Home » Te tjera » Mos ndoshta lipset edukim shkencor?

Mos ndoshta lipset edukim shkencor?

Start here

Debatet mbi mësimin e fesë në shkolla janë shtuar dhe tashmë secili nga ne është rreshtuar pro dhe kundër. Argumenti kryesor i kryeministrit mbi dobinë e mësimit të fesë në shkolla ishte se “të mësuarit e saj, do të shërbejë si armë e fortë për të mos u bërë pre e atyre që kryejnë krime në emër të Zotit”. Natyrisht, kjo nuk e shmang problemin e ekstremizmit, pasi feja, si sistem besimesh, udhëhiqet nga një parim i deklaruar nën zë i besimtarëve: të shtojmë rradhët tona. Me krime apo jo, kjo varet nga ideologjia nga e cila ata udhëhiqen si dhe qëllimet e ideologëve fetarë. Në rastin kur ISIS është “ndjellës” për një grup njerëzish të izoluar kulturalisht, si shprehet dhe antropologu i njohur S. Attran, zgjidhja nuk mund të jetë vetëm edukimi mbi fetë por sigurimi i cilësisë së arsimimit për qytetarët e tij. Në këtë kuadër, mësimi i fesë në moshë të vogël e aq më shumë me detyrim në shkolla nuk mund të shmangë qëndrimet ekstremiste për aq kohë sa vetë ideologjia fetare, predikon ndasi dhe izolacion kundrejt besimtarëve të feve të tjera, deri dhe paragjykime ndaj jobesimtarëve.

Nga ana tjetër, zoti A. Vehbiu në blogun e tij “Peisazhe të fjalës” shkruan se “mësimi i fesë në shkolla, nuk do të konsistojë në mësimin vetëm të fesë tënde por dhe atë të tjetrit.” Gjithashtu “Njohuritë për fenë- shprehet ai- që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian pasi përballja e feve është pjesë e ballafaqimit të sotëm ndërkulturor mes njerëzve që i përkasin kulturave të ndryshme”. Por qytetari europian, në tërësinë e formimit të tij , nuk bazohet vetëm në të mësuarit e fesë apo ideve që ajo shpërfaq por ruan në kujtesë edhe konfliktin e pandërprerë të fesë me shkencën si veprimtari njohëse, bazuar në metoda dhe teori. Turra e druve dhe dënimi i figurave të tilla shkencore si Xhordano Bruno ose Galileo Galilei janë provë e këtij konflikti.

Fatmirësisht në Evropë, konflikti, këtë rradhë pa djegie në turrën e druve edhe si pasojë e periudhës së Iluminizmit, vazhdoi dhe në shekujt në vijim. Konkretisht, kur natyralisti Ç. Darvin publikoi në vitin 1859 veprën “Prejardhja e llojeve”. Në këtë vepër, duke u bazuar në kërkimet e tij në terren e më gjerë, ai pohoi se të gjithë organizmat e gjallë kanë një paraardhës të përbashkët dhe përshtatjet e tyre me mjedisin i detyrohen veprimit të përzgjedhjes natyrore. Në mënyrë indirekte, Darvini pohoi se bota e gjallë nuk është produkt hyjnor ose e krijuar nga Zoti. Sot pranohet se procesi e evolucionit ose i ndryshimit të llojeve në kohë ndodh. Ky proces është thjeshtësisht i vëzhgueshëm në laborator dhe provohet nga fosilet e të dhënat gjenetike. Sulmet ndaj Darvinit kulmuan ndër besimtarë e individë që nuk e njihnin ose nuk e kuptonin teorinë ë tij.  Në ditët e sotme, histeria vazhdon.

Ballafaqimi kulturor është sot po ashtu një realitet i vëzhgueshëm. Ashtu si gjuha e huaj na ndihmon dhe na çel një dritare të botës së tjetrit, edhe njohja e fesë ku ai bën pjesë, mund të na ndihmojë ta kuptojmë. Por çfarë mund të kuptojmë kur një besimtar pohon i bindur dhe me qëllimin të bindë tjetrin se bota e gjallë nuk ndryshon?

Në ditët e sotme, në SHBA, pas dekadash sulmi të teorisë së evolucionit, sulme të shprehura dhe në hartimin e kurrikules kreacioniste në shkolla, 73 për qind e të rinjve nën moshën 30 vjeç, kanë shprehur një farë besimi në procesin e evolucionit, pra se ky proces natyror ndodh. Në Shqipëri, pas një anketimi të kryer nga studentet e Masterit AML- Biologji tek 14 mijë individë të moshave të ndryshme, rezultoi se rreth 60% e tyre mendojnë se organizmat e gjallë janë rezultat i procesit të evolucionit. Ndërkaq, rreth 40% e tyre i janë përgjigjur “Nuk e di” pohimit “Zbulimet e reja shkencore bien ndesh me evolucionin”. Thënë më shkoqur, të anketuarit pranojnë se evolucioni ndodh por nuk njohin faktin se zbulimet e reja shkencore e provojnë ndodhjen e këtij procesi natyror.

A vjen kjo mosnjohje nga të mësuarit e pjesshëm në shkolla, kurioziteti i munguar apo dhe mungesa e informacionit shkencor në media? Kur i riu i edukuar në shkollat tona të haset, bie fjala, me një të ri italian, dijet e të cilit janë sipërore për evolucionin, si do ta përjetojë injorancën e treguar tjetrit? Veç evolucionit, ku ka mangësi konceptuale, çfarë do të kuptojë i riu jonë i ngratë p.sh mbi ndryshimet klimatike dhe nevojën e zhvillimit të qëndrueshëm? Mos ndoshta mjafton të citojë pjesëza nga fjalimi që mbajti Papa në SH.B.A ama përsëri do të ketë ide të vagullta nga se shkaktohet kriza klimatike?

Njohja e sistemeve të ndryshme të besimit që kanë shoqëruar njerëzimin dhe besimeve në jetën e përtejme që janë hipotetizuar nga artefaktet e gjetura në varret e Neandertalëve, vlen në kuadrin  e trajtimit të tyre si pjesë e kulturave të caktuara. Le të përfshihen këto njohuri në histori, paralel me lindjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor në shekuj. Një nga sfidat e sotme tonat në arsim nuk mund të jetë edukimi fetar por ai shkencor. Dhe edukimi shkencor nuk do të lehtësojë vetëm njohjen dhe komunikimin ndërkulturor por do të na mësojë të tolerojmë dhe të kuptojmë qoftë dhe përse njerëzit besojnë në ngjarje që nuk mbështetet në prova ose konspiracione. Shkenca nuk ka natyrë deterministe, feja po. Ajo mbështetet në njohje të vazhdueshme dhe të testueshme, feja jo. E kështu, me shumë gjasa, me anë të edukimit shkencor, ne do të tolerojmë besimin e tjetrit, por më së shumti, do të kuptojmë shkencën si veprimtari njohëse.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: