- Homo sapiens është kryqëzuar me Denisovanët pas 5 mijë deri 10 mijë vitesh kryqëzim të mëparshëm me Neandertalët;
- Gjene të Denisovanëve gjenden jo vetëm te individët e sotëm që jetojnë në Guinenë e Re por edhe te individët që popullojnë një pjesë të Azisë;
- Fertiliteti i meshkujve të llojit Homo sapiens që mbartnin ADN të Neandertalëve dikur dhe më pas të Denisovanëve, ishte i ulët;
- Ky fakt mund të shpjegojë dhe mungesën e suksesit riprodhues apo lënies së pasardhësve të meshkujve H.sapiens- Denisovan përgjatë evolucionit.
Nga një analize e ADN-së së 257 individëve që i përkasin 120 popullatave jo afrikane, u arrit në përfundimin se njerëzit ishin kryqëzuar me Denisovanët pas 5 mijë deri 10 mijë kryqëzim të mëparshëm me Neandertalët. Homo sapiens, Neandertali dhe Denisovanët kanë jetuar paralelisht me njëri tjetrin dhe kryqëzimet mes tyre kanë qenë të shpeshta dhe të ndryshme në kohë.
Studimi i botuar këtë muaj në revistën prestigjioze Current Biology është në vazhdën ideore të studimeve të mëparshme, të cilat pohonin se në ADN-në e njeriut të sotëm jo afrikan (pasardhësit e afrikanëve të sotëm që nuk migruan jashtë Afrikës nuk kanë në gjenomin e tyre gjene të Denisovanëve), ka gjene të Neandertalëve dhe të Denisovanëve. Gjene të Denisovanëve janë gjetur fillimisht në individët që jetojnë sot në Guinenë e Re. Por kur kanë ndodhur këto kryqëzime, të cilat shprehen në gjenomin e sotëm të popullatave jo afrikane?
Sipas dy prej paleogjeneticienëve në krye të studimit, S. Sankararaman dhe D. Reich, kryqëzimi mes dy llojeve Homo sapiens dhe Denisovanët, ka ndodhur pas 5 mijë deri 10 mijë vitesh kryqëzim të mëparshëm mes Homo sapiens dhe Neandertalëve. Duke qenë se dihet se kryqëzimi i parë mes Neandertalëve dhe njeriut modern ka ndodhur rreth 50 mijë vite më parë, logjikisht, kryqëzimi mes Denisovanëve dhe njeriut modern ka ndodhur rreth 40 mijë vite më parë.
Gjithashtu prej studimit, u arrit në përfundimin se gjene të këtyre homininëve janë gjetur edhe te individët që jetojnë sot në Azinë Jugore, në Himalaje dhe në Indinë Qendrore. Kryqëzimet mes popullatave të Homo sapiens dhe atyre Denisovane kanë ndodhur fillimisht diku në kontinentin euroaziatik e më pas, në sajë të migrimeve, hibridët e këtyre kryqëzimeve janë zhvendosur drejt Azisë Jugore dhe Azisë Lindore e më pas, drejt Guinesë së Re.
Por si ndodh me hibridët, ato nuk patën avantazh riprodhues dhe nuk lanë pasardhës. Kryqëzimi i njeriut modern fillimisht me Neandertalët e më pas me Denisovanët u përvijua nga suksesi i ulët riprodhues pasi pasardhësit meshkujt nuk lanë pasardhës. E thënë ndryshe, meshkujt H.sapiens– Denisovan nuk ishin pjellorë, rrjedhimisht, gjenet e këtyre hibridëve u transmetuan në linjën nënë.
Burime:
Sankararaman, S. (2016). The combined landscape of Denisovan and Neanderthal ancestry in present-day humans. Current Biology, 26 (9): P1241-1247.