Home » Posts tagged 'Ndryshimet klimatike'

Tag Archives: Ndryshimet klimatike

Si t’i komunikojme ndryshimet klimatike?

Si mund ta parandalojmё dezinformimin klimatik?

shtator tё kёtij viti, rrjeti i njohur social Facebook vendosi t’i japё rreth 1 milionё dollarё specialistёve tё klimёs dhe shoqatave qё merren me kontrollin e fakteve mbi dezinformimin klimatik. Kjo nismё u ndёrmor nё kuadrin e parandalimit sё dezinformimit klimatik qё ka pushtuar rrjetin social.

Pёrmes krijimit tё “Qendrёs sё Shkencёs Klimatike” qё ofron informacion tё bazuar nё fakte, rrjeti social po merr masa jo vetёm tё parandalojё pёrhapjen e dezinformimit klimatik, por dhe tё edukojё publikun lidhur me ndryshimeve klimatike.

Dezinformimi klimatik shpёrfaqet si njё gёnjeshtёr e qёllimshme dhe e paramenduar qё bazohet nё informacion tё pasaktё mbi ndryshimet klimatike.

Prej dhjetёvjeçarёsh, ai ёshtё krijuar pёr t’i shёrbyer interesave tё manjatёve tё industrisё sё nxjerrjes dhe pёrpunimit. Pёrmes financimit tё shoqatave apo individёve tё ndryshёm, u realizuan fushata dezinformimi klimatik pёrmes kontrollit tё narrativёs nё media.

Qё prej atёhere, publiku ende priret drejt mosbesimit e deri mohimit tё ndodhjes dhe pasojave tё ndryshimeve klimatike; pre e lehtё e fabrikuesve tё dyshimit, qё pёr njё kohё tё gjatё, krijuan njё realitet tё gёnjeshtёrt. Ashtu si pas zgjimit, ndjesitё dhe mendimet e publikut, pёrkunden mes ёndrrёs dhe zhgjёndrrёs, qё i detyrohet teknikave tё dezinformimit klimatik.  

Sё pari, ato synojnё tё rrisin shkallёn e mosbesimit lidhur me konsensusin e hershёm ndёr shkencёtarё, qё ndryshimet klimatike po ndodhin dhe pasojat e tyre do tё jenё deri katastrofike, nёse nuk merren masat e nevojshme.

Sё dyti, kёto teknika synojnё tё ulin jo vetёm shkallёn e njohjes pёr kёtё problem ekzistencial por edhe shkallёn e reagimit tё secilit prej nesh. Bie fjala, ka njё mungesё tё kёrkesёs sё llogarisё tё publikut ndaj programeve politike, qё shpeshherё nuk pёrputhen me interesin dhe dёshirёn e tij, pёr njё jetё tё shёndetshme dhe dinjitoze, bazuar nё zhvillimin e qёndrueshёm.

Sё fundmi, mbase mё e rёndёsishmja, ato pёrfshijnё projektimin e skenareve optimiste pёr tё ardhmen, duke vёnё nё dyshim dhe mohuar faktet e propozuara prej autoriteteve shkencore. Mёsymja mediatike e aradhёs sё pseudoshkencёtarёve e ka bёrё publikun mosbesues ndaj autoriteteve; pёr analogji, gjatё pandemisё, mediat kombёtare promovuan dhe i dhanё hapёsirё televizive sharlatanёve duke rrezikuar shёndetin e popullatёs.

Gjendur pёrballё retorikёs antishkencore ёshtё e nevojshme tё forcohet imuniteti ndaj dezinformimit klimatik.

Si fillim, publiku ka nevojё tё njohё dhe tё kuptojё faktet mbi ndodhjen dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si pёrmes shkollave ashtu dhe medias. Nё kёtё kuptim, formimi i gazetarёve mjedisorё/klimatike nё Shqipёri, merr rёndёsi, po tё kemi parasysh edhe rreziqet klimatike me tё cilat do pёrballet vendi ynё. Paralelisht, edukimi mbi median dhe informacionin (EMI) i publikut, do ta ndihmojё tё “pikasё” teknikat e dezinformimit klimatik, qё shpёrfaqet pa teklif nё media.

Thёnё mё thjeshtё, publiku do t’i kuptojё faktet shkencore pёrmes njohjes sё thelluar sё ndryshimeve klimatike dhe teknikave tё dezinformimit.

Me shpresё, ai do tё mund tё parandalojё pёrhapjen e dezinformimit klimatik dhe mё e rёndёsishmja, do tё kёrkojё hartimin e politikave tё gjelbra, nё dobi tё jetёs sё tij dhe kujtdo, jo vetёm sot, por dhe nё tё ardhmen/ Klima.al

Bimёt mjekёsore nёn kёrcёnimin e ndryshimeve klimatike

Qё prej lashtёsisё e deri nё ditёt tona, bimët mjekësore kanë pasur rëndësi jetike pёr shёndetin e miliarda njerëzve. Ende sot, njerёzit preferojnё t’i pёrdorin ato si alternativё ndaj mjekёsisё tradicionale. Sipas tё dhёnave tё Organizatёs Botёrore tё Shёndetёsisё (OBSH) mendohet se rreth 4 miliardё njerёz nё gjithё botёn pёrdorin bimё mjekёsore.

