Home » Historia e antropologjise

Category Archives: Historia e antropologjise

Një histori e shkurtër e mendimit antropologjik

Historia e mendimit antropologjik na shërben për të njohur teoritë që kanë udhëhequr disiplinën e antropologjisë përgjatë shekullit të XIX, XX dhe XXI. Pyetjet që kanë shtruar antropologët në shekuj kanë qenë: Përse shoqëritë njerëzore ndryshojnë mes tyre? Kush janë mekanizmat përgjegjës për këtë ndryshim? Cfarë janë përshtatjet kulturore? Cilët janë mekanizmat që realizojnë përshtatje kulturore të shoqërive njerëzore me mjedisin ku ato jetojnë? Përse shoqëri të ndryshme formojnë përshtatje të ndryshme me mjedisin? Cili janë funksionet e tipareve kulturore? Si janë të lidhura mes tyre strukturat që formojnë një sistem sociokulturor?  

Teoritë shërbejnë si mjete për t’i dhënë kuptim të dhënave të marra në terren me anë të metodës etnografike. Antropologët i përdorin teoritë për t’i dhënë kuptim të dhënave dhe drejtimi i tyre teorik përcakton mbledhjen, klasifikimin dhe interpretimin e tyre. Në këtë këndvështrim edhe antropologjia sociale, e cila studion evolucionin dhe diversitetin kulturor të njeriut, përdor disa teori për të njohur kulturën dhe shoqëritë njerëzore. Etnografia si metodë e mbledhjes së të dhënave në terren diktohet dhe është në përputhje me këndvështrimin teorik të antropologut social ose kulturor. Këtu do të ravijëzohen mendimet kryesore që udhëhoqën disiplinën e antropologjisë si edhe kontribuesit “periferikë” por me shumë ndikim në këtë lëm të dijes.

Teoritë  antropologjike janë të lidhura ngushtë me momentet kryesore ideore që përshkruan Europën në shekuj, me kontributin nga fusha të ndryshmë të dijes dhe me figurat qëndrore që themeluan apo ravijëzuan vetë disiplinat shkencore e të ardhmes. Filozofë si T. Hobsi, Xh. Loku, Zh. Zh, Ruso, Monteskje, A. Konti dhe natyralistë si K. Lineu dhe Zh. B. Lamarku dhanë ndihmesë të cmuar në lindjen e antropologjisë në shekullin XIX.

Në përputhje me “brendinë” teorike të cdo mendimi antropologjik, ekzistojnë tre perspektiva: ajo diakronike, sinkronike dhe interaktive.  Këto tre  perspektiva që karakterizojnë teoritë e paraqitura më poshtë, janë po ashtu produkt i një historiku të gjatë mendimi, pikëprerje e disiplinave të ndryshme shkencore .

Teoritё klasike evolucionare Shekulli  XIX u formёsua nga mendimi evolucioniar i biologёve tё mirёnjohur Charles Darwin (1809-1882) dhe Alfred R.Wallace (1823-1913). Darvini dhe Uollasi propozuan se evolucioni i organizmave tё gjallё, përfshirë njeriun, mbështetet nga fosilet dhe mekanizmi pёrgjegjёs i formёsimit tё pёrshtatjeve ёshtё seleksioni natyror ose pёrzgjedhja natyrore. Evolucioni, si proces biologjik, lidhet me ndryshimin nё kohё tё njё lloji dhe aftёsinё e tij pёr t’iu  pёrshtatur mjedisit. Thelbi i mendimit darvinian (i shprehur dhe nga Uollasi) ёshtё i lidhur me ndryshimin dhe pёrshtatjen e organizmave ndaj mjedisit ku ato jetojnё.

Por mendimtarёt e shekullit  XIX  e panё evolucionin si proces progresist, proces ku llojet sa vijnё e zhvillohen nё kohё dhe organizmat mё pak tё zhvilluar, zhduken. Ky interpretim i gabuar, i pёrputhshёm me mendimet supremaciste tё disa mendimtarёve nё shkencat sociale asokohe, gjeti fillimisht pasqyrim nё veprёn e studiuesit anglez Herbert Spencer (1820-1903). Historia dhe mendimi europian u shёnjuan thellё nga retorika etnocentrike e Spenserit e sidomos nga pёrdorimi i konceptit darvinizёm social që pёrfaqёson nё historinё  e shkencёs njё prej rasteve tё keqpёrdorimit tё njё teorie mirёfilli shkencore, konkretisht, teorisё sё evolucionit me anё tё mekanizmit tё seleksionit natyror. Konotacioni “mbijetesa e mё tё pёrshtaturit (survival of the fittest)  i përket Spenserit, i cili i pёrdori konceptet darviniane (seleksion natyror, pёrshtatje) pёr tё shpjeguar evolucionin e shoqёrive njerёzore nё kohё, duke propozuar se shoqёritё europiane janё njё shkallё mё lart, pra janё mё tё pёrparuara, krahasuar me shoqёritё e tjera njerёzore.

Ky pohim gjeti pёrkrahje nё qarqet intelektuale europiane pёrtej oqeanit duke u materializuar nё punimet e antropologut anglez Edward Burnett Tylor (1832-1917) dhe atij amerikan Lewis Henry Morgan (1818-1881). Morgani, nё vijёmёsi tё mendimeve tё Spenserit, propozoi se shoqёria njerёzore ka pёrshkruar tre stade (shkallё) gjatё zhvillimit tё saj kulturor: stadin e Egёrsisё, stadin e Barbarizmit dhe stadin e Civilizimit. Sipas tij, nё stadin e Egёrsisё, shoqёritё  njerёzore karakterizoheshin nga jetesa nё grupe me lidhje gjaku mes tyre, prona ishte e pёrbashkёt dhe nuk kishte ndarje tё  shoqёrisё nё  klasa. Gjithashtu, shpikja e zjarrit, gjuajtja e kafshёve tё egra dhe pёrdorimi i mjeteve primitive tё punёs (psh. sopata prej guri) mundёsonin mbijetesёn e tyre. Nё stadin e Barbarizmit, shoqёria njerёzore karakterizohej nga zbutja e kafshёve dhe kultivimi i bimёve ose nga lindja e bujqёsisё dhe blegtorisё. Nё kёtё stad, u shfaq dhe prona private, ndarja e punёve dhe shtresëzimi social. Nga ky kёndvёshtrim, shoqёritё  europiane dhe amerikane, i kishin tejkaluar dy stadet e para tё evolucionit dhe “ndodheshin” nё stadin mё tё zhvilluar, atё tё Civilizimit.

