2013).
Bonobot jetojnë në grupe shumë femra/ shumë meshkuj por ndryshe nga shimpanzeja, marrëdhëniet më të forta në grup ruhen mes femrave të cilat kanë një rol dominant në shoqëri. Në këtë këndvështrim, studimi i strategjive dhe sjelljeve seksuale tek bonobot është në fokus të primatologëve pasi janë vërejtur kontakte të shpeshta seksuale, lojra seksuale mes meshkujve dhe femrave ( por edhe midis sekseve të njëjta) etj. Kështu, duket se kjo shoqëri primatësh e përdor seksin (vecmas morritjes) si mënyrë të ruajtjes së harmonisë mes anëtarëve të grupit dhe forcimit të marrëdhënive mes tyre. Të kryerit të aktit seksual në mënyrë të shpeshtë, vecanërisht në situata të tensionuara brenda grupit, përfaqëson një metodë efikase paqëtuese (de Waal 2006).
Lexime të mëtejshme
Fleagle, J. G. (2013) Primate Adaption and Evolution, 3d Edition. Academic Press, Elsevier.
Një nga autorët më të mirë që trajtojnë primatët, autor tekstesh të rëndësishme në antropologjinë evolutive, në këtë vepër ai trajton hollësisht origjinën dhe evolucionin biologjik të primatëve si dhe kontekstin social të tyre, repertorin e sjelljeve që ata kryejnë. I rekomandueshëm vecanërisht për studentët e biologjisë, ky libër është një dritare mbresëlënëse në botën e primatëve.
Goodall, J. (2010) In the Shadow of Man. Reprinted Edition, Mariner Books.
Një libër mbresëlënës dhe i shkruar me një gjuhë tërheqëse dhe të qartë nga primatologia me famë botërore ku pasqyrohen punimet e saj shumëvjecare me shimpanzetë. I rekomandueshëm vecanërisht për studentët e biologjisë.
Waal, F. (2013) The Bonobo and the Atheist: In search of Humanism Among the Primates. W.W Norton & Company, Inc. USA.
Kjo vepër e shkruar me një stil të thjeshtë dhe të kuptueshëm për cdokënd, trajton kontekstin evolucionar dhe filozofik të moralit. I mbështetur në punimet e tij me bonobot, të afërmit tanë gjenetikë, autori diskuton mbi konceptin e moralit dhe besimit në Zot. I rekomandueshëm për të gjithë.
Waal, F. (2006) Our Inner Ape. Riverhade Trade; Reprinted Edition. USA
Një nga primatologët më të rëndësishëm të ditëve tona, shpreh në këtë vepër pikëpamjet e tij mbi vecoritë e sjelljes ndër primatë dhe lidhjet evolucionare në nivel biologjik dhe kulturor mes njeriut dhe paraardhësve të tij. I rekomandueshëm për t’u lexuar nga të gjithë pasi me anë të një pune shumëvjecare në terren dhe në laborator, autori argumenton me fakte të qenësishme dhe vë në pikëpyetje shumë bindje joshkencore të krijuara tek njerëzit në lidhje me primatët, origjinën dhe evolucionin tyre biokulturor.