Home » Te tjera

Category Archives: Te tjera

Mediat sociale në kohërat e agjentëve biologjike të terrorit

Koronavirusi i ri që u shfaq në provincën Vuhan në Kinë, ka pushtuar titujt në media dhe përhapja e tij së fundi në Itali, ka krijuar një klimë frike e ankthi dhe në vendin tonë.

Origjina e tij, përhapja e shpejtë dhe mosgjetja ende e një vaksine, i ka dhënë krahë teorive konspirative. Disa prej tyre, pretendojnë se koronavirusi është krijuar si armë biologjike për interesa të caktuara.

Duket se mendimet konspirative, i bëjnë deri diku jehonë përdorimit të agjentëve biologjike për kryerjen e sulmeve terroriste.

Bioterrorizmi ka të bëjë me prodhimin dhe përdorimin e qëllimshëm të agjentëve biologjikë, për të shkaktuar sëmundje deri vdekjen e njerëzve, bimëve dhe kafshëve.

Disa nga agjentët biologjikë më të përdorur janë bakteret, viruset dhe toksinat. Ato gjenden në natyrë, shpesh manipulohen gjenetikisht në laboratorë, fshihen dhe transportohen deri kur “lëshohen” në popullatë.

Historia e përdorimit të tyre nis herët, kur rreth 2500 vjet më parë, Asirianët helmuan puset e kundërshtarëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat aleate prodhuan en masse baktere që shkaktojnë sëmundjen e antraksit dhe të brucelozës, si dhe toksina që shkaktojnë botulizmin. Ndryshe nga japonezët, që infektuan puset në Kinë me bakteret që shkaktojnë kolerën, fatmirësisht, këta agjentë biologjikë nuk u përdorën prej Aleatëve.

Sulmet bioterroriste ka më shumë gjasë të realizohen me agjentë që gjenden rëndom në natyrë, shumohen lehtësisht në laborator dhe jetojnë për një kohë të gjatë. Një shembull janë bakteret që shkaktojnë antraksin, që lëshohen në ajër, hidhen në ujë e ushqime etj.

Nga ana tjetër, për antropologun e njohur Scott Atran, arsyet që i çojnë individët drejt kryerjes së sulmeve terroriste nuk lidhen domosdoshmërisht me problemet mendore nga të cilat ata mendohet se vuajnë. Arsyet nuk lidhen as me rekrutimet trushpëlarëse.

Sipas tij, fillimisht, individët brendësojnë besimet dhe vlerat, që përbëjnë shtyllat e një kauze të caktuar. Më pas, përmes identifikimit me to dhe grupin ku përfshihen, arrijnë të mendojnë dhe t’i finalizojnë në sulme terroriste. Thënë më thjeshtë, brendësimi, identifikimi dhe përkatësia në grup, shpjegojnë ndërmarrjen e sulmeve terroriste.

Në ditët e sotme, pasi web është pjesë e rëndësishme e sferës publike, një platformë për realizimin e këtyre tre proceseve janë mediat sociale.

Terroristët i përdorin mediat sociale për të manipuluar mendimet dhe emocionet e individëve. Propaganda përhapet dhe arrin lehtësisht shumë individë në rrjet. Për pasojë, rritet probabiliteti që ata të rekrutohen.

Si na bie në sy, nëse dikur, nevojiteshin muaj deri vite për të qenë pjesë e një grupi të caktuar terrorist, sot është më e thjeshtë. Mjafton të kesh internet dhe një mjet të lidhur me të.

Në rrjet, formimi i komuniteteve online me radikalë dhe komunikimi mes tyre me mesazhe të koduara, i jep dorë jo vetëm rekrutimit por dhe mobilizimit të mundshëm në të ardhmen. Në këtë mënyrë, tre proceset e përmendura nga Atrani amplifikohen deri kur arrin koha e finalizimit të tyre, në formën e sulmeve terroriste.

Një problem tjetër me mediat sociale është dhe prania e opsioneve që ato ofrojnë. Një nga shembujt është përdorimi i livestream video Facebook gjatë sulmit të një supremacisti të bardhë me bindje radikale të djathta, në një xhami në Zelandën e Re, në mars të vitit që kaloi. ‘Performanca” e tij terroriste, përfaqëson jo vetëm një mënyrë për tu shfaqur dhe tërhequr vëmendje por dhe një formë propagandimi in situ.

Në mënyrë përplotësuese, gjetja pa mundim dhe me çmim të lirë e agjentëve biologjikë dhe përdorimi i teknologjisë së lartë, shërben si shtysë për të finalizuar qëllimin, kryerjen e sulmit bioterrorist ndaj një masë të madhe njerëzish. Më problematik mbetet fakti që efekti i këtyre sulmeve, shfaqja e sëmundjes, mund të vonojë dhe terroristët nuk rrezikojnë të kapen e të dënohen.

Për herë të parë në histori, zhvillimi i mediave sociale, shoqëruar me tre proceset që përmend antropologu i njohur, sëbashku me lehtësinë e gjetjes dhe përdorimit të agjentëve biologjikë, ka krijuar një situatë komplekse.

Më së pari, masat për parandalimin e terrorizmit, lipset të përfshijnë kontrollin e mediave sociale ashtu si dhe të prodhimit të agjentëve biologjike.

Një masë që mori Facebook-u pas sulmit terrorist në Zelandën e Re ishte përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të diktuar dhe kufizuar postimet me përmbajtje terroriste në rrjetet sociale. Sipas rastit dhe shembujve në vende që u goditën prej sulmeve terroriste, deri dhe bllokimin e përkohshëm të mediave sociale./sapiens.al

Tё menduarit sistemik dhe kriza klimatike

Kriza klimatike pёrfaqёson kёrcёnimin kryesor pёr ekosistemet dhe shoqёrinё njerёzore. Njё prej mёnyrave pёr ta kuptuar atё ёshtё tё adoptosh tё menduarit sistemik. Kjo paradigmё pranon se fenomene tё ndryshme duhet tё kuptohen si njё tёrёsi elementёsh tё lidhura mes tyre. Kjo pasi fenomenet dhe dukuritё janё sisteme qё pёrbёhen nga elementё qё ndёrlidhen dhe bashkёveprojnё mes tyre.

Sistemet mund tё jenё tё thjeshtё ose kompleksё. Njё sistem i thjeshtё pёrbёhet nga pak elementё, komponentё apo pjesё. Veç kёsaj, nё sistemet e thjeshta, sjellja e çdo komponenti nё pёrbёrje tё kёtij sistemi ёshtё plotёsisht e kuptueshme dhe e parashikueshme. Njё sistem i thjeshtё me pak komponentё mund tё pёrshkruhet, bie fjala, rёnia e njё objekti nga lart. Nё kёtё rast, ky sistem ka tre komponentё: objektin, ajrin dhe forcёn e rёndesёs ose gravitetin.

Gjithashtu, nё kёtё sistem ёshtё e kuptueshme dhe e parashikueshme sjellja e komponentit ose objektit qё bie nga lart. Sot kjo rёnie e objektit nuk paraqet ndonjё gjё pёr tё menduar por njё rёnie e tillё, e nxiti Njutonin qё tё zbulojё forcёn e rёndesёs.

Nga ana tjetёr, pёrshkrimi i njё sistemi tё thjeshtё, na bёn tё mendojmё se natyra dhe shoqёria njerёzore pёrbёhet nga shumё komponentё dhe pёr mё tepёr, njeriut i duhet tё bashkёveprojё me kёta komponentё, duke i njohur ata si pjesё e sistemeve ku ai bёn pjesё.

Njeriu nё çdo hap tё jetёs sё tij ndeshet me sisteme komplekse ose me sisteme qё pёrbёhen nga shumё komponentё. Edhe njё fёmijё i sapolindur e kupton se ёshtё i lidhur me nёnёn e tij, me ushqimin qё pret prej saj, me zёrin e saj, tё babait, tё tё afёrmve tё tjerё, me dritёn, me tё ngrohtin dhe tё ftohtin ….

Prej kёtej, kuptojmё se familja dhe shoqёria janё sisteme komplekse. Gjithashtu, sisteme komplekse janё truri, organizmat e gjallё dhe lidhjet e tyre me mjedisin. Pra, njeriu ёshtё pjesё e sistemeve komplekse dhe atij i duhet t’i njohё ato.

Cilat janё disa shembuj tё sistemeve komplekse? Ato i hasim nё mёnyrёn se si shpendёt migrues grupohen, se si bletёt i komunikojnё njёra- tjetrёs burimin e ushqimit, se si njerёzit formojnё rrjetet sociale, si formohet njё flokё bore, njё dunё rёre, njё turbulencё e ujёrave nё njё lumё….

Pёr tё gjitha rastet e sipёrpёrmendura kёrkohet njё shpjegim teorik, tё cilin shkencёtarёt, si gjithmonё, e kёrkojnё fillimisht nё mendimet e paraardhёsve tё tyre.

Çfarё nёnkuptonte, mbi dy mijё vite mё parё, Aristoteli kur shkruante se e tёra ёshtё mё shumё se sa shuma e pjesёve tё saj? Si lind kjo sjellje e sё tёrёs kur ajo nuk gjendet nё asnjё komponent tё saj?

Ёshtё bёrё e njohur se nё sistemet komplekse nuk ka njё lidhje pёrputhёse midis shkakut dhe pasojёs ose efektit. Nё shkencat klasike pranohej se njё shkak me pёrmasa tё vogla shkakton po njё efekt tё vogёl. Nё tё mirё tё kёtij mendimi janё tё dhёnat e mekanikёs nё fizikё. Po kёshtu, nё biologji ёshtё pranuar pёr njё kohё tё gjatё se i njёjti shkak prodhon tё njёjtin efekt nё tё gjithё individёt e njё lloji.

Studimet nё shkencat e kompleksitetit treguan se nё sistemet komplekse ndodh shpesh qё njё ngjarje e vogёl tё bёhet shkak pёr njё ndryshim tё madh. Pёr kёtё arsye ёshtё pranuar se lidhja shkak- pasojё nё sistemet komplekse nuk ёshtё lineare. Natyra jo lineare ёshtё njё veçori e sistemeve komplekse.

Tipari tjetёr i sistemeve komplekse ёshtё i lidhur me konceptin e emergjencёs dhe vetё-organizimit.

Me emergjencё kuptojmё lindjen e njё tipari tё ri ose tё njё sjelljeje tё re nё nivelin makroskopik, si rezultat i bashkёveprimeve nё nivelin mikroskopik alias nё nivelin e komponentёve qё janё pjesё e sistemit kompleks. Pёr shembull, formimi i moduleve si njёsi funksionale nё organizmat e gjalla ёshtё njё proces vetёorganizues qё karakterizohet nga lindja e njё strukture ose sjellje e re, tё panjohur dhe vёrejtur mё parё.