Eduard Tajlori kontribuoi nё pёrcaktimin e atyre qё njihen si pёrshtatje tё dikurshme kulturore ( survivals). Nё analogji me rudimentet nё evolucionin biologjik, kёto pёrshtatje, qё e kanё humbur funksionin e tyre por qё janё ende tё pranishme nё njё shoqёri, shёrbejnё si prova tё gjendjes sё dikurshme ose mё tё hershme tё kulturёs prej sё cilёs ka evoluar njё kulturё e re.

Gjithashtu, Tajlori vuri theksin edhe mbi tiparet mendore tё anёtarёve tё njё shoqёrie njerёzore duke theksuar faktin se pavarsisht stadit nё tё cilin gjendet njё shoqёri e caktuar, kapacitetet mendore tё anёtarёve tё saj janё tё ngjashme dhe ideja e progresit lidhet ngushtё, nё tё vёrtetё, mё shumё me arsimimin sesa me “inteligjencёn e ulёt” tё individёve.

Nё rastin e Tajlorit, ёshtё e rёndёsishme tё theksohet se ai pranonte faktin se shoqёritё njerёzore ndryshojnё kohё pas kohe, pra i nёnshtrohen evolucionit dhe aftёsitё mendore janё tё ngjashme tek tё gjithё njerёzit, pavarsisht se nё cfarё tip shoqёrie apo stadi njё individ bёn pjesё. Antropologu anglez vlerёsohet edhe pёr pёrkufizimin mё tё cituar sot mbi kulturёn, pёrkufizim i cili shfaqet nё veprёn e tij “Kultura primitive” ( Primitive Culture) tё botuar pёr herё tё parё nё vitin 1871.

Kritikat e mёvonshme ndaj Tajlorit e venё theksin tek propozimi i stadeve tё shoqёrive njerёzore. Si pohuam, ky perceptim hierarkik i kulturave ёshtё jehonё e mendimeve tё H. Spenserit. Mendimi se Tajlori u frymёzua prej punimeve tё Darvinit ёshtё i gabuar. Kjo pasi antropologu anglez nuk mori nё konsideratё dy pёrbёrёs tё rёndёsishёm tё koncepsionit Darvinian, tё menduarit pemё dhe populativ. Si do tё shohim nё vijim, mosnjohja e teorisё darvinane, u shpreh dhe nё punimet e antropologut amerikan F. Boas. Ky i fundit, ishte njё kundёrshtar i teorisё unilineare tё evolucionit tё propozuar prej Tajlorit dhe Morganit.

Paraqitja lineare e zhvillimit tё shoqёrisё  njerёzore e shprehur nё veprёn e Morganit “Shoqёria  e lashtё” (Ancient Society, 1877), ndikoi nё formimin e kuadrit konceptual tё F. Engelsit (1820-1895) i cili i pёrdori konceptet e barazisё  dhe tё mungesёs sё pronёs private nё veprat e tij, si dhe tё Karl Marksit (1818-1883) i cili i fokusoi punimet e tij shkencore rreth konfliktit qё lind mes anёtarёve tё njё grupi shoqёror. Thёnё ndryshe, me idetё e huazuara prej Morganit, dy mendimtarёt  ilustruan pikёpamjet e tyre evolucionare rreth shoqёrisё njerёzore. Teoritё e tyre konsiderohen teori materialiste dhe pohojnё se tё gjithё komponentёt e kulturёs kanё tё bёjnё me mёnyrёn se si ёshtё organizuar njё shoqёri pёr tё pёrmbushur nevojat dhe kёrkesat e saj. Sipas tyre, organizimi i shoqёrisё ёshtё i lidhur ngushtë dhe varet drejtёpёrdrejtё nga niveli i zhvillimit teknologjik. Ky mendim do të rimerrej më vonë në konsideratë nga dy antropologë tё njohur amerikanё. Ata ishin Julian Steward dhe Leslie White.  

Formimi i mendimit sociologjik  Fillimshekulli XX nё Francё, lidhet me lindjen e mendimit sociologjik nga njё prej figurave mё tё njohura intelektuale, themeluesit tё  sociologjisё  si disiplinё shkencore dhe te departamentit tё  parё tё sociologjisё  nё  Europё,  Emile Durkheim (1858-1917). Dyrkaimi pohonte se cdo grup individёsh  kishin tё pёrbashkёt mes tyre tё ashtuquajturёn ndёrgjegje kolektive. Ndёrgjegjja e pёrbashkёt apo ndёrgjegjja kolektive ёshtё njё koncept sipas tё cilit individёt e njё shoqёrie ndajnё mёnyra tё njёjta mendimi, besimesh dhe vlerash tё cilat formёsojnё dhe kufizojnё sjelljet e tyre nё shoqёri. Si entitet psikologjik, ndërgjegja kolektive e brendësuar tek cdo individ e tejkalon vetë atë dhe nuk mund të shpjegohet në kontekstin individual. Pra, ndërgjegja është një “superorganizëm” që vepron me rregullat e veta, përtej individëve.

Në këtë këndvështrim, ai pohonte se analiza e shoqërisë duhet të realizohet nëpërmjet studimit të fakteve sociale, pra të sjelljeve të cilat kanë ekzistuar para individit dhe janë mësuar prej tij si anëtar i shoqërisë ( kujto konceptin e  enkulturimit). Sipas Dyrkaimit detyra e sociologut ёshtё   zbulimi i pёrbёrёsve sё ndёrgjegjes kolektive (ai i emёroi këto përbërës si fakte sociale apo pёrfaqёsime kolektive) qё mundёsojnё funksionimin e tyre nё njё shoqёri tё caktuar. Kështu, Dyrkaimi adoptoi perspektivёn realiste dhe pohoi se realitetet shoqёrore ekzistojnё  jashtё individit duke mbёshtetur tezёn se sociologjia jo vetёm qё duhet të merret me zbulimin e ligjeve tё dukshme tё shoqёrisё por ajo mund tё zbulojё edhe vetё ligjet natyrore qё udhёheqin shoqёrinё. Vlen të përmendet se theksi i tij mbi praninё e njёsive funksionale, qё shёrbejnё pёr ruajtjen e ekuilibrit dhe mbarёvajtjen e shoqёrisё si e tёrё, i dha hov mendimit funksionalist nё antropologji.