Provat mё tё vjetra tё pёrgatitjes dhe pёrdorimit tё bimёve pёr qёllime shёrimi, i gjejmё tek Sumerёt, rreth 5 mijё vite mё parё dhe nё librin kinez 2500 vjeçar “Pen T’Sao”.

Nё Greqinё Antike, gati 400 vite para Krishtit, Hipokrati pёrmendte 300 lloje bimёsh dhe pёrdorimin e tyre. P.sh  qepa pёrdorej pёr pastrimin e parazitёve tё zorrёs, hudhra dhe majdanozi pёrdoreshin si diuretik etj.

Njё nga mjekёt mё tё njohur grekё ishte dhe Dioskoridi, nё veprёn e tё cilit De Materia Medica tё vitit 77 pas Krishtit, cilёsoheshin 657 bimё, mёnyra e pёrgatitjes dhe vetitё e tyre kurative. Dioskoridi shkruante se mbreti ilir Genti ishte i pari qё identifikoi vetitё kurative tё rrёnjёve tё bimёs Gentiana.

Qё prej kёsaj kohe, ruajtja dhe pёrcjellja e dijeve tradicionale ekologjike ku pёrfshihen dhe ato etno-mjekёsore ёshtё materializuar pёrmes dokumentimit nga studiuesit shqiptarё dhe tё huaj, kohё pas kohe.

Ne kemi njё traditё tё vyer etno-mjekёsore dhe njё shumёllojshmёri bimёsh aromatike. Por njё kёrcёnim i mprehtё pёr to, janё pasojat nё rritje tё ndryshimeve klimatike. Kjo sepse vendi ynё konsiderohet njё nga vendet mё tё rrezikuara prej ndryshimeve klimatike nё Ballkan.

Gjithashtu, praktikat e mbledhjes sё bimёve mjekёsore, pёr shkak tё nevojёs nё rritje tё njerёzve dhe industrisё farmaceutike, kanё çuar nё mbishfrytёzimin e tyre. Eksodi i vazhdueshёm dhe mёnyrat e sotme tё jetesёs, kanё sjellё gradualisht zhdukjen e kёtyre bimёve si dhe dijeve etno-mjeksore.

Ndryshimet klimatike dhe faktor tё tjerё po ndikojnё cdo ditё e mё shumё nё mbijetesёn e kёtyre bimёve qё kanё rёndёsi pёr biodiversitetin por edhe pёr popullsinё.

Pёr kёtё arsye ёshtё e nevojshme, kryerja e sa mё shumё studimeve dhe krijimi i njё regjistri kombёtar tё dijeve etno-mjekёsore vendase, tё cilat do tё shёrbejnё pёr ruajtjen e bimёve dhe pёrcjelljen e kёtyre njohurive, nё brezat e ardhshёm/Klima.al

Kriza klimatike pёrmes Edukimit mbi Median dhe Informacionin

Prej rreth tre dekadash tashmё, shkencёtarёt i njohin dhe i pranojnё rreziqet prej ndryshimeve klimatike nё ekosistemet natyrore dhe shoqёritё njerёzore. Ndryshimet klimatike, qё kanё ngёrthyer planetin tonё, nuk njihen mjaftueshёm prej publikut vendas, qё ndonjёherё shfaqet mosbesues. Pёr rrjedhojё, publiku nuk i adreson si kёrcёnime pёr jetёn e tij, nё nivelet e larta tё politikёbёrjes.

Nё kushtet e fushatёs aktuale zgjedhore, ndryshimet klimatike nuk gjejnё asfare vend nё programet politike tё partive kryesore,  pavarsisht se pasojat e krizёs klimatike nё Shqipёri, sipas raporteve, do tё jenё tё konsiderueshme.

Nga ana tjetёr, u bё kohё qё edukimi klimatik, si pjesё integrale e edukimit mjedisor, realizohet nё shkolla dhe mjedise tё tjera tё ngjashme formale e informale, bie fjala, muzeume shkencore apo organizata mjedisore vendase. Por shpesh nuk merret nё konsideratё media, e cila ka ndikim po aq tё madh nё formёsimin e ndёrgjegjes pёr klimёn, sidomos tek tё rinjtё.

Si rrjedhojё, roli i medias nё formёsimin e ndёrgjegjes pёr klimёn dhe nevojёs sё ruajtjes sё natyrёs dhe shoqёrive njerёzore ёshtё thelbёsor. Njё prej mёnyrave ёshtё formimi i gazetarёve mjedisorё, tё cilёt mund tё trajtojnё, bazuar nё dije shkencore dhe pёrmes njё gjuhё tё kuptueshme, pasojat e ndryshimeve klimatike nё Shqipёri.

Komunikimi i ndryshimeve klimatike pёrmes gazetarёve mjedisorё, do tё ndihmojё tё kuptuarit prej publikut tё krizёs klimatike dhe do ta imunizojё atё ndaj mendimeve anti- shkencore.

Njё mёnyrё tjetёr, pёr rritjen e ndёrgjegjes pёr klimёn lidhet ngushtё me edukimin mbi median dhe informacionin tё publikut. Kjo pasi edukimi klimatik pёrmes medias nuk mund tё realizohet nё kushtet e shkallёs sё ulёt tё njohurive mbi median dhe informacionin. Tё njohёsh dhe tё jesh i vetёdijshёm pёr mёnyrёn se si funksionojnё mjetet e komunikimit masiv dhe shkallёn e ndikimit tё tyre, tё ndihmon tё kuptosh pёrmbajtjen mediatike klimatike ndaj sё cilёs ekspozohemi pёrditё.

Nё kushtet e zhvillimit tё mediave sociale, çinformimi dhe dezinformimi klimatik ka pёsuar rritje eksponenciale, qё bie ndesh me faktet shkencore pёr ndryshimet klimatike, duke marrё pёrmasa alarmante lidhur me rreziqet prej tyre dhe duke i bёrё njerёzit bile edhe t’i mohojnё ato.

Njё prej rrjedhojave tё çinformimi dhe dezinfomimit klimatik ёshtё dhe aftёsia e tyre pёr tё eleminuar efektet pozitive tё njё informacioni tё saktё.

Nga ana tjetёr, kjo makineri e çinformimit dhe dezinfomimit klimatik, bie fjala pёrmes botsave, vihet kryesisht nё punё nga interesat e koorporatave tё mёdha tё industrisё sё nxjerrjes dhe pёrpunimit tё gazit dhe naftёs, informacioni i rremё replikohet si virus dhe gjen bujtёs median, pёr tu pёrcjellё mё pas tek publiku i gjerё, i cili nuk ka formuar antitrupat e duhur.

Nё kushtet e pranisё nё rrjet tё grupeve me interesa dhe besime tё ngjashme ndodh replikimi i informacioneve tё rreme dhe krijimi i njё kulture virtuale, ku tё mёsuarit ёshtё i shtrembёruar dhe dezinformimi klimatik pёrforcohet.

Ky polarizim, ndihmohet edhe nga veprimi i algoritmeve nё rrjetet sociale, qё e pёrzgjedhin informacionin nё pёrputhje me tё “shkuarёn” tonё online. Kjo pasi, pёrzgjedhja e informacionit ёshtё e pёrputhshme me besimet dhe qёndrimet tona rreth njё çёshtje tё caktuar, nё kёtё rast, ndryshimet klimatike.

Pёr kёto arsye, pёrhapja e kulturёs sё dyshimit, pёr shkak tё mungesёs sё edukimit mbi median dhe informacionin, nё vazhdim, mund tё ndikojё nё krijimin e njё publiku mosbesues, dhe qё e ka tё vёshtirё tё kuptojё, ndikimin e ndryshimeve klimatike nё jetёn e tij/ Instituti Shqiptar i Medias.

Triumfi i dyshimit

Nё kushtet kur vihen nё dyshim autoritetet shkencore, si mund tё kuptojmё dhe tё shmangim kolapsin ose rёnien e njё shoqёrie?

Sipas gjeografit tё njohur J. Diamond, njё mёnyrё pёr tё kuptuar arsyet e kolapsit ёshtё faktori mjedis. Pёrgjatё historisё, disa shoqёri i shkatёrruan habitatet ku jetonin. Pёr pasojё, ato zvogёluan resurset natyrore, qё u siguronin jetesёn. Nё ditёt e sotme, kriza klimatike qё ka ngёrthyer shoqёrinё, pёrfaqёson kёrcёnimin mё tё madh pёr mbijetesёn e saj.

Faktori tjetёr, lidhet me perceptimet dhe praktikat e anёtarёve tё njё shoqёrie kundrejt problemeve mjedisore me tё cilat ajo pёrballet.

Çdo shoqёri pёrgjatё historisё, ka formuar pёrshtatje kulturore si pёrgjigje ndaj mjedisit. Kёto pёrshtatje brendёsohen nё dijet dhe praktikat mjedisore, pjesё e kulturёs sё kёsaj shoqёrie. Nё kёtё kuptim, njohja dhe ruajtja e mjedisit merr njё rёndёsi tё veçantё, pasi pёrcakton fatin e ardhshёm tё vetё shoqёrisё.