Por ngjarje emergjente nuk ndodhin vetёm tek organizmat e gjalla. Ngjarje emergjente ndeshen nё shoqёrinё njerёzore dhe nё natyrё. Shembuj janё boom-i nё tregun global financiar dhe ciklonet.

Studimet nё sistemet komplekse kanё filluar rreth shtatё dekada mё parё nё  matematikё, fizikё, kibernetikё, shkencat konjitive dhe meteorologji. Kohёt e fundit, ato janё shtrirё nё ekologji dhe nё shkencat sociale. Rezultatet tregojnё se nё sajё tё studimeve me anё tё teorive dhe metodave tё shkencave tё kompleksitetit, janё hapur shtigje tё reja pёr tё kuptuar nё mёnyrё holistike, natyrёn dhe shoqёrinё. Thёnё ndryshe, qasja ndaj sistemeve duhet tё jetё holistike dhe jo e bazuar nё reduksionizmin shkencor tё Dekartit.

Nga ky kёndvёshtrim, tё kuptuarit e krizёs klimatike duke u bazuar nё tё menduarit sistemik, qё pranon ekzistencёn e sistemeve komplekse, mund tё na ndihmojё tё zgjidhim problemin mё tё rёndёsishёm adaptiv qё lidhet me mbijetesёn e ekosistemeve dhe shoqёrisё njerёzore.

Si mund ta ndalojmё piraterinё biologjike?

Konventa pёr Diversitetin Biologjik (1992) dhe Protokolli i Nagojas (2010) mund tё krijojnё kushtet pёr ruajtjen e resurseve natyrore dhe dijeve tradicionale ekologjike tё lidhura me to edhe nё Shqipёri

Pirateria biologjike i referohet shfrytёzimit tё resurseve natyrore dhe dijeve tradicionale ekologjike tё njerёzve qё jetojnё kryesisht nё vendet nё zhvillim. Njё shembull  shfrytёzimi mund tё jetё njё kompani farmaceutike qё zhvillon dhe shet ilaçe duke pёrdorur bimёt dhe dijet tradicionale ekologjike tё vendasve pёr tё nxjerrё fitime. Nё rastin e bimёve mjekёsore, pёrfshirja e protokolleve tё komunitetit nё legjislacionin kombёtar shёrben si masё ndaj shfytёzimit. Komunitetet mbrohen nga pёrfitimet prej shoqёrive farmaceutike, qё synojnё tё zhvillojnё produkte tё bazuara nё resurset vendase natyrore dhe dijet tradicionale tё lidhura me to.

Realizimi i njё protokolli tё komunitetit pёr ruajtjen e bimёve mjekёsore mundёson formimin e marrёveshjeve tё drejta mes komunitetit qё i njeh dhe i pёrdor ato dhe kompanive farmaceutike. Nё kёtё mёnyrё, fitimet e kompanive farmaceutike duhet tё ndahen me vendasit, pasi resurset dhe dijet e tyre pёrdoren pёr prodhimin e ilaceve.

Nё Shqipёri, dijet etnomjekёsore dhe pёrdorimi i bimёve pёr qёllime shёronjёse ka njё historik tё gjatё. Mjeku i lashtё grek Dioskoridi shkruante se mbreti ilir Genti ishte i pari qё identifikoi vetitё shёronjёse tё rrёnjёve tё bimёs Gentiana. Familja Gentianaceae u emёrtua nё nder tё tij dhe pёrfshin 160 lloje. Gjatё Perandorisё Osmane, xherahёt njihnin vetitё kuruese dhe pёrdornin bimё tё tilla si hithra, lulebasani, lulёkuqja, mullaga etj. pёr tё trajtuar sёmundje ose pёr tё shёruar plagё tё ndryshme.

Megjithё ndёrtimin dhe pёrmirёsimin e infrastrukturёs spitalore gjatё kohёs sё A. Zogut dhe komunizmit, dijet etnomjekёsore dhe pёrdorimi i bimёve mjekёsore, sidomos nё zonat rurale, u ruajtёn dhe pёrcollen nё brezat pasardhёs. Gjatё komunizmit, botanistёt dokumentuan tё paktёn 310 lloje bimёsh mjekёsore dhe aromatike. Kёto tradita ruhen pjesёrisht edhe sot; humbja e tyre i detyrohet lёvizjeve demografike dhe ndryshimeve tё mёdha socio-ekonomike qё ngёrthyen shoqёrinё tonё paskomuniste.

Pas viteve 2000, janё realizuar njё sёrё studimesh etnobotanike ku janё dokumentuar dijet tradicionale nё lidhje me pёrdorimin e bimёve mjekёsore nё zona tё ndryshme nё Shqipёri. Trashёgimia natyrore e vendit e shprehur nё dijet dhe praktikat tradicionale shёronjёse, sidomos nё zonat rurale, ka rёndёsi shkencore praktike dhe ekonomike.

Nё suazёn e Protokollit tё Nagojas, realizimi i regjistrit kombёtar tё dijeve tradicionale ekologjike ku pёrfshihen dhe ato etnomjekёsore duke u bazuar nё barkodet e kёtyre bimёve, sёbashku me protokollin e njё komuniteti tё caktuar, mund tё ndihmojnё nё ruajtjen dhe pёrdorimin e qёndrueshёm tё tyre. Mё e rёndёsishmja, kёto dy hapa mund tё parandalojnё shfrytёzimin jo konsensual duke ndihmuar ekonomikisht njohёsit e kёtyre praktikave etnomjekёsore.

Burime:

Minga Gj. (2009). Historia e kujdesit shëndetësor dhe mjekësisë Shqipëtare. Tiranë.

Papadhopulli, G. (1976) Bimët Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë.
Tirane: Shtëpia botuese “8 Nëntori”.

Shefer-Mossensohn, M. (2011). A Sick Sultana in the Ottoman Imperial Palace: Male Doctors, Female Healers and Female Patients in the Early Modern Period. Journal of Women of the Middle East and the Islamic World 9 (3), 281–312.

Prej Darvinit tek Inteligjenca Artificiale

Lajmet e rreme, si informacione tё fabrikuara sёbashku me keqinformimin dhe dezinformimin, janё analoge me sjelljen e viruseve: pёrhapja e tyre kёrkon njё bujtёs qё nё ditёt e sotme mundёsohet prej teknologjisё. Sistemet e Inteligjencёs Artificiale, si modeli GPT-2, krijojnё lajme tё rreme nё rrjetet sociale. Tё vendosur pёrballё kёtij realiteti teknologjik, pёr antropologun e Inteligjencёs Artificiale Iyad Rahwan, lind nevoja e studimit tё sjelljes sё sistemeve tё Inteligjencёs Artificiale. Njё prej mёnyrave ёshtё pёrmes pёrdorimit tё metodave evolucionare.

Biologёt i studiojnё sjelljet e organizmave tё gjallё duke marrё parasysh funksionin e njё sjelljeje tё caktuar, mёnyrёn se si ajo zhvillohet sёbashku me funksionin qё ajo ka si dhe historikun e saj nё kohё. Me historik, biologёt nёnkuptojnё evolucionin e njё sjelljeje brez pas brezi. Ashtu si biologu, qё vёzhgon sjelljen e njё organizmi nё natyrё, tё studiosh sjelljet e vёzhgueshme tё agjentёve inteligjentё do tё thotё tё kuptosh bashkёveprimin qё ata kanё mes njёri tjetrit dhe me pёrdoruesit.

Tek makinat, sjellja ёshtё produkt i pёrpunimit tё tё dhёnave nё sajё tё aplikimit tё algoritmeve, pёr tё nxjerrё njё rezultat tё caktuar dhe bazohet nё tё mёsuarit dhe rrjetёzimin e informacionit. Por me prirjen drejt formimit tё algoritmeve komplekse, publiku do e ketё mё tё vёshtirё tё pikasё lajmet e rreme. GPT-2 dhe videot deepfake si shprehje tё Inteligjencёs Artificiale, janё vetёm dy nga shembujt qё ilustrojnё zhvillimin aktual teknologjik.

Pasojat e lajmeve tё rreme pasqyrohen nё politikё dhe ekonomi duke kёrcёnuar demokracinё dhe transformuar rendin ekonomik.

Kёshtu, skandali politik me Facebook- Cambridge Analytica qё ndodhi nё fillimet e vitit 2018, i bёri njerёzit tё rimendojnё privatёsinё e tyre nё Facebook kur “Cambridge Analytica” esktraktoi informacionet personale tё pёrdoruesve dhe i  shfrytёzoi pёr tё krijuar psikografitё e tyre. Targetimi me lajme tё rreme i grupeve nё rrjete sociale mendohet se luajti rol tё konsiderueshёm edhe gjatё fushatёs sё Brexit.

Psikografitё janё tё vlefshme edhe nё rastin e marketingut. Nё termat e fitimit ekonomik, oligarkia e bazuar nё data, pёrdor dhe orienton pjesёn tjetёr tё popullsisё drejt pёrfitimit vetjak. Ky shqetёsim ёshtё artikuluar prej studiueses Shoshana Zuboff nё librin e saj “Epoka e Kapitalizmit tё Mbikqyrjes”. Korporata tё tilla si Google dhe Facebook bazohen nё shfrytёzimin e sjelljeve qё parashikohen prej pёrdorimit tё algoritmeve. Sipas saj, ekstraktimi dhe pёrdorimi i tё dhёnave pёr tё parashikuar nevojat tona ekonomike, shёnon njё fazё tё re tё kapitalizmit.

Zhvillimi teknologjik qё mundёsoi Internetin dhe shёrbime tё ndryshme qё ofrohen nё tё, p.sh rrjetet sociale, shfaq disa anё tё errёta, si pёrhapja e lajmeve tё rreme. Njohja dhe studimi i sjelljeve tё agjentёve inteligjentё nuk mund tё realizohet vetёm prej njohjes sё kodit tё makinave. Qё tё kuptosh sjelljen e Inteligjencёs Artificiale lipset njё qasje ndёrdisiplinore, ku pёrfshihen dhe metodat evolucionare. Kjo pasi, njё nga kurat kundёr virusit tё lajmeve tё rreme ёshtё pёrdorimi i teknologjisё, pёr tё krijuar modele qё i luftojnё ato.  

Burime:

Rahwan, I., Cebrian, M., Obradovich, N., et al. (2019). Machine behavior. Nature, 568: 477-486.

Pёrballja me lajmin e rremё shkencor

Nё librin “21 Leksione pёr shekullin e 21” historiani i mirёnjohur izraelit Yoval Noah Harari shkruan se njeriu ёshtё njё lloj i epokёs sё “post-tё vёrtetёs” sepse karakteristika e tij kryesore ёshtё aftёsia pёr tё krijuar dhe pёrhapur trillime. Pёrgjatё prehistorisё dhe historisё sё njeriut, krijimi dhe ndarja e tyre me njerёz tё tjerё i kanё ndihmuar shoqёritё njerёzore tё rrisin bashkёpunimin mes njёra tjetrёs, pёr tё zgjidhur si duhet problemet adaptive.

