Home » Evolucioni i njeriut » Vegëlbërja gjatë evolucionit të njeriut

Vegëlbërja gjatë evolucionit të njeriut

Start here

Vegëlbërja është një formë e specializimit kulturor që i mundësoi homininëve një përshtatje më eficiente krahasuar me primatët e tjerë. Vegla pune prej guri me moshë të hershme u zbuluan në rajonin e Bourit dhe Gonas në Etiopi dhe datonin pёrkatёsisht 2.5 dhe 2.4 milionë vite më parë. Vetёm njëra anë e gurit është e mprehtë dhe ato mendohet se janë përdorur nga llojet e gjinisё Homo megjithëse ka mendime se dhe prej Australopithecus garhi.

Deri më sot, veglat më të hershme prej guri janë zbuluar në sitin Lomekui në Kenia dhe datojnë 3.3 milionë vite më parë.

Në vitin 2009, kocka kafshёsh me moshё 3.4 milionё vjeçare dhe me shenja prerëse tё realizuara nga vegla guri u gjetën nё Dikika tё Etiopisё. Me shumё gjasë ato ishin përdorur nga Australopithecus afarensis. Dyshimet ndër paleoantropologë se këto prerje ishin shkaktuar rastësisht morën fund pasi në vitin 2015, në kockat e dy llojeve, u gjetën rreth 12 shenja prerjesh të qëllimshme dhe u arrit në përfundimin se goditjet kishin qenë të forta dhe të njëpasnjëshme.

Ky zbulim tregon se veglat e gurit kanë një moshë edhe më të hershme nga ato të gjetura në Lomekui të Kenias. E njohur si kultura Lomekuane, kjo teknologji vegëlbërjeje konsiderohet tradita më e hershme e përgatitjes së veglave të gurit. Rëndësia e kësaj tradite qëndron në faktin se homininët e hershëm zotëronin aftësitë konjitive për ndërtimin e veglave të gurit dhe konsumonin mish.

Në vitet 1930, antropologu i njohur Louis Leakey zbuloi për herë të parë vegla pune prej guri në Grykën e Olduvait në Tanzani. Ato morën emrin vegla guri Olduvane. Teknologjia e përgatitjes së tyre, e ngjashme me veglat e punës të gjetura në Etiopi, përfshihet në atë që njihet si kultura Olduvane. Mënyra e dytë e përgatitjes së këtyre veglave të gurit përfaqëson edhe fillimin e një tradite më të qëndrueshme të vegëlbërjes, krahasuar me atë Lomekuane.

Mënyra e tretë e përgatitjes së veglave të punës dallohet sepse anët e gurit janë dyfaqëshe. Ato datojnë 1.6 milionë vite me parë dhe janë gjetur fillimisht nё Afrikë dhe janë prodhuar e përdorur prej Homo ergaster/ erectus. Një mjet i tillë pune i përket kulturës Akeulane

Në mënyrën e katërt të përgatitjes së veglave prej guri vihet re heqja e copëzave të vogla nga guri bazë. Kjo mёnyrё e prodhimit tё veglave tё gurit njihet si kultura Mousteriane e cila zёvendёsoi kulturёn Akeulane nё Evropё dhe i “pёrket” Neandertalёve.

Paleoliti i vonë, i cili përfshin periudhën nga 50 mijё deri 11.750 mijё vite mё parё, karakterizohet nga përgatitja e copëzave të stërgjatura dhe kultura Aurignaciane ёshtё njё shembull i kësaj mёnyrё prodhimi tё veglave tё punës dhe artit. Kjo traditë i ka fillesat 43 mijë vite më parë.

Teknologjia e fundit konsiderohet më e përpunuara, pasi artefaktet e gjetura janë “delikate” në stil dhe me përmasa tё vogla, qё i bashkëngjiteshin veglave tё tjera tё punës. Ajo njihet si kultura Magdaleniane dhe shtrihet nё njё hark kohor nga 17 mijё deri nё 11 mijё vite mё parё. Artefaktet që lidhen me këtë kulturë lokalizohen kryesisht nё Evropёn Perёndimore.