Perceptimet dhe praktikat kulturore tё anёtarёve tё njё shoqёrie mbi rreziqet qё kёrcёnojnё mjedisin ku ata jetojnё nuk mund tё kuptohen jashtё kontekstit social. Nё fjalёt e antropologes britanike M. Douglas, ato janё njё fenomen i konstruktuar socialisht ose kulturalisht. Thёnё ndryshe, pёrgjigjia e anёtarёve tё shoqёrisё ndaj rreziqeve varet prej kontekstit socio-kulturor.

Njё qasje tё ngjashme ka dhe historiania e njohur e shkencёs N. Oreskes. Sipas saj, besueshmёria e pohimeve shkencore lidhet ngushtё me botёkuptimin qё gёzojnё anёtarёt e njё shoqёrie. Sipas Oreskes, sulmet ndaj shkencёs janё njё strategji politike. Sulmet synojnё diskretitimin e shkencёs nё sytё e publikut dhe formimin e pikёpamjeve tё gabuara shkencore.

Dyshimi ndaj autoriteteve shkencore dhe diskretitimi i shkencёtarёve, qё ndodh rёndom ndёr politikanёt e ekstremit tё majtё dhe tё djathtё, ulin shkallёn e tё kuptuarit tё arsyeve tё katastrofave mjedisore.

Me rrezikun nё rritje tё pasojave prej ndryshimeve klimatike, njohja dhe sidomos praktikat kundrejt mjedisit, lipset tё jenё nё dobi tё tij. Mё e rёndёsishmja, nё dobi tё mbijetesёs dhe tё ardhmes sё vetё shoqёrisё.

Shoku klimatik

Katastrofat natyrore sa vijnё e bёhen mё tё shpeshta dhe intensiteti i tyre pritet tё rritet nё tё ardhmen.

Nё vitin 2070 rreth 1/3 e popullsisёs botёrore do tё vuajnё prej temperaturave tё ngjashme me ato nё shkretёtirёn e Saharasё. Ky ёshtё njё nga pёrfundimet e njё studimi tё botuar nё revistёn prestigjioze Proceedings of the National Academy of Sciences. 

Nё kёto 6 mijё vite, njerёzit kanё jetuar nё rajone ku klima ka qenё pak a shumё e qёndrueshm, por nё 50 vitet e ardhshme, me rritjen e popullsisё, parashikohet se rreth 3.5 miliardё njerёz do tё ekspozohen ndaj temperatuarve ekstremisht tё larta. Studiuesit parashikuan se njё nga vendet mё tё rrezikuara do tё jetё India, ku pritet qё 1. 2 miliardё njerёz tё emigrojnё pёr pasojё.

Megjithёse nё fillim tё kёtij viti, Organizata e Kombeve tё Bashkuara (OKB) mori vendim pёr njohjen e drejtave qё duhet tё gёzojnё emigrantёt klimatikё, nё kushtet e emergjencёs klimatike, dyndja e tyre do tё jetё e atillё sa nuk do tё pёrballohet dot nga vendet pritёse.

Ngrohja globale kёrcёnon jo vetёm jetёn e njerёzve por ajo ёshtё shkak pёr shpёrthimin e valёve tё mёdha migratore, rrezikon burimet ushqimore e ujore dhe ndikon nё pёrkeqёsimin e ekonomisё.

Nga ana tjetёr, sipas njё artikulli, nё fund tё shekullit XXI parashikohet se niveli i detit do tё rritet nga 1 deri nё 10 cm. Nё kёtё mёnyrё, do tё rritet frekuenca e pёrmbytjeve por dhe erozioni i brigjeve detare.

Ashtu si nё rastin e rritjes sё temperaturave, qё do tё shkaktojnё periudha tё zgjatura thatёsire, edhe rritja e frekuencёs sё pёrmbytjeve do tё shoqёrohet me kosto tё larta ekonomike dhe turbullira sociale.

Nё kushtet e pandemisё sotme, vёmendja e qeverive nё mbarё botёn ёshtё fokusuar tek kujdesi ndaj shёndetit tё popullatёs dhe shpikja e vaksinёs. Nё mёnyrё tё ngjashme, zgjidhja globale e ndryshimeve klimatike lipset tё realizohet sa mё shpejt pёrmes uljes sё emёtimit tё gazeve serrё.

Pandemia e sotme ka krijuar probleme nё mbarё botёn por ndryshimet klimatike mund ta ndryshojnё rrёnjёsisht atё.

Tё menduarit sistemik dhe kriza klimatike

Kriza klimatike pёrfaqёson kёrcёnimin kryesor pёr ekosistemet dhe shoqёrinё njerёzore. Njё prej mёnyrave pёr ta kuptuar atё ёshtё tё adoptosh tё menduarit sistemik. Kjo paradigmё pranon se fenomene tё ndryshme duhet tё kuptohen si njё tёrёsi elementёsh tё lidhura mes tyre. Kjo pasi fenomenet dhe dukuritё janё sisteme qё pёrbёhen nga elementё qё ndёrlidhen dhe bashkёveprojnё mes tyre.

