Koronavirusi i ri që u shfaq në provincën Vuhan në Kinë, ka pushtuar titujt në media dhe përhapja e tij së fundi në Itali, ka krijuar një klimë frike e ankthi dhe në vendin tonë.
Origjina e tij, përhapja e shpejtë dhe mosgjetja ende e një vaksine, i ka dhënë krahë teorive konspirative. Disa prej tyre, pretendojnë se koronavirusi është krijuar si armë biologjike për interesa të caktuara.
Duket se mendimet konspirative, i bëjnë deri diku jehonë përdorimit të agjentëve biologjike për kryerjen e sulmeve terroriste.
Bioterrorizmi ka të bëjë me prodhimin dhe përdorimin e qëllimshëm të agjentëve biologjikë, për të shkaktuar sëmundje deri vdekjen e njerëzve, bimëve dhe kafshëve.
Disa nga agjentët biologjikë më të përdorur janë bakteret, viruset dhe toksinat. Ato gjenden në natyrë, shpesh manipulohen gjenetikisht në laboratorë, fshihen dhe transportohen deri kur “lëshohen” në popullatë.
Historia e përdorimit të tyre nis herët, kur rreth 2500 vjet më parë, Asirianët helmuan puset e kundërshtarëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat aleate prodhuan en masse baktere që shkaktojnë sëmundjen e antraksit dhe të brucelozës, si dhe toksina që shkaktojnë botulizmin. Ndryshe nga japonezët, që infektuan puset në Kinë me bakteret që shkaktojnë kolerën, fatmirësisht, këta agjentë biologjikë nuk u përdorën prej Aleatëve.
Sulmet bioterroriste ka më shumë gjasë të realizohen me agjentë që gjenden rëndom në natyrë, shumohen lehtësisht në laborator dhe jetojnë për një kohë të gjatë. Një shembull janë bakteret që shkaktojnë antraksin, që lëshohen në ajër, hidhen në ujë e ushqime etj.
Nga ana tjetër, për antropologun e njohur Scott Atran, arsyet që i çojnë individët drejt kryerjes së sulmeve terroriste nuk lidhen domosdoshmërisht me problemet mendore nga të cilat ata mendohet se vuajnë. Arsyet nuk lidhen as me rekrutimet trushpëlarëse.
Sipas tij, fillimisht, individët brendësojnë besimet dhe vlerat, që përbëjnë shtyllat e një kauze të caktuar. Më pas, përmes identifikimit me to dhe grupin ku përfshihen, arrijnë të mendojnë dhe t’i finalizojnë në sulme terroriste. Thënë më thjeshtë, brendësimi, identifikimi dhe përkatësia në grup, shpjegojnë ndërmarrjen e sulmeve terroriste.
Në ditët e sotme, pasi web është pjesë e rëndësishme e sferës publike, një platformë për realizimin e këtyre tre proceseve janë mediat sociale.
Terroristët i përdorin mediat sociale për të manipuluar mendimet dhe emocionet e individëve. Propaganda përhapet dhe arrin lehtësisht shumë individë në rrjet. Për pasojë, rritet probabiliteti që ata të rekrutohen.
Si na bie në sy, nëse dikur, nevojiteshin muaj deri vite për të qenë pjesë e një grupi të caktuar terrorist, sot është më e thjeshtë. Mjafton të kesh internet dhe një mjet të lidhur me të.
Në rrjet, formimi i komuniteteve online me radikalë dhe komunikimi mes tyre me mesazhe të koduara, i jep dorë jo vetëm rekrutimit por dhe mobilizimit të mundshëm në të ardhmen. Në këtë mënyrë, tre proceset e përmendura nga Atrani amplifikohen deri kur arrin koha e finalizimit të tyre, në formën e sulmeve terroriste.
Një problem tjetër me mediat sociale është dhe prania e opsioneve që ato ofrojnë. Një nga shembujt është përdorimi i livestream video në Facebook gjatë sulmit të një supremacisti të bardhë me bindje radikale të djathta, në një xhami në Zelandën e Re, në mars të vitit që kaloi. ‘Performanca” e tij terroriste, përfaqëson jo vetëm një mënyrë për tu shfaqur dhe tërhequr vëmendje por dhe një formë propagandimi in situ.
Në mënyrë përplotësuese, gjetja pa mundim dhe me çmim të lirë e agjentëve biologjikë dhe përdorimi i teknologjisë së lartë, shërben si shtysë për të finalizuar qëllimin, kryerjen e sulmit bioterrorist ndaj një masë të madhe njerëzish. Më problematik mbetet fakti që efekti i këtyre sulmeve, shfaqja e sëmundjes, mund të vonojë dhe terroristët nuk rrezikojnë të kapen e të dënohen.
Për herë të parë në histori, zhvillimi i mediave sociale, shoqëruar me tre proceset që përmend antropologu i njohur, sëbashku me lehtësinë e gjetjes dhe përdorimit të agjentëve biologjikë, ka krijuar një situatë komplekse.
Më së pari, masat për parandalimin e terrorizmit, lipset të përfshijnë kontrollin e mediave sociale ashtu si dhe të prodhimit të agjentëve biologjike.
Një masë që mori Facebook-u pas sulmit terrorist në Zelandën e Re ishte përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të diktuar dhe kufizuar postimet me përmbajtje terroriste në rrjetet sociale. Sipas rastit dhe shembujve në vende që u goditën prej sulmeve terroriste, deri dhe bllokimin e përkohshëm të mediave sociale./sapiens.al