Gjithashtu, mendimet e Dyrkaimit mbi segmentimin e shoqёrisё  nё  elementё  pёrbёrёs, tё cilёt ruajnё ekuilibrin e brendshёm tё vetё shoqёrisё, influencuan punimet e nipit tё tij, sociologut dhe antropologut Marcel Mauss (1872-1950). Mosi njihet nё antropologji pasi libri tij  “Dhurata: Format dhe funksionet e shkёmbimit nё shoqёritё arkaike” (origj. Essai sur le don: Forme et raison de l’echange dans le societies archaice, 1923) studion marrёdhёniet e reciprocitetit gjatё shkёmbimit tё dhuratave. Sistemet e shkёmbimit shërbejnë për ruajtjen e solidaritetit në një shoqëri të caktuar. Ai u bazua nё punimet e B. Malinovskit (tё realizuara me tё dhёnat etnografike që ky antropolog mblodhi në Polinezi) pёr realizimin e veprёs sё tij. Mosi arriti nё pёrfundimin se shkёmbimi i dhuratave mes anёtarёve tё shoqёrise forcon lidhjet e tyre sociale duke ruajtur kёshtu kohezionin social.

Partikularizmi historik dhe relativizmi kulturor  Nё fillimet e shekullit XX, nё Shtetet e Bashkuara tё  Amerikёs, ishte shumё i pёrhapur mendimi se “raca e bardhё”  ishte superiore ndaj “racёs se zezё” pra ndaj qytetarёve amerikanё me prejardhje nga Afrika, si dhe ndaj indianёve amerikanё apo si etiketoheshin rёndom dhe me paragjykim “lёkurёkuq”. Ky mendim i bazuar nё teori pseudoshkencore ishte mbizotёrues nё botёn akademike por dhe shoqёrore amerikane: studiues tё ndryshёm hartonin me zell traktate dhe teori kinse me bazё shkencore nё pёrkrahje tё tij. Por kjo panoramё ndryshoi, tё paktёn deri diku nё qarqet akademike, nё sajё tё punёs sё palodhur tё antropologut gjerman me origjinё hebreje, Franz Boas (1858-1942) i cili emigroi nё SH.B.A. Ai njihet dhe si babai i antropologjisё amerikane.

Boasi pohonte se tё gjithё njerёzit janё biologjikisht tё barabartё dhe ndryshimet mes shoqёrive njerёzore pёrcaktohen nga kultura qё ato kanё. Sipas tij, kultura pёrcaktohet nga kushtet e vecanta historike, tё cilat janё tё ndryshme nё popuj tё  ndryshёm dhe nuk varet nga modelet e zhvillimit linear, tё propozuara nga teoricienёt evolucionistё unilinearё si Tajlori dhe Morgani. Ky mendim pёrbёn dhe principin e relativizmit kulturor.

Gjithashtu, mendimi i Boasit se cdo kulturё  njerёzore varet nga historia specifike e cdo shoqёrie pati rrjedhoja konceptuale nё shkencat shoqёrore. Njё nga rrjedhojat kryesore lidhet me faktin se studimi i njё kulture tё caktuar duhet bёrё brenda kuadrit tё asaj kulture, duke shmangur modelin e propozuar nga Morgani se cdo kulturё  kalon nёpёr tё njёjtat stade zhvillimi. Njё rrjedhojё tjetёr lidhej me faktin se pavarsisht se kulturat mund tё krahasohen me njёra tjetra, me qёllim gjetjen e universaleve kulturore, duke qenё se secila kulturё ka njё histori unike zhvillimi, ky krahasim ёshtё shkencёrisht i pasaktё. Krahasimi, bie fjala i dy tipareve tё ngjashme mes dy kulturave tё ndryshme, bie ndesh me principin e Boasit. Nё kёtё kontekst, edhe vetё puna studimore e tij, u fokusua nё mbledhjen, me anё tё punёs nё terren, tё sa mё shumё tё dhёnave etnografike, duke lёnё mёnjanё pёrgjithёsimet apo krahasimet mes kulturave.

Nga ana tjeter, studimi i marrëdhënies mes kulturës dhe personalitetit i detyrohet punimeve tё dy studenteve të Boasit. Ato ishin Ruth Benedict (1887-1948) dhe Margareat Mead (1901-1978). Pohimi kryesor i tyre ishte se cdo kulturё ka njё konfiguracion tё vecantё dhe personaliteti i cdo individi  formёsohet dhe modifikohet nga kultura ku ai bёn pjesё. Vepra kryesore e Benediktit ishte “Modelet e kulturёs” ( Patterns of culture, 1934) nё tё cilёn ajo paraqiti mёnyrat se si kultura Pueblo ndёrvepronte me vdekjen si proces natyror. Nё kёtё vepёr, Benedikti ravijёzoi edhe mendimin se individёt pёrballen me humbjen e njerёzve nё mёnyra tё ndryshme, sipas kulturёs qё ata kanё. Njё vepёr tjetёr e rёndёsishme e Benedikit ishte “Krizantema dhe shpata” (The chrysanthemum and the sword, 1946) ku ajo paraqiti, duke marrё tё dhёna nga letёrsia, gazetat, filmat etj,  kulturёn e Japonisё sё largme.

Rёndёsia e punimit tё Benediktit  qёndron nё metodёn e ndryshme tё studimit tё njё kulture duke mos pёrdorur punёn nё terren. Benedikti e influencuar nga mentori i saj Boas, ishte njё mbёshtetёse e bindur e principit tё relativizmit kulturor. Ajo pohonte se cdo kulturё  ka karakteristikat e saj unike dhe ёshtё jokorrekte tё mos vlerёsosh vlerat apo zakonet e njё kulture, tё ndryshme nga e jotja. Nё kёtё kёndvёshtrim, moralizimet janё tё panevojshme, pasi vete morali ёshtё relativ, nё varёsi tё kulturёs ku ai ёshtë formuar.