Sistemet mund tё jenё tё thjeshtё ose kompleksё. Njё sistem i thjeshtё pёrbёhet nga pak elementё, komponentё apo pjesё. Veç kёsaj, nё sistemet e thjeshta, sjellja e çdo komponenti nё pёrbёrje tё kёtij sistemi ёshtё plotёsisht e kuptueshme dhe e parashikueshme. Njё sistem i thjeshtё me pak komponentё mund tё pёrshkruhet, bie fjala, rёnia e njё objekti nga lart. Nё kёtё rast, ky sistem ka tre komponentё: objektin, ajrin dhe forcёn e rёndesёs ose gravitetin.

Gjithashtu, nё kёtё sistem ёshtё e kuptueshme dhe e parashikueshme sjellja e komponentit ose objektit qё bie nga lart. Sot kjo rёnie e objektit nuk paraqet ndonjё gjё pёr tё menduar por njё rёnie e tillё, e nxiti Njutonin qё tё zbulojё forcёn e rёndesёs.

Nga ana tjetёr, pёrshkrimi i njё sistemi tё thjeshtё, na bёn tё mendojmё se natyra dhe shoqёria njerёzore pёrbёhet nga shumё komponentё dhe pёr mё tepёr, njeriut i duhet tё bashkёveprojё me kёta komponentё, duke i njohur ata si pjesё e sistemeve ku ai bёn pjesё.

Njeriu nё çdo hap tё jetёs sё tij ndeshet me sisteme komplekse ose me sisteme qё pёrbёhen nga shumё komponentё. Edhe njё fёmijё i sapolindur e kupton se ёshtё i lidhur me nёnёn e tij, me ushqimin qё pret prej saj, me zёrin e saj, tё babait, tё tё afёrmve tё tjerё, me dritёn, me tё ngrohtin dhe tё ftohtin ….

Prej kёtej, kuptojmё se familja dhe shoqёria janё sisteme komplekse. Gjithashtu, sisteme komplekse janё truri, organizmat e gjallё dhe lidhjet e tyre me mjedisin. Pra, njeriu ёshtё pjesё e sistemeve komplekse dhe atij i duhet t’i njohё ato.

Cilat janё disa shembuj tё sistemeve komplekse? Ato i hasim nё mёnyrёn se si shpendёt migrues grupohen, se si bletёt i komunikojnё njёra- tjetrёs burimin e ushqimit, se si njerёzit formojnё rrjetet sociale, si formohet njё flokё bore, njё dunё rёre, njё turbulencё e ujёrave nё njё lumё….

Pёr tё gjitha rastet e sipёrpёrmendura kёrkohet njё shpjegim teorik, tё cilin shkencёtarёt, si gjithmonё, e kёrkojnё fillimisht nё mendimet e paraardhёsve tё tyre.

Çfarё nёnkuptonte, mbi dy mijё vite mё parё, Aristoteli kur shkruante se e tёra ёshtё mё shumё se sa shuma e pjesёve tё saj? Si lind kjo sjellje e sё tёrёs kur ajo nuk gjendet nё asnjё komponent tё saj?

Ёshtё bёrё e njohur se nё sistemet komplekse nuk ka njё lidhje pёrputhёse midis shkakut dhe pasojёs ose efektit. Nё shkencat klasike pranohej se njё shkak me pёrmasa tё vogla shkakton po njё efekt tё vogёl. Nё tё mirё tё kёtij mendimi janё tё dhёnat e mekanikёs nё fizikё. Po kёshtu, nё biologji ёshtё pranuar pёr njё kohё tё gjatё se i njёjti shkak prodhon tё njёjtin efekt nё tё gjithё individёt e njё lloji.

Studimet nё shkencat e kompleksitetit treguan se nё sistemet komplekse ndodh shpesh qё njё ngjarje e vogёl tё bёhet shkak pёr njё ndryshim tё madh. Pёr kёtё arsye ёshtё pranuar se lidhja shkak- pasojё nё sistemet komplekse nuk ёshtё lineare. Natyra jo lineare ёshtё njё veçori e sistemeve komplekse.

Tipari tjetёr i sistemeve komplekse ёshtё i lidhur me konceptin e emergjencёs dhe vetё-organizimit.

Me emergjencё kuptojmё lindjen e njё tipari tё ri ose tё njё sjelljeje tё re nё nivelin makroskopik, si rezultat i bashkёveprimeve nё nivelin mikroskopik alias nё nivelin e komponentёve qё janё pjesё e sistemit kompleks. Pёr shembull, formimi i moduleve si njёsi funksionale nё organizmat e gjalla ёshtё njё proces vetёorganizues qё karakterizohet nga lindja e njё strukture ose sjellje e re, tё panjohur dhe vёrejtur mё parё.

Por ngjarje emergjente nuk ndodhin vetёm tek organizmat e gjalla. Ngjarje emergjente ndeshen nё shoqёrinё njerёzore dhe nё natyrё. Shembuj janё boom-i nё tregun global financiar dhe ciklonet.

