Kujdesi prindëror i nënave bonobo (Pan paniscus) shtrihet përtej të ushqyerit dhe mbrojtjes fizike. Në një studim të botuar së fundmi në revistën Current Biology u vu në dukje roli që luante nëna në rritjen e fitnesit riprodhues të djemve të saj. Në këtë mënyrë, ata mund të riprodhohen me femrat e grupit dhe të lënë më shumë pasardhës në të ardhmen.
Ky përfundim u arrit prej studimit të bonobove që jetojnë në Republikën Demokratike të Kongos dhe shimpanzeve në Bregun e Fildishtë, Tanzani dhe Uganda. Në ndryshim nga nënat shimpanze, nënat bonobo, duke shfrytëzuar edhe “statusin” e tyre social arrijnë të krijojnë hapësira që djemtë e tyre të pozicionohen më mirë brenda grupit social. Prej këtej, rritet afërsia e tyre me femrat me të cilat ata mund të riprodhohen e të lënë pasardhës në të ardhmen.
Në të kundërt, nënat bonobo nuk ofrojnë ndihmë për vajzat e tyre. Kjo shpjegohet me tipin e grupit social të bonobove dhe lëvizjet brenda dhe jashtë grupit të anëtarëve të saj.
Tek bonobot femrat kanë pozitë dominante kundrejt meshkujve të grupit. Në ndryshim nga shimpanzetë, shoqëria e bonobove mund të konsiderohet një shoqëri matriarkale. Nga ana tjetër, femrat largohen prej grupit ndërsa meshkujt rrinë aty.
Bonobot janë një ndër primatët më të afërt me shimpanzenë dhe njeriun. Interesi studimor lidhet me repertorin e sjelljeve seksuale që ata kryejne, të ngjashëm me njeriun. Ky studim është në vazhdën e studimeve të tjera që synojnë të hedhin dritë mbi arsyet e shfaqjes së menopauzës. Menopauza mendohet se është shfaqur për dy arsye: maksimizon kujdesin kundrejt nipave dhe mbesave dhe minimizon konfliktin seksual mes nënës dhe vajzës.
Një mënyrë për të përcjellë gjenet e tua dhe të ulësh konfliktin brenda grupit është që të ndihmosh fëmijët që të rrisin suksesin e tyre riprodhues. Sidomos kur ata nuk largohen prej grupit social.
Burime:
Surbeck, M., et al. (2019). Males with a mother living in their group have higher paternity success in bonobos not chimpanzees. Current Biology, 29 (10): 354-355.