Arsyetimi i Hararit gjen shprehje nё epokёn e sotme dixhitale, ku pёrfundimet e mbёshtetura mbi fakte sa vijnё e vihen nё dyshim prej besimeve tё bazuara nё pёrvojёn tonё vetjake dhe emocioneve. 

Pёrhapja e trillimeve, qё sot njihen si lajme tё rreme, po arrihet lehtёsisht dhe me shpejtёsi pёrmes Internetit dhe rrjeteve sociale. Nga moria e shembujve qё rrezikojnё mbijetesёn tonё, pёr tu pёrmendur, janё dyshimet e publikut mbi krizёn klimatike dhe sigurinё e pёrdorimit tё vaksinave.

Prej njё studimi tё botuar nё korrik tё kёtij viti nё revistёn shkencore Frontiers in Communication rezultoi se mesazhet mbi ndryshimet klimatike qё pёrcillnin 107 video tё publikuara nё YouTube, nga 200 video me tematikё tё ngjashme tё analizuara, binin nё kundёrshtim me mendimet e pranuara gjerёsisht ndёr shkencёtarё. Si merret me mend, video me pёrmbajtje tё tillё pseudoshkencore, janё tё pёrputhshme me mendimet e njё pjese tё publikut lidhur me pasojat e krizёs klimatike qё ka ngёrthyer njerёzimin.

Nga ana tjetёr, pёrhapja nё rrjet e dyshimeve mbi sigurinё e vaksinave prej njerёzve dhe grupeve anti-vaksinё po rrezikon njё aspekt tjetёr tё mbijetesёs, shёndetin e popullatёs. Qё kur njё artikull pseudoshkencor, qё parashtronte lidhjen mes autizmit dhe vaksinёs MMR, mori vёmendje mediatike rreth dy dekada mё parё, frika e paarsyeshme ka pushtuar njerёzit duke u materializuar nё vendimarrje tё pashёndetshme. Lёvizjet anti-vaksinё vazhdojnё tё pёrhapin dyshime mbi sigurinё e vaksinave pёrmes rrjeteve sociale dhe numri i fёmijёve tё pavaksinuar ёshtё rritur.

Polarizimi i publikut mbi kёto dy çёshtje mundёsohet edhe nga pёrhapja e trillimeve prej politikanёve pёrmes rrjeteve tё tyre sociale. Mёnyra se si ne e kuptojmё njё informacion tё caktuar shkencor pёrputhet me besimet dhe qёndrimet tona personale. Nё kёtё kuptim, ne pranojmё dhe mbajmё mend, ato lajme qё janё tё pёrputhshme me bindjet politike. Thёnё ndryshe, disa nga trillimet e politikanёve, pёrforcojnё besimet dhe qёndrimet tona.

Ashtu si magjistari Çipola, tek novela e Nobelistit gjerman Tomas Man “Mario dhe Magjistari”, politikanёt pёrdorin ndjeshmёritё e publikut pёr tё ushtruar kontroll ndёrsa disa herё, janё pasqyrё e besimeve dhe qёndrimeve tё tij. Ky “efekt i Magjistarit”, qё shoqёrohet fillimisht me habi, mё pas dyshime dhe deri kontroll tё magjistarit mbi vullnetin e lirё tё publikut, minon besueshmёrinё e publikut ndaj autoritetit shkencor.

Nё ndryshim nga trillimi qё merr pёrmasa fatale nё novelёn e Manit, tё rёnit pre e retorikёs populiste dhe lajmeve tё rreme shkencore mund tё shmangen duke marrё tё tjera masa. Si fillim, gazetarёt dhe shkencёtarёt duhet tё bashkёpunojnё fort mes tyre pёr tё siguruar cilёsinё e lajmit shkencor. Po ashtu, vetё shkencёtarёt duhet tё ngrenё zёrin kur hasin lajme me pёrmbajtje tё rreme shkencore nё media. Angazhimi i tyre publik dhe pёrdorimi i rrjeteve sociale pёr pёrhapjen e lajmit shkencor, mund tё rrisё besimin e publikut tek vetё shkenca. Nё kёtё mёnyrё, ne do tё jemi tё “imunizuar” ndaj lajmeve tё rreme shkencore, qё tё mёsojmё tё pёrballemi dhe tё zgjidhim si duhet problemet qё rrezikojnё mbijetesёn tonё.

Burime:

Allgaier, J. (2019). Science and environmental communication on YouTube: Strategically distorted communications in online videos on climate change and climate engineering. Frontiers in Communication. http: //doi.org/10.3389/fcomm.2019.00036

Hopf, H., et al. (2019). Fake science and the knowledge crisis: ignorance can be fatal. Royal Society Open Science. http: //dx.doi.org/10.1098/rsos.190161

Murphy, G., et al. (2019). False memories for fake news during Ireland’s abortion referendum. Psychological Science. http: //dx.doi.org /10.1177/0956797619864887

I nxehti i njё qyteti

Ndryshimet klimatike po ndikojnё cilёsinё e jetёs sё njerёzve nё qytete. Fundi i qershorit shënoi temperatura të larta e të pazakonta në qytete tё ndryshme nё Francë, Gjermani, Poloni, Zvicër dhe Republikën Çeke.

Vdekjet e shkaktuara prej të nxehtit prekin më së shumti fëmijët dhe të moshuarit. Të rrezikuar janë dhe njerëzit që vuajnë prej sëmundjeve kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes. Vala e të nxehtit që goditi Evropën në vitin 2003 shkaktoi vdekjen e rreth 70 mijë personave. Në të ardhmen, numri i viktimave prej temperaturave të larta, pritet të rritet.

Meqenëse valët e të nxehtit do të shpeshtohen, njerëzit që jetojnë në qytete do të vuajnë më shumë. Kjo pasi,  nxehtёsia e qytetit “zihet nё kurth” prej betonit dhe asfaltit. Thёnё ndryshe, ka njё ndryshim tё madh mes temperaturёs nё qytet dhe nё rrethinat e tij.

Në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë u zhvendos drejt zonave urbane dhe qyteteve të mëdha si Tirana, në kërkim të një jete më të mirë. Në Tiranë, urbanizimi u shoqërua me ndërtime të pakontrolluara dhe zaptim të hapësirave të gjelbra. Kështu, në gati tre dekada, iu hap rrugë betonizimit dhe reduktimit të parqeve ose hapësirave të tjera të lira të qytetit të dikurshëm.

Në kushtet e sotme, një zgjidhje sado e këtij problemi do të ishte kontrolli i planifikuar i ndërtimeve,  mbjellja e pemëve dhe shtimi i parqeve, sidomos në zonat e mbipopulluara. Gjithashtu, për shkak të vazhdimit të trendit të ndërtimeve, njё zgjidhje e dёshiruar afatshkurtёr do të ishte ndërtimi i tarracave të gjelbra si dhe lyerja me ngjyra të hapura e ndërtesave dhe rrugëve.

Tejet shqetësues për studiuesit është fakti se valët e të nxehtit dhe cilësia e ulët të ajrit janë të lidhura mes tyre. Në mos veç e veç, të kombinuar së bashku, këto dy faktorë ndikojnë në shëndet. Nga kërkimet për ndotjen e ajrit ka rezultuar se ajri me prani të lartë dioksidi karboni dhe squfuri shkakton sëmundje të mushkërive. Sipas Indeksit të Ndotjes për vitin 2019, Tirana klasifikohet një ndër qytetet më të ndotura në Botë. Masat qё duhen marrё pёr pёrmirёsimin e cilёsisё sё ajrit nё Tiranё nuk duhen mbetur në letër. Ato duhet tё jenё tё vendosura e tё menjёhershme. Kjo pasi në zonat urbane ku temperaturat dhe niveli i ndotjes janë të larta, edhe vdekshmëria është e lartë.

Zgjidhja e këtij problemi, do të ishte ulja e nivelit të ndotjes në qytet, në sajë të vendimarrjeve të gjelbra politike. Zvogëlimi i gjurmës së karbonit në qytet mund të arrihet përmes përmirësimit të mëtejshëm të transportit publik, optimizimit të eficensës së energjisë në ndërtesa dhe përdorimit të paneleve diellorë. Këto janë vetëm disa nga masat që mund të merren në nivel lokal. Ama rol vendimtar luajnë edhe kërkesat e qytetarëve ndaj politikbërësve.

Në kushtet e zhvillimit të pakontrolluar për gati tre dhjetëvjeçarë, në mënyrë që qyteti të jetë i jetueshëm, lind nevoja për marrjen e masave në dobi të shëndetit të qytetarëve. Këto masa, lipset të jenë të përputhshme me trendin e gjelbër, që vendimarrёsit tanë politikё duhet ta përqafojnë dhe ta pёrfshijnё nё axhendёn e tyre. Nё tё kundёrt, qytetarёt e Tiranёs por dhe tё qyteteve tё tjera nё Shqipёri, qё nё tё ardhmen do vazhdojnё tё pёrjetojnё egёrsisht valёt e tё nxehtit, do tё vuajnё pasojat e pritshme.

Kultura e gjelbër

Në një nga anketimet e kryera në vitin 2008, si pjesë e një studimi mbi dijet etno-ekologjike dhe folkbiologjike te shqiptarët, u kërkoja të anketuarëve të rendisnin sipas rëndësisë, nga shkalla 1 deri në 6, gjashtë problemet kryesore të mjedisit: prania e mbeturinave në qytet, zënia e tokës me ndërtime, prerja e pyllit, shkretimi i tokës, ndotja e ajrit nga makinat dhe humbja e diversitetit biologjik.

Nga anketimi rezultoi  se 95 për qind e maturantëve që jetonin në fshat, 20 të tillë, vlerësonin si problemin parësor të mjedisit prerjen e pyllit ndërsa vetëm 1 në 28 gazetarë dhe 1 në 18 profesorë të anketuar e rendisnin në vend të parë këtë problem. Nga ana tjetër, 50 për qind e maturantëve të qytetit, gazetarëve dhe profesorëve, vlerësonin si problemin kryesor praninë e mbeturinave në qytet.  

A është problemi i prerjes së pyllit  më i rëndësishëm krahasuar me problemin e pranisë së mbeturinave në qytet dhe anasjelltas? Po përse nuk është më i rëndësishëm, bie fjala, problemi i shkretimit së tokës ose problemi i erozionit? Dikush tjetër mund të pohojë se problem kryesor është humbja e diversitetit e kështu me rradhë.