Margaret Mid, bashkёpunёtore dhe kolege e Benediktit, publikoi nё vitin 1928 veprёn e saj “Adoleshenca nё Samoa” ( Coming of age in Samoa) ku shprehu pikёpamjet mbi tranzicionin nga stadi fёmijё nё adoleshencё. Konkretisht, Midi vizitoi Ishujt Samoa dhe pas vёzhgimesh tё hollёsishme arriti nё pёrfundimin se ky tranzicion, krahasuar me kulturat perёndimore, ishte mё i “butё”, larg streseve emocionale e fizike. Ndoshta meritat kryesore të Midit  (sëbashku me bashkëshortin e saj, mendimtarin e njohur Gregory Bateson) ishin pёrdorimi i aparatit fotografik gjatё punёs nё terren si dhe realizimi i njё filmi etnografik nё vitet 1930. Ajo ishte promovuese e idesë së pёrdorimit tё aparatit fotografik dhe filmave etnografikё me qёllim, dokumentimin filmik tё kulturave nё studim, shembull i ndjekur kudo sot nga antropologët gjatë punimeve në terren.

Funksionalizmi Ndryshe nga zhvillimet nё SH.B.A, Britania e Madhe pёrfaqёsohet nё antropologji me funksionalizmin, i cili ndahet nё dy shkolla mendimi: funksionalizёm psikologjik dhe funksionalizёm strukturor. Themeluesit e kёtyre dy shkollave janё pёrkatёsisht  Bronislaw Malinowski (1884-1942) dhe A.R.Radcliffe-Brown (1881-1955). Antropologu me origjinё polake Malinovski formuloi nё vitin 1914 njё teori tё  kulturёs tё quajtur funksionalizёm psikologjik. Nё qendёr tё kёsaj teorie ёshtё mendimi se kultura iu duhet njerёzve pёr tё plotёsuar nevojat e tyre. Konkretisht, me anё tё kulturёs ata pёrmbushin tre lloje kёrkesash apo nevojash: nevojat biologjike (sigurimi i ushqimit, nevojat pёr mbrojtje fizike etj.) me qёllim mbijetesёn dhe riprodhimin si organizma biologjikё; nevojat e prejardhura qё lidhen me probleme sociale ( ndarja e punёs, rregullimi i riprodhimit dhe kontrolli social) si dhe nevojat integrative qё  kanё tё bёjne me nevojat psikologjike dhe harmoninё sociale. Sipas Malinovskit, institucionet kulturore janё formuar pёr t’iu pёrgjigjur nevojave qё kanё pjesёtarёt e shoqёrisё dhe detyra e antropologut ёshtё tё analizojё mёnyrat me anё tё tё cilave kultura  i pёrmbush ato.

Vepra e tij mё  e rёndёsishme “Argonautёt  e Paqёsorit Perёndimor” ( Argonauts of Western Pacific, 1922) ёshtё njё ilustrim i mirё i mendimeve tё tij dhe merita e e tij padiskutueshme si antropolog lidhet me cilёsinё e tё dhёnave etnografike tё pёrftuara nё ishujt Trobriand midis viteve 1915-1918. 

Malinovski vendosi standarte tё reja tё punёs nё terren pёr antropologёt. Standarti i ri i vendosur prej tij dhe theksi mbi vrojtimin pjesёmarrёs ose vrojtimi me pjesёmarrje e vendosin atё, krahas Boasit, nё panteonin e kontribuesve  mё tё rёndёsishёm tё antropologjisё.

Nё Britaninё e Madhe lindi dhe njё shkollё tjetёr mendimi e quajtur funksionalizёm strukturor, pёrfaqёsuar nga A.R.Radcliffe-Brown. Ai kreu mё sё shumti punime nё ishujt Andaman dhe Australi dhe pёrdori metodёn krahasuese pёr tё gjetur tё pёrbashkёtat mes shoqёrive njerёzore. I ndikuar nё masё tё madhe nga punimet e sociologut francez E. Durkheim, Radcliffe-Brown-i dha mendimin se institucionet kulturore shёrbejnё pёr mbarёvajtjen dhe ruajtjen e harmonisё sociale. Ai pohonte se marrёdhёniet sociale janё tё vёzhgueshme ndёrsa struktura sociale ёshtё vecse njё konstruksion teorik i studiuesit apo antropologut.  

Ekologjia kulturore dhe mendimi i ri evolutiv Nё mesin e viteve 1930 lindi njё shkollё e re mendimi nё antropologjinё  amerikane qё kundёrshtoi tezat e propozuara nga Boasi dhe studentёt e tij. Tё ashtuquajturit neo-evolucionistё  i rivlerësuan idetё e propozuara nga evolucionistёt e shekullit XIX  dhe vendosёn njё  standart tё ri shkencor nё vlerёsimin e kulturёs. Mendimi i ri evolutiv nё antropologji gjeti shprehje nё formulimin e dy teorive. Ato ishin teoria ekologjike e kulturёs dhe teoria multilineare e evolucionit dhe u formuluan nga antropologu amerikan Julian Steward (1902-1972).

Nё qendёr tё teorisё ekologjike sё kulturёs ёshtё teknologjia dhe Stjuardi pohonte se ekziston njё pёrputhje ose lidhje midis mjedisit natyror, nivelit teknologjik dhe organizimit socio-ekonomik tё  njё shoqёrie tё caktuar. Po ashtu, si shprehej nё teorinё  klasike tё evolucionit, njё sjellje kulturore lind dhe evoluon si pёrgjigje adaptive ndaj njё mjedisi tё caktuar natyror. Vepra e tij “Teoria e ndryshimit kulturor: Metodologjia e evolucionit multilinear” (Theory of culture change: The methodology of multilinear evolution, 1955) ёshtё njё  ilustrim i mirё i tezave tё tij mbi kulturёn dhe natyrёn pёrshtatёse tё saj. Ai ishte i interesuar pёr marrёdhёniet e njeriut me mjedisin teknologjik dhe teoria e evolucionit kulturor multilinear ka tё bёjё me pёrshtatjet (koncept darvinian) e shoqёrive njerёzore ndaj mjedisit ku ato jetojnё nё sajё tё teknologjisё. Stjuardi pohonte se kultura ёshtё pёrgjigje pёrshtatёse ndaj problemeve tё mbijetesёs dhe tё riprodhimit.