Studimet nё sistemet komplekse kanё filluar rreth shtatё dekada mё parё nё  matematikё, fizikё, kibernetikё, shkencat konjitive dhe meteorologji. Kohёt e fundit, ato janё shtrirё nё ekologji dhe nё shkencat sociale. Rezultatet tregojnё se nё sajё tё studimeve me anё tё teorive dhe metodave tё shkencave tё kompleksitetit, janё hapur shtigje tё reja pёr tё kuptuar nё mёnyrё holistike, natyrёn dhe shoqёrinё. Thёnё ndryshe, qasja ndaj sistemeve duhet tё jetё holistike dhe jo e bazuar nё reduksionizmin shkencor tё Dekartit.

Nga ky kёndvёshtrim, tё kuptuarit e krizёs klimatike duke u bazuar nё tё menduarit sistemik, qё pranon ekzistencёn e sistemeve komplekse, mund tё na ndihmojё tё zgjidhim problemin mё tё rёndёsishёm adaptiv qё lidhet me mbijetesёn e ekosistemeve dhe shoqёrisё njerёzore.

Pёrse u zhdukёn Neandertalёt?

Neandertalёt kishin fizik tё fuqishёm, ishin inteligjentё dhe tё aftё pёr tё menduar simbolikisht. Kreativiteti i tyre shfaqet nё pikturimet e mureve tё shpellave; ata kujdeseshin pёr tё moshuarit dhe varrosjen e tё afёrmve e shoqёronin me bimё mjekёsore; ushqimin e siguronin pёrmes prodhimit dhe pёrdorimit tё veglave tё punёs tё sofistikuara. E megjithatё, rreth 30 mijё vite mё parё, Neandertalёt u zhdukёn.

Nё njё studim tё fundit tё botuar nё revistёn shkencore PLOS One studiuesit argumentuan se fertiliteti i ulёt dhe ndryshimet klimatike ishin arsyet qё sollёn zhdukjen dhe zёvendёsimin e tyre me popullata tё Homo sapiens. Prej njё modeli demografik, bazuar tek tё dhёnat e pёrftuara prej vёzhgimit tё shoqёrive gjuetarё-mbledhёse dhe grupeve sociale tё primatёve, studiuesit pёrcaktuan faktorёt qё ndikuan nё zvogёlimin e popullatёs sё Neandertalёve. Sipas tyre, popullata e paqёndrueshme e Neandertalёve mund tё ketё marrё goditjen pёrfundimtare prej pasojave tё ndryshimeve klimatike.

Kёshtu, prej studimit tё variacionit tё izotopeve tё karbonit dhe oksigjenit nё dy shpella nё Rumani, studiuesit ishin nё gjendje tё detajonin historinё e klimёs nё Evropёn Qendrore. Ata arritёn nё pёrfundimin se ndryshimet e klimёs gjatё periudhёs sё fundit tё Epokёs sё Akullit ndikuan nё uljen e numrit tё Neandertalёve. Kjo pasi temperaturat e ftohta pёr njё kohё tё gjatё u shoqёruan me thatёsira. Pёr pasojё, stresi ekologjik i shkaktuar prej tё ftohtit dhe thatёsirave nё mijёra vite, ndikoi ciklin e rёnies sё popullatёs sё Neandertalёve dhe zёvendёsimin e tyre me Homo sapiens.

Nё kёtё studim, pёrjashtohet mundёsia qё shfaqja e njeriut nё arenёn evolutive tё ketё qenё arsyeja e vetme e zhdukjes sё Neandertalёve. Thёnё ndryshe, megjithёse nuk pёrjashtohen konfliktet pёr burime ushqimi mes tyre dhe popullatave njerёzore por dhe Denisovanёve, Neandertalёt nuk mundёn tё pёrballonin dhe tё zgjidhnin problemet e reja tё mbijetёsёs, qё u shfaqёn gjatё ndryshimeve klimatike dhe tё linin pasardhёs. Duket se ata nuk zotёronin aftёsi tё atilla biokulturore, me anёn e tё cilave tё formonin pёrshtatje qё t’i pёrgjigjeshin mozaikut tё problemeve adaptive.

Nga ky kёndvёshtrim, arsyet e zhdukjes sё tyre duhen kёrkuar nё shumёsinё e problemeve adaptive me tё cilat u pёrballen kushёrinjtё tanё evolutivё.