E thënë më thjeshtë, problemi qëndron se mbi ç’kritere duhet të bazohemi në përcaktimin e problemit kryesor mjedisor dhe në ç’mënyrë duhet të formësohet publiku që të pikasë problemin më të rëndësishëm mjedisor. Perceptimet kulturore në lidhje me problemet kryesore të mjedisit, janë tipike për shoqëri të ndryshme dhe ndikimi i medias në formësimin e tyre është i konsiderueshëm, për nga vetë shkalla e rëndësisë së medias në shoqërinë e sotme të informacionit.

Gjendja mohuese e publikut (state of denial) apo informimi i pjesshëm i tij prej medias mbi çështjet që prekin mjedisin, përfshirë dhe mjedisin në Shqipëri është sot një problem që lidhet jo vetëm me nevojën e njohjes së këtij të fundit por edhe me ndërgjegjësimin e vetë publikut mbi rëndësinë  e ruajtjes së tij. Epoka e Antropocenit lidhet me ndikimin sa vjen e në rritje të sjelljeve shfrytëzuese ndaj mjedisit prej njeriut, sjellje që “luhasin” ekosistemet natyrore. Nga ky këndvështrim, ndikimi i drejtëpërdrejtë i njeriut në mjedis dhe alterimi i këtij të fundit, që kulmon në krijimin e të ashtuquajturit mjedis artificial, shprehet në lindjen e problemeve mjedisore, të cilat nuk duhen kuptuar vetëm nga specialistët mjedisorë por edhe nga publiku.

Njohja e publikut me problemet mjedisore, realizohet veçanërisht me anë të informimit mediatik, i cili sendërtohet prej aradhës së gazetarëve mjedisorë ose të gjelbër.

Gazetaria mjedisore ose gazetaria e gjelbër, ka të bëjë me identifikimin, raportimin dhe përcjelljen te publiku, të çështjeve mjedisore që prekin shoqëritë njerëzore në ditët e sotme. Në mënyrë të përmbledhur, nga moria e temave që trajton, ajo përqëndrohet më së shumti në ngrohjen globale dhe ndikimin e saj në habitatet natyrore si dhe në evokimin e ruajtjes së biodiversitetit ose shumëllojshmërisë së botës së gjallë.

Komunikimi i të ashtuquajturit informacion mjedisor drejt publikut përfaqëson detyrën e parë dhe themelore të gazetarit mjedisor. Zanafilla e këtij  informacioni gjendet për shembull, në shkrimet e natyralistit amerikan H. D. Thoureau, i cili evokonte respektin ndaj natyrës: jetesën e ekuilibruar në dobi të ruajtjes së resurseve natyrore.

Sot, ky tip informacioni ekziston në mjedisin virtual dhe është po ashtu përgjegjës për formësimin e tipareve kulturore të çdo grupi shoqëror. Nga ana tjetër, forma dhe përmbajtja e informacionit mjedisor ndikon në mënyrat e jetesës: ato sjellje që kryejnë individët, pjesë e një sistemi të caktuar sociokulturor, ndaj mjedisit natyror.

Fabrikimi i modeleve mentale në lidhje me njohjen mjedisore realizohet edhe nga media e sjelljet rrjedhimisht, janë produkt i modelit apo tërësisë së modeleve mentale mediatikisht të krijuara, karakteristike për çdo shoqëri. Për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit në masë mbi problemet që shkakton njeriu- në sajë të veprimtarisë së tij teknologjike apo perceptimeve të mangëta mbi habitatin natyror, pasojë e sistemit socio-kulturor ku individët bëjnë pjesë- gazetarët mjedisorë fare mirë mund të cilësohen edhe si aktivistë të ruajtjes së habitateve natyrore.

Shqetësimet e gazetarëve mjedisorë mbi problematikat e sotme- mjafton të përmendim këtu p.sh ndotjen e ajrit 35 herë më shumë se norma e lejuar në Pekin – janë mëse të drejta dhe veprimtaria e tyre shpeshherë merr trajtat e një aktivizmi shoqëror. Nga ky këndvështrim, axhendat politike të qeverive që kanë në qendër të tyre politikat që lidhen me mjedisin, janë pjesë e shfaqjes virtuale (kupto: mjedisi mediatik) në formë raportimi dhe analize prej gazetarëve mjedisorë. Ato duhet të bazohen jo vetëm në perceptimet kulturore të një komuniteti të caktuar gjatë raportimit të një lajmi por edhe të pasqyrojnë shqetësimet që prekin një shoqëri të caktuar.

Në këtë kontekst, adresimi i shqetësimeve dhe emërtimi i tyre shprehet në nismat ligjore që ndërmarrin qeveri të ndryshme. Kina, si emëtuesi më i madh botëror i karbonit, ka prioritare  promovimin e civilizimit ekologjik – rikthimi i marrëdhënies së njeriut me Natyrën- si axhendë politike e nisur në qershor të vitit 2014 nga  kryeministrit Li Keqiang, i cili e sheh këtë tip civilizimi si një filozofi të re të sjelljes me mjedisin. Kjo axhendë ka si synim luftën mbi ndotjen e ajrit, nënkuptuar, zvogëlimin e emëtimit të dioksidit të karbonit në ajër deri në vitin 2030. Ajo përputhet dhe me shqetësimin e shprehur në masën 70 për qind të kinezëve mbi ndotjen e ajrit dhe ujrave në vendin e tyre.

Nga ana tjetër, thirrjet e vazhdueshme të Presidentit Obama në Amerikë, por dhe të kandidatëve demokratë, si B. Sanders dhe H. Klinton, për uljen e emëtimit të karbonit, theksojnë pasojat e ngrohjes globale. Politikat e gjelbra të Obamës, synojnë uljen deri në një nivel 30 për qind të emëtimit të karbonit në Amerikë deri në vitin 2030.

Si vihet re, shoqëria kineze ka shqetësim parësor ndotjen e ajrit ndërsa duket se shoqëria amerikane ngre shqetësime mbi pasojat e ngrohjes globale. Politika ndërmerr nisma ligjore të cilat trajtohen mediatikisht dhe arrijnë një audiencë të caktuar kulturore. Si një kaskadë informacion-shkak-pasojë, publiku ekstrakton një pjesë të informacionit mjedisor me anë të medias dhe politika, si përgjigje ndaj shqetësimit publik, ndërmerr nisma mbrojtëse ndaj mjedisit.

Protestat e zhvilluara në prag të Konferencës për Ndryshimet Klimatike që u mbajt në Paris këtë vit janë dëshmi e shqetësimit gjithmonë e në rritje dhe ndërgjegjësimit të njerëzve lidhur me pasojat destabilizuese, në plan social e ekonomik, të ndryshimeve klimatike.

Pavarsisht nismave ligjore nga organet shtetërore, respekti për biodiversitetin dhe mosnjohja e faktorëve që ndikojnë në ngrohjen globale, janë ndoshta pasojë e nivelit të ulët të inteligjencës ekologjike te shqipëtarët. Por nuk jemi vetëm. Sipas të dhënave të vitit 2015 nga Gallup, lidhur me seriozitetin e gjendjes së ngrohjes globale që paraqitet në media, vetëm 35 për qind e amerikanëve mendojnë se ngrohja globale është e nënvlerësuar si problem ndërsa 21 për qind e tyre e konsiderojnë atë problem real! Në vendin tonë, pasojat e saj shprehen në rastin e rritjes së nivelit të rreshjeve, rrjedhimisht, përmbytjeve dhe rrëshqitjes së tokës në zonat bujqësore.

Në Shqipëri, Moratoriumi i Gjuetisë, i cili ndalon për dy vjet gjuetinë në Republikën e Shqipërisë- një formë e ruajtjes së biodiversitetit nga gjuetia e paligjshme- përfaqësoi një akt ligjor, që megjithë kundërshtimet nga Federata e Gjuetarëve është kategorik për shkak të gjendjes alarmante të faunës në vendin tonë.

Nga ana tjetër, u prezantua dhe një projektligj që përfshin një moratorium dhjetëvjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe eksportin e drurit. Shpyllëzimi i vazhdueshëm ose reduktimi i zonës pyjore në vendin tonë, deri në masën 15 për qind lidhet dhe me “tkurrjen” e faunës dhe florës në vendin tonë. Natyrisht, ky shqetësim vlen dhe në rastin e  ndërtimit të HEC-ve përgjatë lumit të Vjosës. 

Veç problemeve të mësipërme, kemi dhe kufizimin e hapësirave të gjelbra në zonat urbane si dhe nevojën e menjëhershme për formimin e një kulture të gjelbër, lidhur me diferencimin dhe grumbullimin në burim të mbetjeve.

Këto problematika dhe plot të tjera duhen theksuar në media nga gazetarët mjedisorë jo vetëm si raportime por edhe të përmbajnë kritikë, në përputhje me perceptimet kulturore mjedisore tek shqiptarët, të cilat shprehen edhe në sjelljet kundrejt mjedisit. Vetë media përfaqëson një formë të edukimit që nevojitet të krijojë në publikun shqiptar ato sjellje që lidhen me ruajtjen e mjedisit si dhe të formësojë kërkesat e qytetarëve ndaj politikës me qëllim, implementimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.

Përcaktimi i problemeve kryesore mjedisore dhe mënyrat e formësimit të publikut janë të lidhura drejtëpërdrejtë me sjelljet ndaj mjedisit dhe formimin e tyre, si pasojë e pasjes së kulturës së gjelbër, aq të nevojshme në shoqërinë tonë.

Mos ndoshta lipset edukim shkencor?

Debatet mbi mësimin e fesë në shkolla janë shtuar dhe tashmë secili nga ne është rreshtuar pro dhe kundër. Argumenti kryesor i kryeministrit mbi dobinë e mësimit të fesë në shkolla ishte se “të mësuarit e saj, do të shërbejë si armë e fortë për të mos u bërë pre e atyre që kryejnë krime në emër të Zotit”. Natyrisht, kjo nuk e shmang problemin e ekstremizmit, pasi feja, si sistem besimesh, udhëhiqet nga një parim i deklaruar nën zë i besimtarëve: të shtojmë rradhët tona. Me krime apo jo, kjo varet nga ideologjia nga e cila ata udhëhiqen si dhe qëllimet e ideologëve fetarë. Në rastin kur ISIS është “ndjellës” për një grup njerëzish të izoluar kulturalisht, si shprehet dhe antropologu i njohur S. Attran, zgjidhja nuk mund të jetë vetëm edukimi mbi fetë por sigurimi i cilësisë së arsimimit për qytetarët e tij. Në këtë kuadër, mësimi i fesë në moshë të vogël e aq më shumë me detyrim në shkolla nuk mund të shmangë qëndrimet ekstremiste për aq kohë sa vetë ideologjia fetare, predikon ndasi dhe izolacion kundrejt besimtarëve të feve të tjera, deri dhe paragjykime ndaj jobesimtarëve.