Teoria ekologjike e kulturёs ёshtё e lidhur me evolucionin pasi ajo pohon se shoqёritё  e evoluara kanё  rritur eficencёn e transformimit tё energjisё gjё e cila coi nё rritjen e popullsisё, teknologjisё dhe tё specializimit ekonomik. Stjuardi propozoi se shoqёritё njerёzore qё jetojnё nё mjedise tё ngjashme kulturore dhe kanё teknologji tё ngjashme pёsojnё evolucion kulturor tё ngjashёm. Sipas tij, ishin kёto arsyet qё disa popuj gjeografikisht tё  largёt por me mjedise dhe teknologji tё ngjashme , pёsuan evolucion tё ngjashёm kulturor si dhe kanё ngjashmёri kulturore mes tyre. Theksi mbi natyrёn pёrshtatёse tё kulturёs ёshtё padyshim njё nga kontributet kryesore tё kёsaj teorie.

Në mënyrë të përmbledhur, Stjuardi pohonte se: a) Përshtatjet kulturore që kanё krijuar njerëzit janë përgjigje ndaj mjedisit b) kultura që i përgjigjen mjediseve të njëjta formojnë përshtatje të njëjta c) tiparet kulturore si forma mbijetese përbëjnë atë që ky autor e quante thelbi kulturor  ( origj. cultural core) dhe se d) kulturat evolojnë në varësi të kushteve mjedisore.

Neoevolucionisti amerikan Leslie White (1900-1975) i shprehu pikёpamjet e tij materialiste nё veprat e tij, me shumё  ndikim edhe nё ditёt e sotme, tё titulluara “Evolucioni i kulturёs”  (The evolution of culture, 1959) dhe “ Koncepti  kulturё” ( The concept of culture, 1973). Nё  kёto dy vepra, ai pohonte se kultura pёrbёhet nga tre nivele: niveli teknologjik, niveli i organizimit social dhe niveli ideologjik. Sipas tij, pavarsisht se tre nivelet e kulturёs bashkёveprojnё mes tyre, niveli teknologjik ёshtё vendimtar apo pёrgjegjёs pёr evolucionin kulturor tё shoqёrisё.

Sipas Uajtit, problemet e mbijetesёs dhe riprodhimit tё llojit njeri janё tё lidhura ngushtё me pёrdorimin eficent tё energjisё dhe evolucioni i shoqёrive njerёzore ёshtё  pasojё e “kapjes” dhe pёrdorimit sa mё efektiv tё energjisё. Kapja dhe pёrdorimi i energjisё mundёsohen nga evoluimi i teknologjisё, rrjedhimisht, shoqёritё qё disponojnё  teknologji tё lartё, janё mё tё evoluara krahasuar me shoqёritё e tjera.

Kёshtu, sipas tij, funksioni kryesor i kulturёs ёshtё aftёsia e saj pёr tё zotёruar dhe pёrdorur energjinё. Ligji i Uajtit pohon se njё kulturё mund tё gjykohet nё raport me sasinё  e energjisё qё ajo zotёron dhe pёrdor (konsumimi i energjisё). Kështu, kultura ndryshon si pasojë e rritjes dhe përdorimit të energjisë në kohë.

Mendimet e autorëve të sipërpërmendur ravijëzuan konceptin e materializmit kulturor dhe cuan në lindjen e disiplinës së antropologjisë mjedisore dhe ekologjisë humane rreth fundit të shekullit XX.

Neomaterializmi: Evolucionistёt, funksionalistёt ekologjistё dhe neo-marksistёt  Nё vitet 1960 dhe 1970, nё vijimёsi tё mendimeve tё shprehura nga Stjuardi dhe Uajti, teoricienё materialistё dhe pёrkrahёs sё qasjes evolucionare ndaj kulturёs i rikonceptuan edhe njёhere disa prej teorive antropologjike. Kёta antropologё ishin Morton Fried (1923-1986), Marshall Sahlins (lindur nё 1930) dhe Elman Service (1915-1996).

Ata u pёrpoqёn tё formulonin njё teori tё vetme tё evolucionit kulturor duke e ndarё atё nё disa stade (konkretisht E. Service): shoqёritё gjuetarё-mbledhёse, tribale, cifdom dhe shoqёritё industriale. Nё veprёn e tij “Evolucioni dhe kultura”  (Evolution and culture, 1960) Sahlinsi e klasifikoi evolucionin e shoqёrive njerёzore nё dy lloje: evolucion i pёrgjithshёm dhe specifik.

Nga ana tjetёr, funksionalizmi ekologjik u pёrqёndrua nё pёrshtatjet kulturore qё ka formuar lloji njeri pёr t’iu pёrshtatur mjedisit dhe pёr ta shfrytёzuar atё nё mёnyrё eficente. Kjo shkollё e antropologjisё kishte si qёllim pёrcaktimin e mёnyrave se si praktikat kulturore lidhen me mjedisin fizik, teknologjik dhe ekonomik tё njё mjedisi tё caktuar natyror.

Pёrfaqёsuesi mё i njohur i funksionalizmit ekologjik ёshtё Marvin Harris (1927-2001) i cili pёrdori termin/paradigmёn materializёm kulturor pёr tё pёrshkruar qasjen e pёrmendur mё sipёr. Nё veprёn e tij tё botuar nё vitin 1968 “ Lindja e teorisё antropologjike: Njё histori e teorive mbi kulturёn”  ( The rise of anthropological theory: A history of the theories of culture) ai parashtroi paradigmёn e tij teorike dhe metodёn pёrkatёse shkencore qё duhet pёrdorur gjatё studimit tё sistemeve social-kulturore.

Ndёrkohё nё Europё, u formua njё grup tjetёr teoricienёsh tё vetёquajtur neomarksistё. Pёrfaqёsuesit e mendimit neomarksist ishin Maurice Goudelier (lindur 1934) dhe Claude Meillassoux (1925-2005) tё cilёt menduan tё aplikonin konceptet e Marksit nё studimin e shoqёrive paraindustriale. Nga ana tjetёr e oqeanit, nё Amerikё, Eric Wolf (1923-1999) u fokusua nё zhvillimin e kapitalizmit nё shoqёri tё ndryshme duke e vёnё theksin tek konfliktet qё lindin sёbashku me tё. Uolfi e kritikonte mendimin se kulturat mund tё analizoheshin si njёsi tё vecuara dhe tё pavarura. Ai ishte i interesuar mbi cёshtjet e konfliktit, dominancёs sё njё grupi ndaj njё grupi tjetёr dhe pёrvehtёsimin e pasurisё. Kёto cёshtje trajtohen me hollёsi nё veprёn e tij tё  rёndёsishme “Europa dhe njerёzit pa histori” (Europe and the people without history, 1982).   

