Home » Posts tagged 'Gazetaria mjedisore'
Tag Archives: Gazetaria mjedisore
Kultura e gjelbër
Në një nga anketimet e kryera në vitin 2008, si pjesë e një studimi mbi dijet etno-ekologjike dhe folkbiologjike te shqiptarët, u kërkoja të anketuarëve të rendisnin sipas rëndësisë, nga shkalla 1 deri në 6, gjashtë problemet kryesore të mjedisit: prania e mbeturinave në qytet, zënia e tokës me ndërtime, prerja e pyllit, shkretimi i tokës, ndotja e ajrit nga makinat dhe humbja e diversitetit biologjik.
Nga anketimi rezultoi se 95 për qind e maturantëve që jetonin në fshat, 20 të tillë, vlerësonin si problemin parësor të mjedisit prerjen e pyllit ndërsa vetëm 1 në 28 gazetarë dhe 1 në 18 profesorë të anketuar e rendisnin në vend të parë këtë problem. Nga ana tjetër, 50 për qind e maturantëve të qytetit, gazetarëve dhe profesorëve, vlerësonin si problemin kryesor praninë e mbeturinave në qytet.
A është problemi i prerjes së pyllit më i rëndësishëm krahasuar me problemin e pranisë së mbeturinave në qytet dhe anasjelltas? Po përse nuk është më i rëndësishëm, bie fjala, problemi i shkretimit së tokës ose problemi i erozionit? Dikush tjetër mund të pohojë se problem kryesor është humbja e diversitetit e kështu me rradhë.
E thënë më thjeshtë, problemi qëndron se mbi ç’kritere duhet të bazohemi në përcaktimin e problemit kryesor mjedisor dhe në ç’mënyrë duhet të formësohet publiku që të pikasë problemin më të rëndësishëm mjedisor. Perceptimet kulturore në lidhje me problemet kryesore të mjedisit, janë tipike për shoqëri të ndryshme dhe ndikimi i medias në formësimin e tyre është i konsiderueshëm, për nga vetë shkalla e rëndësisë së medias në shoqërinë e sotme të informacionit.
Gjendja mohuese e publikut (state of denial) apo informimi i pjesshëm i tij prej medias mbi çështjet që prekin mjedisin, përfshirë dhe mjedisin në Shqipëri është sot një problem që lidhet jo vetëm me nevojën e njohjes së këtij të fundit por edhe me ndërgjegjësimin e vetë publikut mbi rëndësinë e ruajtjes së tij. Epoka e Antropocenit lidhet me ndikimin sa vjen e në rritje të sjelljeve shfrytëzuese ndaj mjedisit prej njeriut, sjellje që “luhasin” ekosistemet natyrore. Nga ky këndvështrim, ndikimi i drejtëpërdrejtë i njeriut në mjedis dhe alterimi i këtij të fundit, që kulmon në krijimin e të ashtuquajturit mjedis artificial, shprehet në lindjen e problemeve mjedisore, të cilat nuk duhen kuptuar vetëm nga specialistët mjedisorë por edhe nga publiku.
Njohja e publikut me problemet mjedisore, realizohet veçanërisht me anë të informimit mediatik, i cili sendërtohet prej aradhës së gazetarëve mjedisorë ose të gjelbër.
Gazetaria mjedisore ose gazetaria e gjelbër, ka të bëjë me identifikimin, raportimin dhe përcjelljen te publiku, të çështjeve mjedisore që prekin shoqëritë njerëzore në ditët e sotme. Në mënyrë të përmbledhur, nga moria e temave që trajton, ajo përqëndrohet më së shumti në ngrohjen globale dhe ndikimin e saj në habitatet natyrore si dhe në evokimin e ruajtjes së biodiversitetit ose shumëllojshmërisë së botës së gjallë.
Komunikimi i të ashtuquajturit informacion mjedisor drejt publikut përfaqëson detyrën e parë dhe themelore të gazetarit mjedisor. Zanafilla e këtij informacioni gjendet për shembull, në shkrimet e natyralistit amerikan H. D. Thoureau, i cili evokonte respektin ndaj natyrës: jetesën e ekuilibruar në dobi të ruajtjes së resurseve natyrore.
Sot, ky tip informacioni ekziston në mjedisin virtual dhe është po ashtu përgjegjës për formësimin e tipareve kulturore të çdo grupi shoqëror. Nga ana tjetër, forma dhe përmbajtja e informacionit mjedisor ndikon në mënyrat e jetesës: ato sjellje që kryejnë individët, pjesë e një sistemi të caktuar sociokulturor, ndaj mjedisit natyror.
Fabrikimi i modeleve mentale në lidhje me njohjen mjedisore realizohet edhe nga media e sjelljet rrjedhimisht, janë produkt i modelit apo tërësisë së modeleve mentale mediatikisht të krijuara, karakteristike për çdo shoqëri. Për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit në masë mbi problemet që shkakton njeriu- në sajë të veprimtarisë së tij teknologjike apo perceptimeve të mangëta mbi habitatin natyror, pasojë e sistemit socio-kulturor ku individët bëjnë pjesë- gazetarët mjedisorë fare mirë mund të cilësohen edhe si aktivistë të ruajtjes së habitateve natyrore.