Nga ana tjetër, zoti A. Vehbiu në blogun e tij “Peisazhe të fjalës” shkruan se “mësimi i fesë në shkolla, nuk do të konsistojë në mësimin vetëm të fesë tënde por dhe atë të tjetrit.” Gjithashtu “Njohuritë për fenë- shprehet ai- që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian pasi përballja e feve është pjesë e ballafaqimit të sotëm ndërkulturor mes njerëzve që i përkasin kulturave të ndryshme”. Por qytetari europian, në tërësinë e formimit të tij , nuk bazohet vetëm në të mësuarit e fesë apo ideve që ajo shpërfaq por ruan në kujtesë edhe konfliktin e pandërprerë të fesë me shkencën si veprimtari njohëse, bazuar në metoda dhe teori. Turra e druve dhe dënimi i figurave të tilla shkencore si Xhordano Bruno ose Galileo Galilei janë provë e këtij konflikti.

Fatmirësisht në Evropë, konflikti, këtë rradhë pa djegie në turrën e druve edhe si pasojë e periudhës së Iluminizmit, vazhdoi dhe në shekujt në vijim. Konkretisht, kur natyralisti Ç. Darvin publikoi në vitin 1859 veprën “Prejardhja e llojeve”. Në këtë vepër, duke u bazuar në kërkimet e tij në terren e më gjerë, ai pohoi se të gjithë organizmat e gjallë kanë një paraardhës të përbashkët dhe përshtatjet e tyre me mjedisin i detyrohen veprimit të përzgjedhjes natyrore. Në mënyrë indirekte, Darvini pohoi se bota e gjallë nuk është produkt hyjnor ose e krijuar nga Zoti. Sot pranohet se procesi e evolucionit ose i ndryshimit të llojeve në kohë ndodh. Ky proces është thjeshtësisht i vëzhgueshëm në laborator dhe provohet nga fosilet e të dhënat gjenetike. Sulmet ndaj Darvinit kulmuan ndër besimtarë e individë që nuk e njihnin ose nuk e kuptonin teorinë ë tij.  Në ditët e sotme, histeria vazhdon.

Ballafaqimi kulturor është sot po ashtu një realitet i vëzhgueshëm. Ashtu si gjuha e huaj na ndihmon dhe na çel një dritare të botës së tjetrit, edhe njohja e fesë ku ai bën pjesë, mund të na ndihmojë ta kuptojmë. Por çfarë mund të kuptojmë kur një besimtar pohon i bindur dhe me qëllimin të bindë tjetrin se bota e gjallë nuk ndryshon?

Në ditët e sotme, në SHBA, pas dekadash sulmi të teorisë së evolucionit, sulme të shprehura dhe në hartimin e kurrikules kreacioniste në shkolla, 73 për qind e të rinjve nën moshën 30 vjeç, kanë shprehur një farë besimi në procesin e evolucionit, pra se ky proces natyror ndodh. Në Shqipëri, pas një anketimi të kryer nga studentet e Masterit AML- Biologji tek 14 mijë individë të moshave të ndryshme, rezultoi se rreth 60% e tyre mendojnë se organizmat e gjallë janë rezultat i procesit të evolucionit. Ndërkaq, rreth 40% e tyre i janë përgjigjur “Nuk e di” pohimit “Zbulimet e reja shkencore bien ndesh me evolucionin”. Thënë më shkoqur, të anketuarit pranojnë se evolucioni ndodh por nuk njohin faktin se zbulimet e reja shkencore e provojnë ndodhjen e këtij procesi natyror.

A vjen kjo mosnjohje nga të mësuarit e pjesshëm në shkolla, kurioziteti i munguar apo dhe mungesa e informacionit shkencor në media? Kur i riu i edukuar në shkollat tona të haset, bie fjala, me një të ri italian, dijet e të cilit janë sipërore për evolucionin, si do ta përjetojë injorancën e treguar tjetrit? Veç evolucionit, ku ka mangësi konceptuale, çfarë do të kuptojë i riu jonë i ngratë p.sh mbi ndryshimet klimatike dhe nevojën e zhvillimit të qëndrueshëm? Mos ndoshta mjafton të citojë pjesëza nga fjalimi që mbajti Papa në SH.B.A ama përsëri do të ketë ide të vagullta nga se shkaktohet kriza klimatike?

Njohja e sistemeve të ndryshme të besimit që kanë shoqëruar njerëzimin dhe besimeve në jetën e përtejme që janë hipotetizuar nga artefaktet e gjetura në varret e Neandertalëve, vlen në kuadrin  e trajtimit të tyre si pjesë e kulturave të caktuara. Le të përfshihen këto njohuri në histori, paralel me lindjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor në shekuj. Një nga sfidat e sotme tonat në arsim nuk mund të jetë edukimi fetar por ai shkencor. Dhe edukimi shkencor nuk do të lehtësojë vetëm njohjen dhe komunikimin ndërkulturor por do të na mësojë të tolerojmë dhe të kuptojmë qoftë dhe përse njerëzit besojnë në ngjarje që nuk mbështetet në prova ose konspiracione. Shkenca nuk ka natyrë deterministe, feja po. Ajo mbështetet në njohje të vazhdueshme dhe të testueshme, feja jo. E kështu, me shumë gjasa, me anë të edukimit shkencor, ne do të tolerojmë besimin e tjetrit, por më së shumti, do të kuptojmë shkencën si veprimtari njohëse.

Rёndёsia e gazetarёve shkencorё

Ndryshimet sociale nё shekullin XX dhe XXI – Revolucioni Dixhital dhe ai Teknologjik, migrimi masiv, pёrmirёsimi i mjeteve tё transportit dhe tё komunikimit e kёshtu me rradhё- kanё krijuar njё panoramё krejt tё ndryshme nё nivelin informacional. I ashtёquajturi “bumi informacional” nga semiologu i njohur Juri Llotman, gjen mё sё miri shprehje nё zhvillimin e mjeteve tё komunikimit qё pёrdorin sot shoqёritё njerёzore.

Ky informacion  ka dhe pёrmasёn e tij fatike, pra mungesёn e shkёmbimit tё informacionit per se dhe krijimin e njё marrёdhёnieje mes individёve qё pёrfshihen nё procesin komunikues. Por sa i rёndёsishёm ёshtё ky funksion i gjuhёs nё pёrçimin, dhe shpjegimin e informacionit shkencor? Cilat janё mekanizmat transmetues tё informacionit shkencor? Kush mund ta realizojё nё mёnyrё rezultative dhe tё besueshme pёrcjelljen e kёtij informacioni?

Shkenca, si fushё e veprimtarisё shoqёrore, ka si hallkё pёrfundimtare tё procesit tё saj zhvillimor njohjen, pra bёrjen publike tё informacionit qё ajo mbart. Prandaj ёshtё e rёndёsishme tё trajtojmё natyrёn e lajmit shkencor me transmetuesit e saj, por edhe ndikimin e popular science  nё arealin kulturor tё shoqёrive njerёzore.

Dija shkencore vs. gazetaria shkencore

Si  lexuese e rregullt e medias nё vend,  kam vёnё re se gazetat apo televizionet tona duket se kanё njё mosdёshirё vullnetare pёr tё pasqyruar zhvillimet mё tё fundit nё shkencё dhe teknologji. Me pёrjashtime tё vogla, pak gazeta i kushtojnё rёndёsi lajmeve me natyrё shkencore. A ёshtё ky informim i mangёt shkencor pasojё e mungesёs sё gazetarёve me profil shkencor nё Shqipёri apo thjesht publiku ynё nuk ka interes pёr risitё shkencore?

Gazetarёt shkencorё  mungojnё nё Shqipёri ose njё pjese e tyre kanё pёrqasje amatore ndaj temave shkencore. Pёrkthimet me gjuhё jo korrekte shkencore janё mёse tё zakonshme dhe keqinformimi lidhur me termat apo pёrqasjet gjysmake tё temave janё pjesё tashmё e realitetit mediatik. Arsyet e mungesёs sё gazetarёve shkencorё,  gjenden edhe tek kufizimi i hapёsirave mediatike nё lidhje mё lajmin shkencor, por edhe tek kufizimi brenda mjediseve universitare i profesionistёve. Kёta tё fundit, tё mbyllur vetёm nё specialitetin e tyre, thyejnё pandёrgjegjshmёrisht hallkёn e fundit tё procesit shkencor, komunikimin me publikun. Komunikimi i ideve shkencore nё publik, e ashtuquajtur shkencё e popullarizuar apo informimi mbi risitё shkencore, jo vetёm qё mungon nё Shqipёri, por deformimet konceptuale tё shoqёruara me informacionet e mangёta ose asfare, sjellin varfёri kulturore dhe intelektuale.

 Ura lidhёse mes shkencёs dhe gazetarisё

Media sot gjenden para dy alternativash nё lidhje me komunikimin shkencor: besimi tek profesionistёt e shkencёs apo tek amatorёt e saj. Hapja e blogjeve me pёrmbajtje shkencore, shkrimi i artikujve shkencore nё revista popullore shkencore, botimi i librave, shfaqja e dokumentarёve shkencorё, pёrfaqёsojnё mёnyrat pёrçuese tё vetё zhvillimeve shkencore. E megjithatё, ka njё ndryshim tё madh mes risisё sё lajmit qё raportohet nё kёto mediume dhe zhvillimit tё procesit kёrkues, rrjedhimisht, shpjegimit tё “realitetit shkencor”. Gjetja dhe raportimi i lajmit mund tё konsiderohen njё mёnyrё e keqe e tё bёrit gazetari shkencore. Raportimet e lajmeve, bie fjala, mbi zhvillimet e fundit nё astrofizikё, janё tё kufizuara nё kontekstin konceptual, pasi ndryshe nga njё proces mirёfilli kёrkimor, ato mjaftohen thjesht me paraqitjen e tё dhёnave.

Nga ana tjetёr, tё kuptuarit e procesit me anё tё metodave kёrkimore pёrbёn atё qё ne quajmё shkencё. Kjo hapёsirё boshe mes profesionalizmit dhe amatorizmit nё lidhje mё lajmin shkencor, ka nevojё pёr njё urё lidhёse. Konkretisht, raportimi i lajmit, i shpjeguar nё kontekstin e tij ideor, pёrbёn atё çka mund tё quhet njё lajm mirёfilli shkencor. Por kush mund ta realizojё kёtё raportim me natyrё shkencore? A mundet thjesht njё gazetar, me dijeni tё kufizuar shkencore, tё realizojё nё mёnyrё objektive raportimin dhe procesin shpjegues tё vetё asaj çka pёrbёn lajm? Sigurisht qё jo. Lind nevoja e formimit tё gazetarit shkencor i cili do tё mund tё ndёrtonte urёn e munguar me qёllim qё publiku tё informohej jo thjesht pёr ngjarjen por edhe procesin nё tё cilin zhvillohet kjo ngjarje. Revistat shkencore popullore perёndimore dhe amerikane e kanё “ndёrtuar” urёn duke realizuar sё pari, informimin mbi risitё shkencore dhe sё dyti, bazuar dhe nё dijet shkencore tё shoqёrisё pёrkatёse, informimin mbi njё bazё procesuale tё informacionit. Prania e revistave shkencore popullore (Scientific American, ScienceNews, National Geographic, Focus, Discover etj.),  forumeve me natyrё shkencore dhe intelektuale (Edge.org, BigThink, The Loom etj) apo e hapёsirave mbi lajmet shkencore tё pёrfshira nё gazeta tё pёrditshme ( The Guardian, New York Times, La Repubblica, Le Monde etj) kanё rritur ndёrgjegjёsimin dhe nivelin e dijeve nё shoqёrisё mbi çёshtje qё prekin problematika tё pёrditshme jetёsore por dhe interesa tё thjeshta kulturore.