Strukturalizmi Mendimi strukturalist nё antropologji lidhet ngushtё me emrin e Claude Levi-Strauss (1908-2009). Intelektuali i njohur francez u ndikua nga punimet e E. Dyrkaimit dhe M. Mosit dhe nga F. Sosyri e sidomos gjuhёtarit rus Nikollai Trubeckoi, prej tё cilit adoptoi nocionin e kontrasteve binare. Nё vijёmёsi dhe analogji tё mendimeve tё linguistёve tё mёsipёrm, në vitet 1940, Levi-Strosi propozoi se detyra e antropologut ishte zbulimi i njёsive themelore tё  kulturёs dhe mёnyrёs se si ato operojnё nё njё shoqёri. Ai pohonte se mendja njerёzore pёrbёhet nga njёsi themelore dhe kultura, si shprehje e tyre, shfaq njё model tё ngjashёm qё vёrehet nё tё gjitha shoqёritё njerёzore. Sipas tij, njёsitё themelore tё kulturёs mund tё zbuloheshin tek mitet apo folklori i shoqёrive tё lashta, të ashtuquajtura primitive, pasi kёto tё fundit, tё paprekura nga zhvillimet moderne, i ruajnё nё formёn e tyre mё fillestare kёto njёsi.

Nё veprat mё tё njohura tё Levi-Strosit si “Tropikё tё  trishtё” (Tristes Tropiques, 1955) dhe “Mendja e egёr” (La Pensee sauvage, 1962) ilustrohen mendimet e tij mbi antropologjinё si disiplinё  shkencore por dhe pikёpamjet strukturaliste mbi kulturёn dhe mendjen tek njeriu. Ashtu si Dyrkeimi, edhe Levi-Strosi pohonte se karakteristika kryesore e cdo kulturё ёshtё “tendenca” e mendjes njerёzore pёr tё kryer dallime nё formё  binare (i keq-i mirё, i bukur-i shёmtuar etj). Analizimi i miteve dhe aspekteve tё ndryshme kulturore nё kontekstin e tё  kundёrtave ёshtё nё  fokus tё mendimit strukturalist dhe sipas Levi-Strosit, analizimi dhe krahasimi i sa mё shumё kulturave do tё finalizohet me zbulimin e modeleve pёrgjithёsuese. Si pohuam, kёto modele janё tё pёrbashkёta pёr cdo kulturё njerёzore, pasi sipas tij, kultura është produkt i mënyrës së të menduarit tek njeriu.

Etnoshkenca dhe antropologjia konjitive Duke u bazuar nё mendimet e shprehura nga Levi-Strosi dhe gjuhёtarёt konjitivistё, nё vitet 1950 etnografёt ndёrtuan njё sistem tё ri metodologjik, i cili kritikonte metodat e mёparshme tё punёs nё terren. Ai njihet si etnoshkenca apo etnografia e re. Sipas tyre, tё dhёnat etnografike, janё pak tё besueshme pasi pёrshkrimet e kulturёs kanё natyrё subjektive dhe injorojnё realitetin kulturor, shprehje e pikёpamjes sё individёve tё asaj kulture. E thёnё mё thjeshtё ka rёndёsi qё etnografi tё kuptojё kategoritё konceptuale (tё quajura skema) tё vendasve pёr tё ndёrtuar nё mёnyrё mё tё plotё kuadrin kulturor gjate studimit. Pohimi i etnoshkencёs se kultura ёshtё njё tёrёsi modelesh mendore pёrbёn principin udhёheqёs metodologjik tё saj.

Antropologjia konjitive ёshtё e lidhur ngushtё me psikologjinё konjitive pasi edhe ajo studion proceset mendore.  Antropologёt konjitivё pohojnё se cdo kulturё pёrbёhet nga njё sistem organizacional unik qё mundёson tё kuptuarit e njё ngjarjeje, sjelljeje e kёshtu me rradhё. Pohimi se njerёzimi zotёron njё psikikё tё pёrbashkёt (procese tё pёrbashkёta mendore) ёshtё kriter udhёheqёs pёr shumicёn e antropologёve konjitivё. Ky ndryshim konceptual erdhi në vitet 1960 dhe 1970, pra mendimi se ekzistojnё procese universale konjitive, tё cilat janё pasqyrё e strukturave tё lindura qё ndodhen nё tru.

Ward Goodenough (1919-2013) ёshtё njё nga pёrfaqёsuesit mё tё njohur konjitivist  pasi nё artikullin e tij “ Analiza komponenciale dhe studimi i kuptimit”  (Componential analysis and the study of meaning, 1956) hodhi bazat metodologjike tё studimit tё sistemeve kulturore duke pёrdorur atё qё sot njihet si analizё e tipareve kulturore dhe pohoi se kultura ёshtё e pёrbashkёt pёr njё grup tё dhёnё individёsh. Nё vitin 1969 Stephen Tyler botoi veprёn “Antropologjia konjitive” nё tё cilёn pёrshkroi disa nga modelet qё ai besonte se ishin nё themel tё mendimit tek njeriu. Ai pohonte se qёllimi i tij ishte pёrcaktimi i proceseve themelore me anёn e tё cilave njerёzit klasifikonin informacionin. Punimi tashmё klasik nё antropologji i Harold C. Conklin (lindur në 1926) mbi klasifikimin dhe kategorizimin e ngjyrave i fisit Hanunoo (nё Filipine) ёshtё njё ilustrim i mirё i ideve tё shprehura nё antropologjinё konjitive. Nё vitet 1990, antropologjia konjitive u afrua mё sё shumti me psikologjinё evolucionare, e cila i ka fillesat punimet e Darvinit dhe i risoll nё vёmendje prej biologut amerikan e E. O. Wilson.  

Sociobiologjia  Kur nё vitin 1975 u botua libri “ Sociobiologjia: Njё sintezё e re” (Sociobiology: A New Synthesis) i Edward O. Wilson-it (lindur në 1929), shumё antropologё reaguan negativisht duke i konsideruar pikёpamjet e autorit si njё variant i ri i determinizmit biologjik. Po ashtu si nё shekullin XIX kur determinizmi biologjik pёrdorej pёr tё shpjeguar se pse p.sh disa individё kanё tendencё kriminale, me daljen e librit, mendohej se kёto konceptime do tё rishfaqeshin pёrsёri në publik dhe mjediset akademike. Nё tё vёrtetё, sociobiologjia ёshtё studimi sistematik i sjelljes sociale. Sociobiologjia arrin të shpjegojë se përse nё njё mjedis tё caktuar janё pёrzgjedhur ato tipare tё cilat kontribuojnё mё shumё nё mbijetesёn dhe riprodhimin e individёve dhe popullatёs. Sipas principeve të sociobiologjisë, ky fakt lidhet me lindjen dhe zhvillimin e strategjive tё pёrgjithshme tё sjelljes tё cilat ndikohen prej faktorёve biologjike. I tillё ёshtё rasti i fitnesit inkluziv (inclusive fitness).