Burime:

Degioanni, A., et al. (2019). Living on the edge: Was demographic weakness the cause of Neanderthal demise? PLOS ONE, 14 (5): e0216742. doi: 10.1371/journal.pone.0216742

Hoffman, D. L. et al. (2018). U-Th dating of carbonate crusts reveals Neanderthal origin of Iberian cave. Science, 359 (6378): 912-915

Pёrballja me lajmin e rremё shkencor

Nё librin “21 Leksione pёr shekullin e 21” historiani i mirёnjohur izraelit Yoval Noah Harari shkruan se njeriu ёshtё njё lloj i epokёs sё “post-tё vёrtetёs” sepse karakteristika e tij kryesore ёshtё aftёsia pёr tё krijuar dhe pёrhapur trillime. Pёrgjatё prehistorisё dhe historisё sё njeriut, krijimi dhe ndarja e tyre me njerёz tё tjerё i kanё ndihmuar shoqёritё njerёzore tё rrisin bashkёpunimin mes njёra tjetrёs, pёr tё zgjidhur si duhet problemet adaptive.

Arsyetimi i Hararit gjen shprehje nё epokёn e sotme dixhitale, ku pёrfundimet e mbёshtetura mbi fakte sa vijnё e vihen nё dyshim prej besimeve tё bazuara nё pёrvojёn tonё vetjake dhe emocioneve. 

Pёrhapja e trillimeve, qё sot njihen si lajme tё rreme, po arrihet lehtёsisht dhe me shpejtёsi pёrmes Internetit dhe rrjeteve sociale. Nga moria e shembujve qё rrezikojnё mbijetesёn tonё, pёr tu pёrmendur, janё dyshimet e publikut mbi krizёn klimatike dhe sigurinё e pёrdorimit tё vaksinave.

Prej njё studimi tё botuar nё korrik tё kёtij viti nё revistёn shkencore Frontiers in Communication rezultoi se mesazhet mbi ndryshimet klimatike qё pёrcillnin 107 video tё publikuara nё YouTube, nga 200 video me tematikё tё ngjashme tё analizuara, binin nё kundёrshtim me mendimet e pranuara gjerёsisht ndёr shkencёtarё. Si merret me mend, video me pёrmbajtje tё tillё pseudoshkencore, janё tё pёrputhshme me mendimet e njё pjese tё publikut lidhur me pasojat e krizёs klimatike qё ka ngёrthyer njerёzimin.

Nga ana tjetёr, pёrhapja nё rrjet e dyshimeve mbi sigurinё e vaksinave prej njerёzve dhe grupeve anti-vaksinё po rrezikon njё aspekt tjetёr tё mbijetesёs, shёndetin e popullatёs. Qё kur njё artikull pseudoshkencor, qё parashtronte lidhjen mes autizmit dhe vaksinёs MMR, mori vёmendje mediatike rreth dy dekada mё parё, frika e paarsyeshme ka pushtuar njerёzit duke u materializuar nё vendimarrje tё pashёndetshme. Lёvizjet anti-vaksinё vazhdojnё tё pёrhapin dyshime mbi sigurinё e vaksinave pёrmes rrjeteve sociale dhe numri i fёmijёve tё pavaksinuar ёshtё rritur.

Polarizimi i publikut mbi kёto dy çёshtje mundёsohet edhe nga pёrhapja e trillimeve prej politikanёve pёrmes rrjeteve tё tyre sociale. Mёnyra se si ne e kuptojmё njё informacion tё caktuar shkencor pёrputhet me besimet dhe qёndrimet tona personale. Nё kёtё kuptim, ne pranojmё dhe mbajmё mend, ato lajme qё janё tё pёrputhshme me bindjet politike. Thёnё ndryshe, disa nga trillimet e politikanёve, pёrforcojnё besimet dhe qёndrimet tona.

Ashtu si magjistari Çipola, tek novela e Nobelistit gjerman Tomas Man “Mario dhe Magjistari”, politikanёt pёrdorin ndjeshmёritё e publikut pёr tё ushtruar kontroll ndёrsa disa herё, janё pasqyrё e besimeve dhe qёndrimeve tё tij. Ky “efekt i Magjistarit”, qё shoqёrohet fillimisht me habi, mё pas dyshime dhe deri kontroll tё magjistarit mbi vullnetin e lirё tё publikut, minon besueshmёrinё e publikut ndaj autoritetit shkencor.

Nё ndryshim nga trillimi qё merr pёrmasa fatale nё novelёn e Manit, tё rёnit pre e retorikёs populiste dhe lajmeve tё rreme shkencore mund tё shmangen duke marrё tё tjera masa. Si fillim, gazetarёt dhe shkencёtarёt duhet tё bashkёpunojnё fort mes tyre pёr tё siguruar cilёsinё e lajmit shkencor. Po ashtu, vetё shkencёtarёt duhet tё ngrenё zёrin kur hasin lajme me pёrmbajtje tё rreme shkencore nё media. Angazhimi i tyre publik dhe pёrdorimi i rrjeteve sociale pёr pёrhapjen e lajmit shkencor, mund tё rrisё besimin e publikut tek vetё shkenca. Nё kёtё mёnyrё, ne do tё jemi tё “imunizuar” ndaj lajmeve tё rreme shkencore, qё tё mёsojmё tё pёrballemi dhe tё zgjidhim si duhet problemet qё rrezikojnё mbijetesёn tonё.