Mёnyrat e transmetimit tё informacionit shkencor

Marrёdhёnia mes shkencёs, gazetarisё dhe publikut si marrёs pasiv i informacionit sot ka ndryshuar. Blogjet personale qё krijojnё individёt me profesion apo dijeni tё kёnaqshme shkencore informojnё dhe edukojnё pjesёn tjetёr. Kjo urё lidhёse e tipit tё dytё, e shprehur nё blogjet personale, ka rrёzuar mitin e mediave tё mёdha dhe pushtetin informacional tё tyre, pasi marrёdhёnia ndёrpersonale dhe besueshmёria mes blogger-it dhe lexuesit ёshtё mё e qenёsishme. Ky besim duket se ёshtё rritur dhe prej njё fakti tjetёr tё rёndёsishёm: profesionalizmit shkencor tё blogger-it. Nё njё realitet mediatik tё bazuar nё shumicёn e rasteve nё informacion tё dyshimtё dhe mungesё tё filtrave profesionalё, shkenca e popullarizuar duket se ka nevojё pёr individё tё trajnuar dhe me kompetencat e duhura.

Veçanёrisht, pёrzgjedhja e informacionit shkencor, cilёsia nё raportimin dhe shpjegimi i procesit qё pёrbёn lajmin si dhe gjetja e mediumit tё duhur social pёr paraqitjen e tij janё ngrehinat kryesore tё njё informimi tё plotё mbi temat shkencore.

Historia e pёrcjelljes sё informacionit shkencor (Letrat qё dёrgonin dikur mes tyre shkencёtarёt, Analet apo Proceedings tё diskursit shkencor) ka ndryshuar jo vetёm objektin ku drejtohet, por edhe pёrmbajtjen e formёn. Konkretisht, Tweeter i lejon shkencёtarёt tё raportojnё shkurt mbi zhvillime tё fundit nё shkencё ose tё shprehin mendimet mbi njё cёshtje tё caktuar. Tumblr apo Storify po luajnё njё rol efektiv gjatё zhvillimit tё konferencave shkencore. Konkretisht, duke u lidhur me Tweeter-in, njё studiues mund tё paraqesё nё kёto faqe, video tё pjesёmarrёsve, citatet e tyre, linkun e publikimeve, website e kёshtu me rradhё. Ёshtё e qartё se pёrdorimi i kёtyre formave tё komunikimit ёshtё i lidhur ngushtё me popullaritetin e tyre nё kultura tё caktuara. Shqipёtarёt preferojnё veçanёrisht  Facebook-un i cili pasqyron prirje mё sё shumti me natyrё gossip dhe pak reflektive sesa shkencore.

Prania e blogjeve me natyrё shkencore kёtu mungon por jashtё mbetet njё nga format nё rritje nё nivel individual tё pёrpunimit dhe publikimit tё informacionit shkencor. Duket se komunikimi fatik me anё tё blogut personal, pёrfaqёson njё formё “rebelimi” ndaj imperializmit mediatik tё konglomerateve mediatike ( BBC, CNN e kёshtu me rradhё) dhe tregon, se dёshira e njerёzve nga burime informacionale alternative ёshtё rritur.

Nё vend tё mbylljes

Ёshtё e kuptueshme qё ky artikull nuk mund tё trajtojё plotёsisht natyrёn dinamike tё asaj cka pёrbёn lajm dhe informacion shkencor apo nevojёn e pranisё nё mediat tona tё gazetarit shkencor. Vetё lajmi me natyrё raportuese pёrmban nё sasi tё vogla dhe jo gjithmonё cilёsisht shkencore, informacione me rёndёsi. Trajtimi i tij nga profesionistё dhe shpjegimi i vetё procesit qё pёrmban nё vetvehte informacion, ёshtё para sё gjithash detyrё shoqёrore pёr njё kulturё tё sotme kaq tё prekur nga shkenca e teknologjia. Pёrzgjedhja e informacionit shkencor, shpjegimi dhe raportimi i tij nё mёnyrё popullarizuese nuk mund tё minimizojё vlerёn e vetё informacionit. Por gazetari jo profesionist, mund tё shkaktojё njё rrokadё tё dёmshme, duke minuar pёrmbajtjen e vetё lajmit. Nё kёtё kёndvёshtrim, nevoja pёr gazetarё shkencorё apo gazetarё qё marrin, pёrpunojnё dhe publikojnё lajmet shkencore ёshtё e rёndёsishme pasi shkenca  dhe teknologjia pёrfaqёsojnё aktivitetet mё frytdhёnёse- por dhe tё diskutueshme nga ana etike-  tё shekullit  XXI.

Koncepsioni i darvinizmit universal në shtjellen e debatimeve

Kjo trajtesë merr në konsideratë disa implikime të teorisë darviniane së seleksionit nё shkencat sociale.

Koncepti i shkakёsisё sipas Darvinit

Ndër katër tipet e shkakёsisё aristoteliane: formale, materiale, finale dhe eficente, kjo e fundit d.m.th shkakёsia eficente ёshtё e ngjashme me konceptin e shkakёsisё nё shkencat moderne natyrore (Hodgson 2004) ku termi eficent nё kёtё rast i referohet njё rezultati optimal pas aftёsisё pёr tё pasur thjesht një efekt të çfarёdoshёm. Për shkencat e natyrёs, çdo shkak pёrfshihet nё njё transformim tё materies dhe energjisё.

Fillimisht u pranua se i njёjti shkak jep tё njёjtat efekte. Filozofёt natyralistё të shekullit XVIII e hodhёn poshtё kёtё mendim me tё dhёnat e pёrftuara nga biologjia. P.sh kontakti me virusin e gripit (shkaku) shoqёrohet me sёmundjen e gripit (efekti) por ndonёse njerёzit nё njё popullate janё nё kontakt me virusin, jo tё gjithё mund tё sёmuren.  Nga kёto vëzhgime, por nё rradhё tё parё nga studimet nё fizikёn kuantike, u arrit nё pёrfundimin se natyra e determinizmit ёshtё mё komplekse. Fakti se shprehja e njё veprimi (shkaku) mund ose jo tё shfaqet (efekti) u pasqyrua nё konceptin e determinizmit statistikor. Nё kёto raste bёhet fjalё pёr efekte stokastike ose pёr njё natyrё probabilitare tё shkakёsisё. Me konceptin e determinizmit statistikor filluan tё shpjegohen edhe fenomenet biologjike.

Pёr Darvinin, shkenca ёshtё njё shpjegim shkakёsor. Falё kёtij guximi, ai kapёrceu kurthin e doktrinave fetare. Ёshtё thёnё se arsyeja pse Darvini e vonoi pёr rreth 20 vite botimin e veprёs sё tij ka qenё frika e armiqёsisё ndaj pikёpamjeve tё tij filozofike materialiste. Mendja e Darvinit punonte me shpjegime shkakёsore dhe ai nuk mendonte se variacionet lindin pa shkak, nё mёnyrё spontane. Ai pohonte se: “variacione tё tilla aksidentale duhet tё jenё prodhuar nga shkaqe tё panjohura, nuk ka dyshim, se çdo variacion duhet tё ketё shkakun e tij eficent” . Koncepti i shkakёsisё ishte pёrqafuar edhe nga miqtё e Darvinit. Pёr Th. Huxleyin ideja e njё ngjarjeje spontane, pa shkak, ishte absurde dhe e papranueshme.  “Shkenca- shkruante Haksli-  ёshtё asgjё pa zbuluar shkakun prapa fenomenit “. Po kёshtu, G. Romanes pohonte se: “ Mbi tё gjitha, darvinizmi nёnkupton  njё analizё kauzale”. Sipas tij, shqetёsimi kryesor i shkencёs nuk janё faktet por zbulimi i shkaqeve.

Por nuk mendonin nё tё njёjtёn mёnyrё bashkёkohёsit e tyre. P.sh themeluesi i filozofisё pozitiviste, A. Comte thoshte se “kёrkimi pёr shkaqet ёshtё i kotё”. Duhet theksuar se Konti nuk i qёndroi besnik kёtij mendimi. Ndoshta kontributi mё thelbёsor i takon Darvinit nё lidhje me raportin e tij me konceptin e teleologjisё. Darvini e “ pёrzuri” kёtё koncept nga biologjia e pёr rrjedhojё, dhe nga shkencat sociale. Ndonёse Darvini pranonte njё shpjegim shkakёsor, ai e mohonte ekzistencёn e njё qёllimi nё natyrё, d.m.th telelogjinё. Nё kёtё pikё, kontributi i Darvinit ka qenё epokal. “ Zot- shkruante ai- mё shpёto nga dokrrat Lamarkiane! ”. Si dihet, dokrrat lamarkiane kanё tё bёjnё me praninё e prirjeve tё brendshme drejt pёrsosjes. Me kёto prirje, J.B. Lamarck zёvendёsoi mekanizmin real nga i cili ndodh evolucioni. Ky mekanizёm ёshtё seleksioni, shpjegimi kauzal i tё cilit bёri tё mundur suksesin e darvinizmit nё filozofi.

Kompleksiteti

Ideja e evolucionit ёshtё e lidhur me rritjen e kompleksitetit nё kohё: fillimisht ka pasur sisteme tё thjeshta (organizmat aqelizorё, organizmat njёqelizorё, organizmat shumёqelizorё pa sistem nervor etj) tё cilat pasohen me sisteme tepёr komplekse (organizmat shumёqelizorё me sistem nervor, gjitarёt, majmunёt, njeriu, shoqёria njerёzore). Teoria tradicionale e evolucionit nuk ka pasur ndonjё metodё pёr tё analizuar kompleksitetin dhe pёr kёtё arsye, shpjegimet kanё qenё impresione intuitive. Nё dekadat e fundit janё formuluar disa teori tё cila ofrojnё koncepte dhe parime pёr modelimin e sistemeve komplekse: teoria e informacionit, teoria e sistemeve tё pёrgjithshme, termodinamika, teoria e katastrofave, sistemet komplekse adaptive etj. Megjithёse janё zhvilluar  shkencat e kompleksitetit, vetё koncepti kompleksitet mbetet i paqartё. Fjala latine complexus do tё thotё “ e pёrdredhur sёbashku, prani  e dy ose mё shumё komponentёve tё cilat bashkohen nё njё mёnyrё tё tillё sa ёshtё e vёshtirё ndarja veçmas e tyre”. Nё kёtё koncept ne gjejmё dualitetin midis pjesёve tё cilat janё nё tё njёjtёn kohё tё dallueshme dhe tё lidhura. Prej kёtej, intuitivisht arrihet nё pёrfundimin se njё sistem ёshtё mё kompleks nёse pёrbёhet nga mё shumё pjesё dhe nёse ka mё shumё lidhje midis pjesёve. Pjesё tё tilla tё organizmit janё grimcat elementare,  atomet, monomerёt, polimerёt, organelet, qelizat, indet dhe organet etj.