Me fitnes inkluziv kuptojmё ato strategji tё individёve qё rrisin indirekt fitnesin e tyre nёpёrmjet formimit dhe lёnies sё pasardhёsve tё tyre, tё suksesshёm pёr tё mbijetuar dhe pёr tu riprodhuar. Njё koncept i lidhur me fitnesin inkluziv ёshtё seleksioni ndёr tё afёrmit (kin selection). Seleksioni ndёr tё afёrmit ruan dhe i jep pёrparёsi atyre individёve tё cilёt ndihmojnё nё suksesin riprodhues tё tё afёrmve tё tyre pёrmes kryerjes sё sjelljeve altruiste. Si merret me mend, sociobiologjia nuk i konsideron strategjitё riprodhuese, seleksionin ndёr tё afёrmit apo fitnesin inkluziv si sjellje ose procese tё ndёrgjegjshme. Sipas sociobiologёve, shpjegimi ёshtё i thjeshtё: gjatё evolucionit seleksioni favorizuan ata individё qё nuk praktikuan sjelljet e sipёrpёrmendura. Pёr rrjedhojё, mbijetuan individёt qё kanё predispozitat e mёsipёrme biologjike sic janё p.sh apo ndihma dhe deri vetёsakrifikimi pёr fёmijёt e tё afёrmit etj. Por jo tё gjithё studiuesit e pranojnё kontributin e sociobiologjisё nё shpjegimin e sjelljeve kulturore. Nё tё vёrtetё, sociobiologjia na ndihmon tё kuptojmё se sjelljet sociale janё rezultat i bashkёveprimit tё faktorёve biologjikё dhe kulturorё.  

Antropologjia interpretative/ simbolike  Njё drejtim tjetёr teorik nё disiplinёn e antropologjisё ёshtё dhe antropologjia interpretative qё studion proceset me anёn e tё cilave individёt i japin kuptim botёs sё jashtme dhe mёnyrёn se si ky realitet shprehet nё simbole. Pёrfaqёsuesi mё i rёndёsishёm i saj ёshtё Clifford Geertz (1926-2006). Vepra e tij “ Interpretimi i kulturave”  ( The interpretation of cultures, 1973) ёshtё njё dёshmi e mendimeve tё Geertz-it mbi kulturёn tё cilёn ai e pёrkufizon si  “njё sistem i trashёguar konceptimesh tё shprehura nё formё simbolike me anёn e tё cilave individёt arrijnё tё komunikojnё dhe tё zhvillojnё dijet e tyre pёr qёndrimet qё do tё mbajnё nё jetё apo konceptimet rreth saj”.

Njё pёrkrahёse tjetёr e metodës së analizimit tё kulturave nё kontekstin simbolik ishte dhe antropologja britanike Mary Douglas (1921 -2007) e cila nё veprёn e saj “Simbolet natyrore”  (Natyral symbols, 1970) paraqiti fillesat e teorisё kulturore tё riskut, njё mёnyrё pёr tё kuptuar se si anёtarёt e shoqёrisё formojnё gjykimet, tё cilat nuk ekzistojnё jashtё kontekstit social, pra ato janё tё kushtёzuara kulturalisht.

Si bie nё sy, pёrfaqёsuesit e antropologjisё simbolike fokusohen mё shumё tek simbolet se sa tek aspektet materiale tё kulturёs. Duke i parё simbolet kulturore si pasqyrim tё kushteve tё mjedisit, tё gjendjes ekonomike dhe nivelit teknologjik, antropologu simbolist pёrpiqet tё argumentoje se vlerat, besimet dhe pikёpamjet mund tё jenё krejt tё pavarura prej faktorёve materiale. Prej kёtej, rrjedh se sjellja tek njeriu nuk mund tё shpjegohet nёpёrmjet pёrdorimit tё metodёs shkencore. Sipas tyre, qёllimi i kёrkimeve dhe i studimeve ёshtё interpretimi i kuptimit tё simboleve nё kuadrin e pikёpamjeve dhe tё botёkuptimit tё njё shoqёrie tё caktuar. Kёshtu p.sh njё modё e caktuar si prerja e flokeve shndёrrohet nё njё metaforё, nё njё mesazh komunikimi.

Kritikat ndaj antropologjise simbolike vijnё nga fakti se ajo nuk merr parasysh kushtet dhe proceset qё lindin njё tipar tё caktuar kulturor. Kёta antropologё mёnjanojnё faktorё tё tillё si ekonomia dhe politika. Kultura nuk mund tё trajtohet si njё fenomen i pavarur dhe i vecantё prej kushteve historike, politike dhe ekonomike. Ёshte e qartё se shpjegimi i njё shoqёrie njerёzore dhe i veprimtarisё sё saj nuk mund tё reduktohet thjesht nё të kuptuarit dhe të interpretuarit e simboleve qё kjo shoqёri prodhon.

Teorite pasmoderniste Gjatё periudhёs pasmoderniste nё antropologji, e cila nisi nё vitet 1970, u vu nё pikëpyetje mendimi se shkenca dhe racionalizmi mund tё jepnin njё shpjegim tё vlefshёm mbi tё ashtuquajturin realitet. Argumentimi kryesor i dhёnё nga mendimtarёt ishte se ekzistojnё mёnyra tё ndryshme njohjeje tё botёs sё jashtme dhe se kёto mёnyra janё produkt i historisё specifike tё cdo kulture. Rrjedhimisht, studiuesit vecse mund tё krijojnё njohjeje tё pjesshme tё botёs (apo realitetit), dhe kjo njohje varet nga kulturat prej nga tё cilat ata vijnё dhe janё formuar.  E thёnё mё thjeshtё, realiteti ёshtё i ndёrtuar socialisht dhe njohja ёshtё relative. Dy nga pёrfaqёsuesit e kёtij “konceptimi” janё filozofi francez Michel Foucault  (1926-1984) dhe antropologu dhe sociologu francez Pierre Bourdieu (1930-2002).