Burime:

Allgaier, J. (2019). Science and environmental communication on YouTube: Strategically distorted communications in online videos on climate change and climate engineering. Frontiers in Communication. http: //doi.org/10.3389/fcomm.2019.00036

Hopf, H., et al. (2019). Fake science and the knowledge crisis: ignorance can be fatal. Royal Society Open Science. http: //dx.doi.org/10.1098/rsos.190161

Murphy, G., et al. (2019). False memories for fake news during Ireland’s abortion referendum. Psychological Science. http: //dx.doi.org /10.1177/0956797619864887

I nxehti i njё qyteti

Ndryshimet klimatike po ndikojnё cilёsinё e jetёs sё njerёzve nё qytete. Fundi i qershorit shënoi temperatura të larta e të pazakonta në qytete tё ndryshme nё Francë, Gjermani, Poloni, Zvicër dhe Republikën Çeke.

Vdekjet e shkaktuara prej të nxehtit prekin më së shumti fëmijët dhe të moshuarit. Të rrezikuar janë dhe njerëzit që vuajnë prej sëmundjeve kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes. Vala e të nxehtit që goditi Evropën në vitin 2003 shkaktoi vdekjen e rreth 70 mijë personave. Në të ardhmen, numri i viktimave prej temperaturave të larta, pritet të rritet.

Meqenëse valët e të nxehtit do të shpeshtohen, njerëzit që jetojnë në qytete do të vuajnë më shumë. Kjo pasi,  nxehtёsia e qytetit “zihet nё kurth” prej betonit dhe asfaltit. Thёnё ndryshe, ka njё ndryshim tё madh mes temperaturёs nё qytet dhe nё rrethinat e tij.

Në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë u zhvendos drejt zonave urbane dhe qyteteve të mëdha si Tirana, në kërkim të një jete më të mirë. Në Tiranë, urbanizimi u shoqërua me ndërtime të pakontrolluara dhe zaptim të hapësirave të gjelbra. Kështu, në gati tre dekada, iu hap rrugë betonizimit dhe reduktimit të parqeve ose hapësirave të tjera të lira të qytetit të dikurshëm.

Në kushtet e sotme, një zgjidhje sado e këtij problemi do të ishte kontrolli i planifikuar i ndërtimeve,  mbjellja e pemëve dhe shtimi i parqeve, sidomos në zonat e mbipopulluara. Gjithashtu, për shkak të vazhdimit të trendit të ndërtimeve, njё zgjidhje e dёshiruar afatshkurtёr do të ishte ndërtimi i tarracave të gjelbra si dhe lyerja me ngjyra të hapura e ndërtesave dhe rrugëve.

Tejet shqetësues për studiuesit është fakti se valët e të nxehtit dhe cilësia e ulët të ajrit janë të lidhura mes tyre. Në mos veç e veç, të kombinuar së bashku, këto dy faktorë ndikojnë në shëndet. Nga kërkimet për ndotjen e ajrit ka rezultuar se ajri me prani të lartë dioksidi karboni dhe squfuri shkakton sëmundje të mushkërive. Sipas Indeksit të Ndotjes për vitin 2019, Tirana klasifikohet një ndër qytetet më të ndotura në Botë. Masat qё duhen marrё pёr pёrmirёsimin e cilёsisё sё ajrit nё Tiranё nuk duhen mbetur në letër. Ato duhet tё jenё tё vendosura e tё menjёhershme. Kjo pasi në zonat urbane ku temperaturat dhe niveli i ndotjes janë të larta, edhe vdekshmëria është e lartë.

Zgjidhja e këtij problemi, do të ishte ulja e nivelit të ndotjes në qytet, në sajë të vendimarrjeve të gjelbra politike. Zvogëlimi i gjurmës së karbonit në qytet mund të arrihet përmes përmirësimit të mëtejshëm të transportit publik, optimizimit të eficensës së energjisë në ndërtesa dhe përdorimit të paneleve diellorë. Këto janë vetëm disa nga masat që mund të merren në nivel lokal. Ama rol vendimtar luajnë edhe kërkesat e qytetarëve ndaj politikbërësve.

Në kushtet e zhvillimit të pakontrolluar për gati tre dhjetëvjeçarë, në mënyrë që qyteti të jetë i jetueshëm, lind nevoja për marrjen e masave në dobi të shëndetit të qytetarëve. Këto masa, lipset të jenë të përputhshme me trendin e gjelbër, që vendimarrёsit tanë politikё duhet ta përqafojnë dhe ta pёrfshijnё nё axhendёn e tyre. Nё tё kundёrt, qytetarёt e Tiranёs por dhe tё qyteteve tё tjera nё Shqipёri, qё nё tё ardhmen do vazhdojnё tё pёrjetojnё egёrsisht valёt e tё nxehtit, do tё vuajnё pasojat e pritshme.