Nё kёndvёshtrimin evolutiv, ka interes se si janё formuar pjesёt d.m.th si ka ndodhur procesi i rritjes sё varietetit i quajtur diferencim dhe si janё lidhur kёto pjesё nё procesin e quajtur integrim (Heylighen, F., & Chielens, K. 2009 ). Pёr kёtё qёllim, na duhet tё pёrshkruajmё evolucionin nё mёnyrё tё pёrgjithshme, nga grimcat elementare deri tek kultura njerёzore. Ky pёrshkrim do tё konceptualizohet si pёrballja midis variacionit dhe seleksionit.

Gjatё evolucionit, qoftё ky kozmik, kimik, biologjik apo social-kulturor, krijohen gjithmonё konfiguracione tё ndryshme prej atyre tё mёparshme. Krijimi apo prodhimi i variacioneve ёshtё njё fenomen i pashmangshёm natyror dhe shoqёror. Shembujt mё tё qartё tё kёtyre variacioneve i gjejmё nga biologjia dhe konkretisht nga mutacionet. Po kaq evident ёshtё fakti se variacioni si fenomen mbahet nёn kontroll me anё tё seleksionit. Seleksioni ёshtё eleminimi ose reduktimi i numrit tё konfiguracioneve qё janё prodhuar nga variacioni. Seleksioni zvogёlon çrregullsinё ose entropinё pasi ai redukton numrin e mundёsive.

Ekzistenca e seleksionit vjen nga fakti se nё pёrgjithёsi, jo tё gjithё konfiguracionet ose variantёt janё tё qёndrueshme nё mёnyrё tё barabartё. Kёshtu, ndodh qё variacioni prodhon çrregullsi dhe seleksioni prodhon rregullsi. Nё konfliktin midis tyre lind njё veçori e re e quajtur fitness. Fitnesi ёshtё njё veçori e njё sistemi qё pёrcakton probabilitetin e seleksionit tё tij d.m.th probabilitetin e mbijetesёs dhe tё riprodhimit tё tij kurse nё sistemet jo tё gjalla nёnkupton vetёm mbijetesёn. Kёshtu, fitnesi darvinian nuk ka kuptim pёr sistemet jo tё gjalla ashtu siç interpretohet nga disa studiuesё.

Evolucioni sociokulturor

Nё shkencat sociale, koncepti i evolucionit sociokulturor bёn pjesё nё ato koncepte qё janё tepёr tё diskutueshme dhe tё vёshtira pёr t’u shpjeguar. Arsyeja ёshtё e dyfishtё. Nga njёra anё, teoritё evolucioniste tё shoqёrisё njerёzore fatkeqёsisht janё asociuar me ideologji tё ndryshme raciale, tё kombit e klasave dhe nga ana tjetёr, koncepti i evolucionit, identifikohet me evolucionin biologjik. Shpesh nuk bёhet e qarte se ç’kuptojmё ne kur flasim pёr evolucionin sociokulturor. P.sh  a ёshtё i njёjtё evolucioni sociokulturor me historinё humane?

Pёr pyetje tё kёsaj natyre fillimisht na duhet tё ndjekim historinё e mendimit evolucionar ku duhen dalluar dy momente. Momenti i parё i pёrket Iluminizmit dhe tё ashtuquajturit Shekull i Arsyes. Pёr Iluministёt, historia humane shihej si progres i gjithё qёnies njerёzore e cila konsiderohej parimisht e barabartё nё tё gjithё botёn dhe e aftё pёr tё njёjtat arritje. Pёr kёtё arsye, ekzistenca e kulturave dhe e shoqёrive tё ndryshme analizoheshin si variacione tё tё njёjtёs temё. Iluministёt i vlerёsonin dhe i klasifikonin kulturat si stade tё ndryshme tё njё skeme universale suksesioni apo njёpasnjёshmёrie. Sipas tyre, forca drejtuese e historisё ose evolucionit sociokulturor ёshtё aftёsia e njerёzve tё shpikin ide tё reja, tё bёjnё zbulime dhe tё rrisin pushtetin e tyre mbi natyrёn nёpёrmjet shkencёs dhe teknologjisё. Kuptohet se asokohe nuk kishte dyshim se shoqёria europiane ishte shoqёria mё progresive. Duhet theksuar se ky mendim nuk kishte tё bёnte me racizmin dhe me tё ashtuquajturёn supremaci tё kombeve europiane mbi kombet e tjera. Koncepti i “fisnikut tё egër” ilustron mё sё miri mendimin e mёsipёrm: njerёzit janё tё mirё nga natyra por normat dhe vlerat e kёqija, pёrfshi kёtu dhe ato tё shoqёrisё europiane, i korruptojnё njerёzit dhe i çojnё ata kundёr natyrёs sё tyre tё vёrtetё.

Momenti i dytё historik i mendimit evolucionar ka tё bёjё me lindjen e neo-darvinizmit, nё kohёn e sintezёs sё gjenetikёs me disiplinat tradicionale biologjike. Kёtij momenti i pёrket lindja e ideologjisё sё gjenit dhe determinizmit gjenetik. Koncepti i gjenit zё njё vend qendror nё shkencat e jetёs. Sa herё qё biologjisё i kёrkohet njё paradigёm tjetёr ajo nuk “përpiqet” ta gjejё atё sepse tashmё studiuesit janё “mёsuar”  me gjenet. E tashmё, ёshtё vёshtirё ta rrёzosh gjenin nga froni i tij mbretёror jo vetёm nё biologji por edhe nё shkenca tё tjera.

Megjithatё, ka mё shumё se dy dekada qё ka lindur jo vetёm njё fushё e re studimi por edhe me sa duket dhe njё paradigmё e re. Kjo fushё studimi quhet psikologji evolutive. Ndikimi i saj mё i madh mendohet se ёshtё ndryshimi i metodave standarte tё shkencave sociale apo siç quhet ndryshe, Modeli Standart i Shkencave Sociale. Nё ditёt e sotme, psikologjia konsiderohet degё e biologjisё e cila merret me studimin e trurit, mёnyrёn se si truri proceson informacionin dhe se si programet qё procesojnё informacionin arrijnё tё prodhojnё njё sjellje tё caktuar ( Barkow et al 1992). Fakti se njё specialist i shkencave sociale mёson se truri i njeriut percepton, e depoziton informacionin dhe se si prej kёtij informacioni arrin tё kryejё njё sjellje tё caktuar, tregon pёrfshirjen e kёtij shkencёtari nё parimet dhe metodat e shkencave natyrore. Konkretisht, pёr njё studies nё fushёn e shkencave sociale nuk janё mё tё huaja kёto parime:

  1. Truri ёshtё njё sistem fizik. Ai funksionon si njё kompjuter. Modulet e tij, d.m.th njёsitё funksionale tё trurit, janё formuar dhe formohen pёr tё gjeneruar sjellje tё cilat i pёrgjigjen rrethanave tё caktuara mjedisore.
  2. Modulet janё formuar nga veprimi i seleksionit natyror. Ato zgjidhin probleme me tё cilat janё ndeshur stёrgjyshёrit tanё gjatё historisё evolutive tё llojit Homo sapiens.
  3. Modulet e ndryshme janё specializuar pёr tё zgjidhur probleme te ndryshme pёrshtatёse.
  4. Nё trurin tonё ndodhet mendja e Epokёs sё Gurit.

Nё bazё tё kёtyre parimeve, njerёzit mund ti pёrgjigjen nё njё dritё tё re disa pyetjeve qё kanё natyrёn e mёposhtme: Pёrse gratё shtatzanё nё muajt e parё tё barrёs, pas ngrёnies vjellin sidomos ushqimet me mish? Pёrse meshkujt  preferojnё njё partnere tё paraqitshme? Fillimisht darvinizmi duke qenё njё teori deterministe, kёrkon tё gjeje nё çdo fenomen, shkakun e tij. Nё tё dy pyetjet tona shkaku duhet kёrkuar nё rёndёsinё qё ka zgjedhja e ushqimit dhe e partnerit, pёrkatёsisht pёr mbijetesёn dhe riprodhimin e njeriut. Pёrgjigja pak a shumё ёshtё kjo: Ato gra tё cilat janё mё pёrzgjedhёse ndaj ushqimeve me toksina kanё mё pak mundёsi qё fёmija i tyre tё helmohet dhe ato tё abortojnё. Si pasojё, seleksioni natyror ka favorizuar ato gra tё cilat kanё qёnё pёrzgjedhёse me ushqimet qё hanin gjatё barrёs dhe pёr kёtё arsye, vjellja i ndihmon tё mbrohen ndaj toksinave qё pёrmbajnё ushqimet.

E njёjta pёrgjigje vlen dhe pёr pyetjen tjetёr: Ata meshkuj qё preferojnё femra te paraqitshme nёnkupton qё zgjedhin ato mё pjellore. Seleksioni seksual ka favorizuar burrat tё cilёt zgjodhёn gratё e paraqitshme dhe pёr pasojёm gra pjellore sepse nё kёtё mёnyrё, kёta burra mund tё linin mё shumё pasardhёs. Siç vёrehet, pёrgjigjet e pyetjeve ka nё bazё shkakёsinё pasi pёr studiuesit vlejnё gjithnjё pohime se nuk mund tё ketё fenomen apo proces natyror pa njё shkak. Nga ky kёndvёshtrim, tё gjithё fenomenet natyrore, duke pёrfshirё kёtu dhe proceset mendore, kanё njё shkak. Shkakёsia nuk ёshtё privilegj i fenomeneve biologjike apo fenomeneve kulturore. Shkakёsia shprehet nё çdo fenomen tё botёs jo tё gjallё. Pёr kёtё arsye, paradigma darviniane  e seleksionit vlen jo vetёm pёr fenomenet biologjike por edhe fenomenet e botёs  jo tё gjallё. Si rrjedhojё e kёsaj shtrirjeje tё veprimit tё seleksionit dhe tё pranisё sё shkakёsisё, teoria darviniane mund tё konsiderohet universale.

Njё arsye tjetёr e lindjes sё konceptit tё darvinizmit universal ёshtё fenomeni i kompleksitetit. Ashtu si u tregua mё sipёr, koncepti i evolucionit ёshtё i lidhur me rritjen e kompleksitetit  qё nis me grimcat elementare d.m.th me evolucioni kozmik dhe vijon me evolucionin kimik, biologjik dhe sociokulturor. Kjo do tё thotё se nё bazё tё çdo lloj evolucioni, qoftё ky kozmik, kimik, biologjik apo sociokulturor, ёshtё seleksioni universal. Pёr zhvillimin e procesit tё seleksionit nevojiten tre kushte:

a)      Prania e variacioneve tё njё forme tё dhёnё siç ёshtё  p.sh. prania tek fluturat e ngjyrёs sё zezё apo tё bardhё;

b)      Seleksionimi i variantit mё tё pёrshtatur siç ёshtё pёrparёsia pёr tё jetuar dhe lёnё pasardhёs e fluturave tё zeza nё mjedisin e ndotur;

c)      Ruajtja e pandryshuar e tiparit tё ri ose trashёgimia e kёtij tiparin nё brezin pasardhёs e kёshtu me rradhe.

Pasi varianti mё i pёrshtatur ёshtё ruajtur, ai i nёnshtrohet sёrish ndryshimit dhe fillon njё seri tjetёr e veprimit tё seleksionit. Mekanizmi i mёsipёrm ёshtё i ngjashёm me procedurёn e zgjidhjes sё njё problemi nёpёrmjet provёs dhe gabimit. Pra, evolucioni mund tё trajtohet si njё kёrkim pёr tё pёrftuar zgjidhjen mё tё mirё tё mundshme tё njё problemi. Nё konceptin e darvinizmit universal, organizmat e gjallё janё zёvendёsuar me modele, sisteme apo fenomene. I tillё ёshtё rasti i memit. Memi ёshtё njё model informacioni nё trurin e njeriut i cili mund tё kalojё nga njё person nё tjetrin (Dawkins 1976). P.sh nё njё fshat ka vetёm njё individ qё bёn voza. Memi si pёrfaqёsim mendor. qё nё shembullin tonё ёshtё dija pёr tё bёrё voza, mund tё kalojё nё brezin pasardhёs vetёm nёse mjeshtri  ia mёson zanatin njё personi tjetёr dhe nёse personi nё fjalё arrin tё mbijetojё. Nё kёtё rast, memi konsiderohet njё njёsi kulturore, i cili i nёnshtrohet seleksionit kulturor dhe vetё fenomeni quhet evolucion kulturor  (Blackmore  2000). Kur sistemi ёshtё i qёndrueshёm, i fortё, ai ka mundёsi mё shumё tё gjendet nё njё mjedis dhe pёr rrjedhojё,  ekzistenca e tij nё kohё ose mbijetesa ёshtё e lartё. Kjo ekzistencё nё kohё, ose mbijetesё e sistemit, mund tё sigurohet nё dy mёnyra:

  1. Mёnyra mё e shpeshtё e ruajtjes nё kohё e njё sistemi ёshtё mungesa e bashkёveprimit tё kёtij sistemi me mjedisin.
  2. Mёnyra tjetёr ёshtё ajo e riprodhimit, d.m.th e krijimit tё kopjeve tё vetvehtes ose tё replikatorёve. Nё kёto raste bёhet fjalё pёr sisteme, ekzistenca nё kohё e tё cilave behet e mundur prej bashkëveprimeve tё bazuara mbi informacion (Roederer 2003).

Sistemeve tё caktuara materiale iu bё e mundur ekzistenca e tyre nё kohё kur lindi bashkёveprimi i bazuar nё informacion dhe kur ky bashkёveprim u bё kusht i ekzistencёs sё sistemeve. Kjo mёnyrё ekzistence ёshtё karakteristike vetёm e organizmave tё gjallё. Sipas konceptit tё darvinizmit universal do tё pranojmё veprimin e seleksionit dhe evolucionin e kёtyre sistemeve nё dy rastet e ekzistencёs sё tyre por nё sistemet e gjalla, koncepti i fitnesit nёnkupton njёkohёsisht mbijetesёn dhe riprodhimin. Nga ky kёndvёshtrim, ka vlerë koncepti i darvinizmit universal për tё cilin u analizuan pёrshkallёzimi nё kohё i kompleksitetit nё bazё të shkaqeve natyrore.

Shembuj tё teorisë universale darviniane

Evolucioni biologjik ёshtё njё proces qё ka tre pёrbёrёs: prania e variacioneve, seleksioni natyror dhe trashёgimia. Pёrbёrёsi i parё, pra variacionet, nё organizmat e gjallё (pёrfshirё dhe njeriun) janё  “ lёnda e parё” pёr veprimin e seleksionit natyror qё sigurohet nёpёrmjet mutacioneve d.m.th nёpёrmjet ndryshimeve tё materialit gjenetik si dhe tё rikombinimeve tё kёtij materiali gjenetik nё organizmat qё shumohen seksualisht.

Pёrbёrёsi i dytё, seleksioni natyror, nёnkupton se gjatё evolucionit, variantet apo alternativat qё pёrzgjidhen janё ato qё pёrshtaten pёr tё jetuar dhe pёr tё lёnё pasardhёs gjatё luftёs pёr mbijetesё. Mbijetesa dhe riprodhimi i njё varianti apo alternative ndaj njё tjetre, nuk do tё thotё se gjatё evolucionit janё pёrzgjedhur organizmat me tiparet mё tё mira.

Pёrbёrёsi i tretё, trashёgimia, nёnkupton se evolucioni biologjik realizohet nga struktura, tё cilat ruajnё informacionin sipas tё cilit formohen funksionet. Nё kёtё mёnyrё, ruhen variantet mё tё pёrshtatur, tё cilёt i nёnshtrohen sёrish variacioneve dhe kёshtu procesi pёrsёritet pa ndёrprerje nё kohё.

Si pohuam, i gjithё mekanizmi ёshtё i ngjashёm me procedurёn provё dhe gabim nё zgjidhjen e njё problemi: kёrkohet zgjidhje mё e mirё e problemit duke bёrё prova dhe duke i testuar ato nё atё mёnyrё, qё disa prej tyre i eleminon dhe ato mё tё suksseshmet, i ruan.

Nё kёtё pёrgjithёsim e ka zanafillёn darvinizmi universal: ai nuk zbatohet vetёm tek organizmat, por shёrben si paradigmё  dhe zbatohet tek njё model, njё dukuri ose njё sistem. “Kёrkesa” e parё e darvinizmit universal ёshtё mbijetesa d.m.th ruajtja e njё modeli, dukurie apo sistemi tё dhёnё pёr njё kohё relativisht tё gjatё dhe riprodhimi ose kopjimi i elementёve me njё frekuencё tё dhёnё. “Kёrkesa” e dytё e darvinizmit universal ka tё bёjё me prodhimin e vazhdueshёm tё ndryshimeve ose tё varianteve. Dhe sё fundi, paradigma e darvinizmit universal mund tё pёrdoret tek njё sistem kur ndodh mbijetesa dhe riprodhimi i diferencuar i elementёve tё kёtij sistemi.

Nёse pёrmbushen kёrkesat e mёsipёrme atёherё ndodh evolucioni i cili i çon sistemet nё njё gjendje gjithnjё e mё tё evoluar. Sisteme tё kёsaj natyre mund tё jenё jo vetёm organizmat e gjallё si objekte tё seleksionit natyror por edhe gjenet, neuronet, memet, fjalёt, programet kompjuterike, firmat, institucionet dhe deri i gjithё universi.

Vetё Darvini dhe mendimtarё tё shekullit XIX kanё zbatuar idenё e seleksionit pёr tё shpjeguar sistemet e komunikimit, shoqёrinё, mendjen etj, . Por ideja e seleksionit  ka frymёzuar njё numёr tё madh shkencёtarёsh nё fund tё shekullit XX ndёr tё cilёt pёrmendim biologun R. Dawkins-in i cili nё vitin 1983 futi termin e darvinizmit universal. Nga ana tjetёr, filozofi amerikan D. Dennett zhvilloi idenё e seleksionit si njё algoritёm gjenetik nё shkencat sociale. Nё dy dhjetёvjeçarёt e fundit, ideja e seleksionit si njё algoritёm gjenetik ёshtё zbatuar nё antropologji, ekonomi, psikologji dhe gjuhёsinё evolutive.

Nё pёrfundim, mund tё themi se darvinizmi universal mund tё zbatohet dhe nё entitetin kulturё dhe shoqёri. Ashtu si tiparet biologjike, edhe tiparet kulturore transmetohen brez pas brezi. Evolucioni kulturor mund tё kuptohet nё bazё tё mekanizmave tё ngjashёm me ato biologjikё, tё cilёt janё riprodhimi, pёrhapja, variacioni dhe seleksioni, dhe nё rastin e kulturës, seleksioni kulturor. Gjenet konceptohen si njёsi tё informacionit biologjik dhe nё analogji me to, tiparet kulturore tё njё shoqёrie tё dhёnё konsiderohen si njёsi tё informacionit kulturor. Tiparet kulturore tё njё shoqёrie njerёzore janё modele informacioni tё cilat kopjohen nga individi nё individ, nga njёri brez nё tjetrin ( Plotkin, 1997). Kjo analogji me biologjinё na lejon tё pёrdorim konceptet darviniane nё studimin e evolucionit tё kulturёs por dhe çdo sistemi tjetёr nё Univers.

Burime:

Barkow, J., Cosmides, L and Tooby, J. (1992)  The Adapted Mind: Evolutionary Psychology and the Generation of Culture. New York: Oxford University Press.

Blackmore, S. (2000)  The Meme Machine. London: Oxford University Press.

Darwin, Ch. (1859)  On the Origin of Species. London: Murrey Press.

Dawkins, R.  (197) The Selfish Gene. London: Oxford University Press.

Dawkins, R. (1983) Universal Darwinism. In: Evolution from molecules to man, ed. D. S. Bendall. Cambridge University Press

Dennett, D. (2005) Darwin’s Dangerous Idea: Evolution and the meanings of life. New York: Simon & Schuster.

Heylighen, F., & Chielens, K. (2009) Evolution of Culture. B. Meyers Encyclopedia of Complexity and Systems Sciences. Springer. http://pespmc1.vub.ac.be/Papers/Memetics-Springer,pdf.

Hodgson., G. M. (2004) Darvinism, Causality and Social Sciences.  Journal of Economic Methodology,  Vol 11, No. 2.

Gould., S. J. (1978) Ever Since Darwin: Reflection in Natural History. London: Burnett Books.

Plotkin, H. C. (1997). Darwin Machines and the Nature of Knowledge. Harvard University Press.

Roederer, J. (2003) On the concept of information and its role in nature. Entropy  5 (1), 3-33.