M. Fukoja pohonte se marrёdhёniet sociale mes njerёzve karakterizohen nga dominimi dhe nёnshtrimi. Individёt dominues apo klasat shoqёrore dominuese kontrollojnё dhe pёrcaktojnё kontekstin ideologjik. Kёshtu, ajo cka quhet dije, nё tё vёrtetё ёshtё formuar nga individёt apo klasa dominante e njё shoqёrie tё caktuar. Ky mendim është artikuluar  fillimisht nga teoricieni marksist me origjinё arbëreshe Antonio Gramshi, i cili përdori nocionin e hegjemonisë kulturore për të përshkruar dominimin kulturor të një shoqërie nga klasa sunduese.

P. Burdjё vlerёsohet nё antropologji pasi koncepte e tij si format e shumёfishta tё kapitalit, habitus dhe fusha u pёrdorёn pёr tё shpjeguar fenomenet globaliste dhe vetё procesin e globalizimit. Pyetja themelore qё shtroi Burdjё ishte: Si ruhen dhe riprodhohen sistemet sociale? Ndryshe nga Marksi, ai mendonte se kultura, ashtu si kapitali ekonomik ёshtё njё formё kapitali dhe manifestohet nё forma tё shumta si p.sh nё mёnyrёn e tё folurit, shijet apo preferencat pёr njё formё tё caktuar arti, veshjeje etj. Ky kapital trashёgohet socialisht dhe ata qё kanё formёn mё tё “cmuar” tё kёtij kapitali, paracaktojnё normat e pёrgjithshme tё shoqёrisё. Kushtet sociale qё legjitimizojnё format e ndryshme tё kapitalit pёrbёjnё habitusin. Habitus i referohet brendёsimit tё pavetёdijshёm tё normave qё ka njё shoqёri dhe qё i ndihmon individёt e saj se si tё sillen nё njё kontekst tё caktuar kulturor. Kapitali ekonomik, kapitali social, kapitali kulturor, kapitali simbolik, kaptiali artistik, kapitali shkencor pёrbёjnё ato qё Burdjё i cilёsonte si fusha (p.sh fusha e kapitalit ekonomik) tё cilat janё njё rrjet ndёrkomunikativ i elementёve pёrbёrёs tё kapitaleve.

Si vihet re, pasmodernistёt ishin tё interesuar nё cёshtjet e dominancёs dhe pushtetit qё ushtrohet nga klasat apo individё tё caktuar tё cilёt legjitimojnё dhe imponojnё regjimin e tyre tё ideve.

Ndёr antropologёt e sotёm mund tё pёrmendim Vincent Crapanzano (lindur në 1939), Renato Rosaldo (lindur në 1941) dhe Arjun Appadurai (lindur në 1949). Ndoshta mё i njohuri nga tre antropologёt e mёsipёrm ёshtё Arjun Appadurai i cili huazoi konceptin e “fushёs” nga Burdjё pёr tё formuar konceptin e “peisazheve” ( landscape). Sipas tij ekzistojnё 5 lloje peisazhesh: etnoskejpet, mediaskejpet, teknoskejpet, financskejpet, ideoskejpet. Dimensionet e mёsipёrme pёrfshihen nё atё qё Apadurai e quan imagjinarja sociale e cila ёshtё tёrёsia e vlerave, institucioneve, ligjeve dhe simboleve qё ka njё shoqёri e caktuar. Nga ana tjetёr, duke marrё parasysh proceset globaliste qё ndodhin nё botёn e sotme, procese tё cilat ndikojnё nё teknologji, media, mjedis, ekonomi dhe kulturё, teoricienёt pasmodernistё krijuan forma tё reja studimore, nё pёrputhje me zhvillimet e shoqёrive postindustriale.

Si pёrmendem, libri i antropologut tё njohur globalist Eric Wolf, “Europa dhe njerёzit pa histori” ndёr tё tjera pohonte se etnografёt e sotёm duhet tё studiojnё proceset nё nivel lokal tё njё shoqёrie tё caktuar por duke mos injoruar proceset kulturore nё shkallё globale. Teoricienёt pasmodernistё e vënё theksin mbi tema tё tilla si pabarazia sociale dhe ekonomike, shpёrndarja e tё pabarabartё e tё ardhurave, zhvillimi i mediave dhe proceseve komunikuese, risitё teknologjike, mbishfrytёzimi i resurseve mjedisore, krijimi i korporatave multinacionale, imperializmi kulturor etj.    

Lexime tё mёtejshme:

Barnard, A. (2000). History and Theory in anthropology. Cambridge University Press. Njё libёr i detajuar dhe i plotё, ku ruhet linja historike e figurave dhe teorive kryesore nё antropologji. Pёrbёn njё tekst tё domosdoshёm pёr tu lexuar pasi konsiderohet njё nga veprat mё tё mira mbi historinё e teorive antropologjike.

Gordon, R. J., Lyons, H., Lyons, A. (2010). Fifty Key Anthropologist. Routledge. Pёr cdokёnd tё interesuar nё detajet autobiografike tё antropologёve,  ky ёshtё njё libёr mёse i pёrshtatshёm pёr t’u lexuar. Gjendet dhe nё formatin Kindle (Ebook) pёr cdokёnd i cili dёshiron tё lexojё nё tablet ose laptop.

McGee, R. J., Warms, R. (2011). Anthropological Theory: An Introduction, 5th Edition. McGraw-Hill. Ndoshta vepra mё e mirё mbi historinё e mendimit antropologjik, ky tekst shёrben pёr tё njohur punimet apo esetё e teoricienёve dhe antropologёve tё ndryshёm, tё cilat janё paraqitur edhe me komentet pёrkatёse tё autorёve. I domosdoshёm pёr tu lexuar dhe i rekomandueshёm jo vetёm pёr studentёt e shkencave sociale por edhe ato natyrore pasi pёrfshin shpjegimin e teorive si dhe shkrime tё biologёve evolutivё mё tё njohur tё ditёve tona.

Moore, D. J. (2012). Visions of culture: An Introduction to Anthropological Theories and Theorists . Altamira Press. Libri na ndihmon tё formojmё njё ide mbi teoritё dhe teoricienёt qё kanё shёnjuar disiplinёn e antropologjisё. I shkruar mё njё gjuhё tё thjeshtё dhe tё qartё.