Home » Posts tagged 'Homo luzonensis'

Tag Archives: Homo luzonensis

Zbulimi i Homo luzonensis hedh dritë mbi evolucionin e njeriut në Azinë Juglindore

  • Fragmente fosilesh të një hominini u gjetën në shpellën Kalao, në ishullin Luzon në Filipine
  • Ato datojnë nga 50 mijë deri 67 mijë vite më parë
  • Këto fosile i përkasin një hominini të emërtuar Homo luzonensis
  • Ky lloj ka jetuar në të njëjtën kohë me Homo floresiensis

Në vitin 2007 u zbulua një fragment kockor i një hominini në shpellën Kalao, që gjendet në ishullin Luzon në Filipine. Gërmimet që pasuan në vitin 2011 dhe vitin 2015, i furnizuan studiuesit me fragmente të ndryshme kockore. Fillimisht, prej analizimit të tyre, ata arritën të përcaktonin se ato i përkisnin një lloji që përfshihet në gjininë Homo, gjini ku bën njeriu i sotëm dhe kushërinjtë e tij evolutivë.

Ndër vite u arrit të përcaktohej mosha e fosileve, që varionte nga 50 mijë deri në 67 mijë vite më parë.

Prej një studimi të publikuar në 11 prill të këtij viti në revistën Nature, u arrit në përfundimin se fragmentet kockore të zbuluara në vitin 2007 me moshë 67 mijë vjecare sëbashku me fragmentet e tjera, i përkisnin një lloji të ri që artikullshkruesit e emërtuan Homo luzonensis.

Ky zbulim ka rëndësi për dy arsye. Arsyeja e parë lidhet me faktin se në pemën evolutive të njeriut është shtuar dhe një lloj i ri. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se zbulimi i këtij lloji të ri në Azinë Juglindore, që ka jetuar në të njëjtën kohë me Homo floresiensis, tregon se dinamika e evolucionit mozaik të njeriut në këtë rajon, është më e ndërlikuar nga sa pritej.

Deri në kohën kur do të kryhet ekstraktimi i ADN-së prej fosileve, na mbetet të presim nëse ky hominin përfaqëson me të vërtetë një lloj të ri në kladën e njeriut dhe më e rëndësishmja, përcaktimi i marrëdhënieve gjenetike me kushërinjtë e tij evolutivë.

Burime:

Détroit, F. et al. (2019). A new species of Homo from the Late Pleistocene of the PhilippinesNature, 568: 181. DOI:10.1038/s41586-019-1067-9.

Mijares, A. S. et al. (2010). New evidence for a 67,000-year-old human presence at Callao Cave, Luzon, Philippines. Journal of Human Evolution, 59: 123–132.