Shqetësimet e gazetarëve mjedisorë mbi problematikat e sotme- mjafton të përmendim këtu p.sh ndotjen e ajrit 35 herë më shumë se norma e lejuar në Pekin – janë mëse të drejta dhe veprimtaria e tyre shpeshherë merr trajtat e një aktivizmi shoqëror. Nga ky këndvështrim, axhendat politike të qeverive që kanë në qendër të tyre politikat që lidhen me mjedisin, janë pjesë e shfaqjes virtuale (kupto: mjedisi mediatik) në formë raportimi dhe analize prej gazetarëve mjedisorë. Ato duhet të bazohen jo vetëm në perceptimet kulturore të një komuniteti të caktuar gjatë raportimit të një lajmi por edhe të pasqyrojnë shqetësimet që prekin një shoqëri të caktuar.
Në këtë kontekst, adresimi i shqetësimeve dhe emërtimi i tyre shprehet në nismat ligjore që ndërmarrin qeveri të ndryshme. Kina, si emëtuesi më i madh botëror i karbonit, ka prioritare promovimin e civilizimit ekologjik – rikthimi i marrëdhënies së njeriut me Natyrën- si axhendë politike e nisur në qershor të vitit 2014 nga kryeministrit Li Keqiang, i cili e sheh këtë tip civilizimi si një filozofi të re të sjelljes me mjedisin. Kjo axhendë ka si synim luftën mbi ndotjen e ajrit, nënkuptuar, zvogëlimin e emëtimit të dioksidit të karbonit në ajër deri në vitin 2030. Ajo përputhet dhe me shqetësimin e shprehur në masën 70 për qind të kinezëve mbi ndotjen e ajrit dhe ujrave në vendin e tyre.
Nga ana tjetër, thirrjet e vazhdueshme të Presidentit Obama në Amerikë, por dhe të kandidatëve demokratë, si B. Sanders dhe H. Klinton, për uljen e emëtimit të karbonit, theksojnë pasojat e ngrohjes globale. Politikat e gjelbra të Obamës, synojnë uljen deri në një nivel 30 për qind të emëtimit të karbonit në Amerikë deri në vitin 2030.
Si vihet re, shoqëria kineze ka shqetësim parësor ndotjen e ajrit ndërsa duket se shoqëria amerikane ngre shqetësime mbi pasojat e ngrohjes globale. Politika ndërmerr nisma ligjore të cilat trajtohen mediatikisht dhe arrijnë një audiencë të caktuar kulturore. Si një kaskadë informacion-shkak-pasojë, publiku ekstrakton një pjesë të informacionit mjedisor me anë të medias dhe politika, si përgjigje ndaj shqetësimit publik, ndërmerr nisma mbrojtëse ndaj mjedisit.
Protestat e zhvilluara në prag të Konferencës për Ndryshimet Klimatike që u mbajt në Paris këtë vit janë dëshmi e shqetësimit gjithmonë e në rritje dhe ndërgjegjësimit të njerëzve lidhur me pasojat destabilizuese, në plan social e ekonomik, të ndryshimeve klimatike.
Pavarsisht nismave ligjore nga organet shtetërore, respekti për biodiversitetin dhe mosnjohja e faktorëve që ndikojnë në ngrohjen globale, janë ndoshta pasojë e nivelit të ulët të inteligjencës ekologjike te shqipëtarët. Por nuk jemi vetëm. Sipas të dhënave të vitit 2015 nga Gallup, lidhur me seriozitetin e gjendjes së ngrohjes globale që paraqitet në media, vetëm 35 për qind e amerikanëve mendojnë se ngrohja globale është e nënvlerësuar si problem ndërsa 21 për qind e tyre e konsiderojnë atë problem real! Në vendin tonë, pasojat e saj shprehen në rastin e rritjes së nivelit të rreshjeve, rrjedhimisht, përmbytjeve dhe rrëshqitjes së tokës në zonat bujqësore.
Në Shqipëri, Moratoriumi i Gjuetisë, i cili ndalon për dy vjet gjuetinë në Republikën e Shqipërisë- një formë e ruajtjes së biodiversitetit nga gjuetia e paligjshme- përfaqësoi një akt ligjor, që megjithë kundërshtimet nga Federata e Gjuetarëve është kategorik për shkak të gjendjes alarmante të faunës në vendin tonë.
Nga ana tjetër, u prezantua dhe një projektligj që përfshin një moratorium dhjetëvjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe eksportin e drurit. Shpyllëzimi i vazhdueshëm ose reduktimi i zonës pyjore në vendin tonë, deri në masën 15 për qind lidhet dhe me “tkurrjen” e faunës dhe florës në vendin tonë. Natyrisht, ky shqetësim vlen dhe në rastin e ndërtimit të HEC-ve përgjatë lumit të Vjosës.
Veç problemeve të mësipërme, kemi dhe kufizimin e hapësirave të gjelbra në zonat urbane si dhe nevojën e menjëhershme për formimin e një kulture të gjelbër, lidhur me diferencimin dhe grumbullimin në burim të mbetjeve.
Këto problematika dhe plot të tjera duhen theksuar në media nga gazetarët mjedisorë jo vetëm si raportime por edhe të përmbajnë kritikë, në përputhje me perceptimet kulturore mjedisore tek shqiptarët, të cilat shprehen edhe në sjelljet kundrejt mjedisit. Vetë media përfaqëson një formë të edukimit që nevojitet të krijojë në publikun shqiptar ato sjellje që lidhen me ruajtjen e mjedisit si dhe të formësojë kërkesat e qytetarëve ndaj politikës me qëllim, implementimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.
Përcaktimi i problemeve kryesore mjedisore dhe mënyrat e formësimit të publikut janë të lidhura drejtëpërdrejtë me sjelljet ndaj mjedisit dhe formimin e tyre, si pasojë e pasjes së kulturës së gjelbër, aq të nevojshme në shoqërinë tonë.