Si merret me mend, një mënyrë e re prodhimi e veglave të punës nuk zëvendësoi mënyrën e mëparshme tё prodhimit. Shpesh, në të njëjtën kohë, praktikoheshin dy apo tre mënyra të prodhimit të veglave. Nganjëherë, një mënyrë prodhimi evoluonte në një mënyrë tjetër edhe pas 100 mijë viteve. Është interesante njohja e përdorimit të këtyre veglave. Për këtë qëllim, është krijuar dhe disiplina shkencore e njohur me emrin arkeologjia eksperimentale.

Fakti se lindja e gjinisë Homo përkon me zhvillimin e mёtejshёm tё prodhimit tё veglave të para prej guri -pasi si kemi pohuar, kultura Lomekuane është tipi i parë i teknologjisë së vegëlbërjes- tregon lidhjen e ngushtë të kësaj gjinie me teknologjinë e vegëberjes.

Por është e rëndësishme të vihet në dukje se përhapja e popullatave njerëzore në vende apo kontinente të ndryshme, nuk përkon domosdoshmërisht me zhvillimin e njërës apo tjetrës tip kulture të prodhimit të veglave të punës pasi shpeshherë, në site ku janë gjetur fosile hominësh, veglat e punës që ata kanë përdorur, i përkasin një moshe më të vjetër.

Teknologjia ose kultura Levalua, e cila u shfaq në Afrikë dhe Euroazi nga 330 mijë deri në 200 mijë vite më parë, në mënyrë të pavarur, u shfaq dhe në Armeni, ku në sitin Nor Gegi u gjetën vegla pune, të përgatitura sipas kësaj teknike prodhimi. Ato datojnë rreth 335 mijë vite më parë. Ky fakt na bën të mendojmë se veglat e gurit nuk mund të përdoren si indikator i besueshëm i ndryshimit dhe i përhapjes së popullatave humane gjatë Paleolitit.

Nga ana tjetër, në historinë e teknologjisë së prodhimit të veglave prej guri, shpesh vihet re mungesa e risive në bërjen e tyre. Për shembull, tradita Akeulane e përgatitjes së veglave të gurit mbeti pothuaj e pandryshueshme nga 1.6 milionë vite më parë kur u shfaq në Evropë, deri në 130 mijë vite më parë, bazuar në artefaktet e zbuluara në Evropën perëndimore.

Qëndrueshmëria e tyre për një kohë kaq të gjatë është e paimagjinueshme për teknologjinë e sotme. Zhvillimet e shpejta teknologjike na kujtojnë përshpejtimin e rritjes së popullsisë dhe shoqërisë: ashtu si popullsia, edhe vegëlberja priret drejt kompleksitetit gjatë Revolucionin Neolitik dhe pas ndodhjes së tij.

Burime:

Adler, D.S., Wilkinson, K.N., Blockey, S., Mark, D.F., et al. (2014). Early Levallois technology and the Lower to Middle Paleolithic transition in the Southern Caucasus. Science 345, 1609-1613.

Harmand, S., Lewis, J.E., Feibel, C.S. et al. (2015).  3.3 million year old stone tools from Lomekwi 3, West Turkana, Kenya. Nature, 521, 310-315

McPherron, Sh., Alemseged, Z., Marean, C. W., Wynn, J. G. et al. (2010). Evidence for Stone-tool-assisted Consumption of Animal Tissues before 3.39 Million Years Ago at Dikika, Ethiopia. Nature, 466, 857–860.

Mendez-Quintas, E., Santonja, M., Perez-Gonzales, A. First evidence of an extensive Acheulean large cutting tool accumulation in Europe form Porto Maior (Galicia, Spain). Scientific Report, 8 (3082).

Semaw, S., Rogers, M.J., Quade, J., Renne, P. R. et al. (2003). 2.6-Million-year-old stone tools and associated bones from OGS-6 and OGS-7, Gona, Afar, Ethiopia. Journal of Human Evolution, 45, 169–177.

Thompson, C. J., McPherron, Sh., Bobe, R. et al. (2015). Taphonomy of fossils from the hominin-bearing deposits at Dikika, EthiopiaJournal of Human Evolution, Vol 81/85.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: