Home » Te tjera » Koncepsioni i darvinizmit universal në shtjellen e debatimeve

Koncepsioni i darvinizmit universal në shtjellen e debatimeve

Start here

Kjo trajtesë merr në konsideratë disa implikime të teorisë darviniane së seleksionit nё shkencat sociale.

Koncepti i shkakёsisё sipas Darvinit

Ndër katër tipet e shkakёsisё aristoteliane: formale, materiale, finale dhe eficente, kjo e fundit d.m.th shkakёsia eficente ёshtё e ngjashme me konceptin e shkakёsisё nё shkencat moderne natyrore (Hodgson 2004) ku termi eficent nё kёtё rast i referohet njё rezultati optimal pas aftёsisё pёr tё pasur thjesht një efekt të çfarёdoshёm. Për shkencat e natyrёs, çdo shkak pёrfshihet nё njё transformim tё materies dhe energjisё.

Fillimisht u pranua se i njёjti shkak jep tё njёjtat efekte. Filozofёt natyralistё të shekullit XVIII e hodhёn poshtё kёtё mendim me tё dhёnat e pёrftuara nga biologjia. P.sh kontakti me virusin e gripit (shkaku) shoqёrohet me sёmundjen e gripit (efekti) por ndonёse njerёzit nё njё popullate janё nё kontakt me virusin, jo tё gjithё mund tё sёmuren.  Nga kёto vëzhgime, por nё rradhё tё parё nga studimet nё fizikёn kuantike, u arrit nё pёrfundimin se natyra e determinizmit ёshtё mё komplekse. Fakti se shprehja e njё veprimi (shkaku) mund ose jo tё shfaqet (efekti) u pasqyrua nё konceptin e determinizmit statistikor. Nё kёto raste bёhet fjalё pёr efekte stokastike ose pёr njё natyrё probabilitare tё shkakёsisё. Me konceptin e determinizmit statistikor filluan tё shpjegohen edhe fenomenet biologjike.

Pёr Darvinin, shkenca ёshtё njё shpjegim shkakёsor. Falё kёtij guximi, ai kapёrceu kurthin e doktrinave fetare. Ёshtё thёnё se arsyeja pse Darvini e vonoi pёr rreth 20 vite botimin e veprёs sё tij ka qenё frika e armiqёsisё ndaj pikёpamjeve tё tij filozofike materialiste. Mendja e Darvinit punonte me shpjegime shkakёsore dhe ai nuk mendonte se variacionet lindin pa shkak, nё mёnyrё spontane. Ai pohonte se: “variacione tё tilla aksidentale duhet tё jenё prodhuar nga shkaqe tё panjohura, nuk ka dyshim, se çdo variacion duhet tё ketё shkakun e tij eficent” . Koncepti i shkakёsisё ishte pёrqafuar edhe nga miqtё e Darvinit. Pёr Th. Huxleyin ideja e njё ngjarjeje spontane, pa shkak, ishte absurde dhe e papranueshme.  “Shkenca- shkruante Haksli-  ёshtё asgjё pa zbuluar shkakun prapa fenomenit “. Po kёshtu, G. Romanes pohonte se: “ Mbi tё gjitha, darvinizmi nёnkupton  njё analizё kauzale”. Sipas tij, shqetёsimi kryesor i shkencёs nuk janё faktet por zbulimi i shkaqeve.

Por nuk mendonin nё tё njёjtёn mёnyrё bashkёkohёsit e tyre. P.sh themeluesi i filozofisё pozitiviste, A. Comte thoshte se “kёrkimi pёr shkaqet ёshtё i kotё”. Duhet theksuar se Konti nuk i qёndroi besnik kёtij mendimi. Ndoshta kontributi mё thelbёsor i takon Darvinit nё lidhje me raportin e tij me konceptin e teleologjisё. Darvini e “ pёrzuri” kёtё koncept nga biologjia e pёr rrjedhojё, dhe nga shkencat sociale. Ndonёse Darvini pranonte njё shpjegim shkakёsor, ai e mohonte ekzistencёn e njё qёllimi nё natyrё, d.m.th telelogjinё. Nё kёtё pikё, kontributi i Darvinit ka qenё epokal. “ Zot- shkruante ai- mё shpёto nga dokrrat Lamarkiane! ”. Si dihet, dokrrat lamarkiane kanё tё bёjnё me praninё e prirjeve tё brendshme drejt pёrsosjes. Me kёto prirje, J.B. Lamarck zёvendёsoi mekanizmin real nga i cili ndodh evolucioni. Ky mekanizёm ёshtё seleksioni, shpjegimi kauzal i tё cilit bёri tё mundur suksesin e darvinizmit nё filozofi.

Kompleksiteti

Ideja e evolucionit ёshtё e lidhur me rritjen e kompleksitetit nё kohё: fillimisht ka pasur sisteme tё thjeshta (organizmat aqelizorё, organizmat njёqelizorё, organizmat shumёqelizorё pa sistem nervor etj) tё cilat pasohen me sisteme tepёr komplekse (organizmat shumёqelizorё me sistem nervor, gjitarёt, majmunёt, njeriu, shoqёria njerёzore). Teoria tradicionale e evolucionit nuk ka pasur ndonjё metodё pёr tё analizuar kompleksitetin dhe pёr kёtё arsye, shpjegimet kanё qenё impresione intuitive. Nё dekadat e fundit janё formuluar disa teori tё cila ofrojnё koncepte dhe parime pёr modelimin e sistemeve komplekse: teoria e informacionit, teoria e sistemeve tё pёrgjithshme, termodinamika, teoria e katastrofave, sistemet komplekse adaptive etj. Megjithёse janё zhvilluar  shkencat e kompleksitetit, vetё koncepti kompleksitet mbetet i paqartё. Fjala latine complexus do tё thotё “ e pёrdredhur sёbashku, prani  e dy ose mё shumё komponentёve tё cilat bashkohen nё njё mёnyrё tё tillё sa ёshtё e vёshtirё ndarja veçmas e tyre”. Nё kёtё koncept ne gjejmё dualitetin midis pjesёve tё cilat janё nё tё njёjtёn kohё tё dallueshme dhe tё lidhura. Prej kёtej, intuitivisht arrihet nё pёrfundimin se njё sistem ёshtё mё kompleks nёse pёrbёhet nga mё shumё pjesё dhe nёse ka mё shumё lidhje midis pjesёve. Pjesё tё tilla tё organizmit janё grimcat elementare,  atomet, monomerёt, polimerёt, organelet, qelizat, indet dhe organet etj.

Nё kёndvёshtrimin evolutiv, ka interes se si janё formuar pjesёt d.m.th si ka ndodhur procesi i rritjes sё varietetit i quajtur diferencim dhe si janё lidhur kёto pjesё nё procesin e quajtur integrim (Heylighen, F., & Chielens, K. 2009 ). Pёr kёtё qёllim, na duhet tё pёrshkruajmё evolucionin nё mёnyrё tё pёrgjithshme, nga grimcat elementare deri tek kultura njerёzore. Ky pёrshkrim do tё konceptualizohet si pёrballja midis variacionit dhe seleksionit.

Gjatё evolucionit, qoftё ky kozmik, kimik, biologjik apo social-kulturor, krijohen gjithmonё konfiguracione tё ndryshme prej atyre tё mёparshme. Krijimi apo prodhimi i variacioneve ёshtё njё fenomen i pashmangshёm natyror dhe shoqёror. Shembujt mё tё qartё tё kёtyre variacioneve i gjejmё nga biologjia dhe konkretisht nga mutacionet. Po kaq evident ёshtё fakti se variacioni si fenomen mbahet nёn kontroll me anё tё seleksionit. Seleksioni ёshtё eleminimi ose reduktimi i numrit tё konfiguracioneve qё janё prodhuar nga variacioni. Seleksioni zvogёlon çrregullsinё ose entropinё pasi ai redukton numrin e mundёsive.

Ekzistenca e seleksionit vjen nga fakti se nё pёrgjithёsi, jo tё gjithё konfiguracionet ose variantёt janё tё qёndrueshme nё mёnyrё tё barabartё. Kёshtu, ndodh qё variacioni prodhon çrregullsi dhe seleksioni prodhon rregullsi. Nё konfliktin midis tyre lind njё veçori e re e quajtur fitness. Fitnesi ёshtё njё veçori e njё sistemi qё pёrcakton probabilitetin e seleksionit tё tij d.m.th probabilitetin e mbijetesёs dhe tё riprodhimit tё tij kurse nё sistemet jo tё gjalla nёnkupton vetёm mbijetesёn. Kёshtu, fitnesi darvinian nuk ka kuptim pёr sistemet jo tё gjalla ashtu siç interpretohet nga disa studiuesё.

Evolucioni sociokulturor

Nё shkencat sociale, koncepti i evolucionit sociokulturor bёn pjesё nё ato koncepte qё janё tepёr tё diskutueshme dhe tё vёshtira pёr t’u shpjeguar. Arsyeja ёshtё e dyfishtё. Nga njёra anё, teoritё evolucioniste tё shoqёrisё njerёzore fatkeqёsisht janё asociuar me ideologji tё ndryshme raciale, tё kombit e klasave dhe nga ana tjetёr, koncepti i evolucionit, identifikohet me evolucionin biologjik. Shpesh nuk bёhet e qarte se ç’kuptojmё ne kur flasim pёr evolucionin sociokulturor. P.sh  a ёshtё i njёjtё evolucioni sociokulturor me historinё humane?

Pёr pyetje tё kёsaj natyre fillimisht na duhet tё ndjekim historinё e mendimit evolucionar ku duhen dalluar dy momente. Momenti i parё i pёrket Iluminizmit dhe tё ashtuquajturit Shekull i Arsyes. Pёr Iluministёt, historia humane shihej si progres i gjithё qёnies njerёzore e cila konsiderohej parimisht e barabartё nё tё gjithё botёn dhe e aftё pёr tё njёjtat arritje. Pёr kёtё arsye, ekzistenca e kulturave dhe e shoqёrive tё ndryshme analizoheshin si variacione tё tё njёjtёs temё. Iluministёt i vlerёsonin dhe i klasifikonin kulturat si stade tё ndryshme tё njё skeme universale suksesioni apo njёpasnjёshmёrie. Sipas tyre, forca drejtuese e historisё ose evolucionit sociokulturor ёshtё aftёsia e njerёzve tё shpikin ide tё reja, tё bёjnё zbulime dhe tё rrisin pushtetin e tyre mbi natyrёn nёpёrmjet shkencёs dhe teknologjisё. Kuptohet se asokohe nuk kishte dyshim se shoqёria europiane ishte shoqёria mё progresive. Duhet theksuar se ky mendim nuk kishte tё bёnte me racizmin dhe me tё ashtuquajturёn supremaci tё kombeve europiane mbi kombet e tjera. Koncepti i “fisnikut tё egër” ilustron mё sё miri mendimin e mёsipёrm: njerёzit janё tё mirё nga natyra por normat dhe vlerat e kёqija, pёrfshi kёtu dhe ato tё shoqёrisё europiane, i korruptojnё njerёzit dhe i çojnё ata kundёr natyrёs sё tyre tё vёrtetё.

Momenti i dytё historik i mendimit evolucionar ka tё bёjё me lindjen e neo-darvinizmit, nё kohёn e sintezёs sё gjenetikёs me disiplinat tradicionale biologjike. Kёtij momenti i pёrket lindja e ideologjisё sё gjenit dhe determinizmit gjenetik. Koncepti i gjenit zё njё vend qendror nё shkencat e jetёs. Sa herё qё biologjisё i kёrkohet njё paradigёm tjetёr ajo nuk “përpiqet” ta gjejё atё sepse tashmё studiuesit janё “mёsuar”  me gjenet. E tashmё, ёshtё vёshtirё ta rrёzosh gjenin nga froni i tij mbretёror jo vetёm nё biologji por edhe nё shkenca tё tjera.

Megjithatё, ka mё shumё se dy dekada qё ka lindur jo vetёm njё fushё e re studimi por edhe me sa duket dhe njё paradigmё e re. Kjo fushё studimi quhet psikologji evolutive. Ndikimi i saj mё i madh mendohet se ёshtё ndryshimi i metodave standarte tё shkencave sociale apo siç quhet ndryshe, Modeli Standart i Shkencave Sociale. Nё ditёt e sotme, psikologjia konsiderohet degё e biologjisё e cila merret me studimin e trurit, mёnyrёn se si truri proceson informacionin dhe se si programet qё procesojnё informacionin arrijnё tё prodhojnё njё sjellje tё caktuar ( Barkow et al 1992). Fakti se njё specialist i shkencave sociale mёson se truri i njeriut percepton, e depoziton informacionin dhe se si prej kёtij informacioni arrin tё kryejё njё sjellje tё caktuar, tregon pёrfshirjen e kёtij shkencёtari nё parimet dhe metodat e shkencave natyrore. Konkretisht, pёr njё studies nё fushёn e shkencave sociale nuk janё mё tё huaja kёto parime:

  1. Truri ёshtё njё sistem fizik. Ai funksionon si njё kompjuter. Modulet e tij, d.m.th njёsitё funksionale tё trurit, janё formuar dhe formohen pёr tё gjeneruar sjellje tё cilat i pёrgjigjen rrethanave tё caktuara mjedisore.
  2. Modulet janё formuar nga veprimi i seleksionit natyror. Ato zgjidhin probleme me tё cilat janё ndeshur stёrgjyshёrit tanё gjatё historisё evolutive tё llojit Homo sapiens.
  3. Modulet e ndryshme janё specializuar pёr tё zgjidhur probleme te ndryshme pёrshtatёse.
  4. Nё trurin tonё ndodhet mendja e Epokёs sё Gurit.

Nё bazё tё kёtyre parimeve, njerёzit mund ti pёrgjigjen nё njё dritё tё re disa pyetjeve qё kanё natyrёn e mёposhtme: Pёrse gratё shtatzanё nё muajt e parё tё barrёs, pas ngrёnies vjellin sidomos ushqimet me mish? Pёrse meshkujt  preferojnё njё partnere tё paraqitshme? Fillimisht darvinizmi duke qenё njё teori deterministe, kёrkon tё gjeje nё çdo fenomen, shkakun e tij. Nё tё dy pyetjet tona shkaku duhet kёrkuar nё rёndёsinё qё ka zgjedhja e ushqimit dhe e partnerit, pёrkatёsisht pёr mbijetesёn dhe riprodhimin e njeriut. Pёrgjigja pak a shumё ёshtё kjo: Ato gra tё cilat janё mё pёrzgjedhёse ndaj ushqimeve me toksina kanё mё pak mundёsi qё fёmija i tyre tё helmohet dhe ato tё abortojnё. Si pasojё, seleksioni natyror ka favorizuar ato gra tё cilat kanё qёnё pёrzgjedhёse me ushqimet qё hanin gjatё barrёs dhe pёr kёtё arsye, vjellja i ndihmon tё mbrohen ndaj toksinave qё pёrmbajnё ushqimet.

E njёjta pёrgjigje vlen dhe pёr pyetjen tjetёr: Ata meshkuj qё preferojnё femra te paraqitshme nёnkupton qё zgjedhin ato mё pjellore. Seleksioni seksual ka favorizuar burrat tё cilёt zgjodhёn gratё e paraqitshme dhe pёr pasojёm gra pjellore sepse nё kёtё mёnyrё, kёta burra mund tё linin mё shumё pasardhёs. Siç vёrehet, pёrgjigjet e pyetjeve ka nё bazё shkakёsinё pasi pёr studiuesit vlejnё gjithnjё pohime se nuk mund tё ketё fenomen apo proces natyror pa njё shkak. Nga ky kёndvёshtrim, tё gjithё fenomenet natyrore, duke pёrfshirё kёtu dhe proceset mendore, kanё njё shkak. Shkakёsia nuk ёshtё privilegj i fenomeneve biologjike apo fenomeneve kulturore. Shkakёsia shprehet nё çdo fenomen tё botёs jo tё gjallё. Pёr kёtё arsye, paradigma darviniane  e seleksionit vlen jo vetёm pёr fenomenet biologjike por edhe fenomenet e botёs  jo tё gjallё. Si rrjedhojё e kёsaj shtrirjeje tё veprimit tё seleksionit dhe tё pranisё sё shkakёsisё, teoria darviniane mund tё konsiderohet universale.

Njё arsye tjetёr e lindjes sё konceptit tё darvinizmit universal ёshtё fenomeni i kompleksitetit. Ashtu si u tregua mё sipёr, koncepti i evolucionit ёshtё i lidhur me rritjen e kompleksitetit  qё nis me grimcat elementare d.m.th me evolucioni kozmik dhe vijon me evolucionin kimik, biologjik dhe sociokulturor. Kjo do tё thotё se nё bazё tё çdo lloj evolucioni, qoftё ky kozmik, kimik, biologjik apo sociokulturor, ёshtё seleksioni universal. Pёr zhvillimin e procesit tё seleksionit nevojiten tre kushte:

a)      Prania e variacioneve tё njё forme tё dhёnё siç ёshtё  p.sh. prania tek fluturat e ngjyrёs sё zezё apo tё bardhё;

b)      Seleksionimi i variantit mё tё pёrshtatur siç ёshtё pёrparёsia pёr tё jetuar dhe lёnё pasardhёs e fluturave tё zeza nё mjedisin e ndotur;

c)      Ruajtja e pandryshuar e tiparit tё ri ose trashёgimia e kёtij tiparin nё brezin pasardhёs e kёshtu me rradhe.

Pasi varianti mё i pёrshtatur ёshtё ruajtur, ai i nёnshtrohet sёrish ndryshimit dhe fillon njё seri tjetёr e veprimit tё seleksionit. Mekanizmi i mёsipёrm ёshtё i ngjashёm me procedurёn e zgjidhjes sё njё problemi nёpёrmjet provёs dhe gabimit. Pra, evolucioni mund tё trajtohet si njё kёrkim pёr tё pёrftuar zgjidhjen mё tё mirё tё mundshme tё njё problemi. Nё konceptin e darvinizmit universal, organizmat e gjallё janё zёvendёsuar me modele, sisteme apo fenomene. I tillё ёshtё rasti i memit. Memi ёshtё njё model informacioni nё trurin e njeriut i cili mund tё kalojё nga njё person nё tjetrin (Dawkins 1976). P.sh nё njё fshat ka vetёm njё individ qё bёn voza. Memi si pёrfaqёsim mendor. qё nё shembullin tonё ёshtё dija pёr tё bёrё voza, mund tё kalojё nё brezin pasardhёs vetёm nёse mjeshtri  ia mёson zanatin njё personi tjetёr dhe nёse personi nё fjalё arrin tё mbijetojё. Nё kёtё rast, memi konsiderohet njё njёsi kulturore, i cili i nёnshtrohet seleksionit kulturor dhe vetё fenomeni quhet evolucion kulturor  (Blackmore  2000). Kur sistemi ёshtё i qёndrueshёm, i fortё, ai ka mundёsi mё shumё tё gjendet nё njё mjedis dhe pёr rrjedhojё,  ekzistenca e tij nё kohё ose mbijetesa ёshtё e lartё. Kjo ekzistencё nё kohё, ose mbijetesё e sistemit, mund tё sigurohet nё dy mёnyra:

  1. Mёnyra mё e shpeshtё e ruajtjes nё kohё e njё sistemi ёshtё mungesa e bashkёveprimit tё kёtij sistemi me mjedisin.
  2. Mёnyra tjetёr ёshtё ajo e riprodhimit, d.m.th e krijimit tё kopjeve tё vetvehtes ose tё replikatorёve. Nё kёto raste bёhet fjalё pёr sisteme, ekzistenca nё kohё e tё cilave behet e mundur prej bashkëveprimeve tё bazuara mbi informacion (Roederer 2003).

Sistemeve tё caktuara materiale iu bё e mundur ekzistenca e tyre nё kohё kur lindi bashkёveprimi i bazuar nё informacion dhe kur ky bashkёveprim u bё kusht i ekzistencёs sё sistemeve. Kjo mёnyrё ekzistence ёshtё karakteristike vetёm e organizmave tё gjallё. Sipas konceptit tё darvinizmit universal do tё pranojmё veprimin e seleksionit dhe evolucionin e kёtyre sistemeve nё dy rastet e ekzistencёs sё tyre por nё sistemet e gjalla, koncepti i fitnesit nёnkupton njёkohёsisht mbijetesёn dhe riprodhimin. Nga ky kёndvёshtrim, ka vlerë koncepti i darvinizmit universal për tё cilin u analizuan pёrshkallёzimi nё kohё i kompleksitetit nё bazё të shkaqeve natyrore.

Shembuj tё teorisë universale darviniane

Evolucioni biologjik ёshtё njё proces qё ka tre pёrbёrёs: prania e variacioneve, seleksioni natyror dhe trashёgimia. Pёrbёrёsi i parё, pra variacionet, nё organizmat e gjallё (pёrfshirё dhe njeriun) janё  “ lёnda e parё” pёr veprimin e seleksionit natyror qё sigurohet nёpёrmjet mutacioneve d.m.th nёpёrmjet ndryshimeve tё materialit gjenetik si dhe tё rikombinimeve tё kёtij materiali gjenetik nё organizmat qё shumohen seksualisht.

Pёrbёrёsi i dytё, seleksioni natyror, nёnkupton se gjatё evolucionit, variantet apo alternativat qё pёrzgjidhen janё ato qё pёrshtaten pёr tё jetuar dhe pёr tё lёnё pasardhёs gjatё luftёs pёr mbijetesё. Mbijetesa dhe riprodhimi i njё varianti apo alternative ndaj njё tjetre, nuk do tё thotё se gjatё evolucionit janё pёrzgjedhur organizmat me tiparet mё tё mira.

Pёrbёrёsi i tretё, trashёgimia, nёnkupton se evolucioni biologjik realizohet nga struktura, tё cilat ruajnё informacionin sipas tё cilit formohen funksionet. Nё kёtё mёnyrё, ruhen variantet mё tё pёrshtatur, tё cilёt i nёnshtrohen sёrish variacioneve dhe kёshtu procesi pёrsёritet pa ndёrprerje nё kohё.

Si pohuam, i gjithё mekanizmi ёshtё i ngjashёm me procedurёn provё dhe gabim nё zgjidhjen e njё problemi: kёrkohet zgjidhje mё e mirё e problemit duke bёrё prova dhe duke i testuar ato nё atё mёnyrё, qё disa prej tyre i eleminon dhe ato mё tё suksseshmet, i ruan.

Nё kёtё pёrgjithёsim e ka zanafillёn darvinizmi universal: ai nuk zbatohet vetёm tek organizmat, por shёrben si paradigmё  dhe zbatohet tek njё model, njё dukuri ose njё sistem. “Kёrkesa” e parё e darvinizmit universal ёshtё mbijetesa d.m.th ruajtja e njё modeli, dukurie apo sistemi tё dhёnё pёr njё kohё relativisht tё gjatё dhe riprodhimi ose kopjimi i elementёve me njё frekuencё tё dhёnё. “Kёrkesa” e dytё e darvinizmit universal ka tё bёjё me prodhimin e vazhdueshёm tё ndryshimeve ose tё varianteve. Dhe sё fundi, paradigma e darvinizmit universal mund tё pёrdoret tek njё sistem kur ndodh mbijetesa dhe riprodhimi i diferencuar i elementёve tё kёtij sistemi.

Nёse pёrmbushen kёrkesat e mёsipёrme atёherё ndodh evolucioni i cili i çon sistemet nё njё gjendje gjithnjё e mё tё evoluar. Sisteme tё kёsaj natyre mund tё jenё jo vetёm organizmat e gjallё si objekte tё seleksionit natyror por edhe gjenet, neuronet, memet, fjalёt, programet kompjuterike, firmat, institucionet dhe deri i gjithё universi.

Vetё Darvini dhe mendimtarё tё shekullit XIX kanё zbatuar idenё e seleksionit pёr tё shpjeguar sistemet e komunikimit, shoqёrinё, mendjen etj, . Por ideja e seleksionit  ka frymёzuar njё numёr tё madh shkencёtarёsh nё fund tё shekullit XX ndёr tё cilёt pёrmendim biologun R. Dawkins-in i cili nё vitin 1983 futi termin e darvinizmit universal. Nga ana tjetёr, filozofi amerikan D. Dennett zhvilloi idenё e seleksionit si njё algoritёm gjenetik nё shkencat sociale. Nё dy dhjetёvjeçarёt e fundit, ideja e seleksionit si njё algoritёm gjenetik ёshtё zbatuar nё antropologji, ekonomi, psikologji dhe gjuhёsinё evolutive.

Nё pёrfundim, mund tё themi se darvinizmi universal mund tё zbatohet dhe nё entitetin kulturё dhe shoqёri. Ashtu si tiparet biologjike, edhe tiparet kulturore transmetohen brez pas brezi. Evolucioni kulturor mund tё kuptohet nё bazё tё mekanizmave tё ngjashёm me ato biologjikё, tё cilёt janё riprodhimi, pёrhapja, variacioni dhe seleksioni, dhe nё rastin e kulturës, seleksioni kulturor. Gjenet konceptohen si njёsi tё informacionit biologjik dhe nё analogji me to, tiparet kulturore tё njё shoqёrie tё dhёnё konsiderohen si njёsi tё informacionit kulturor. Tiparet kulturore tё njё shoqёrie njerёzore janё modele informacioni tё cilat kopjohen nga individi nё individ, nga njёri brez nё tjetrin ( Plotkin, 1997). Kjo analogji me biologjinё na lejon tё pёrdorim konceptet darviniane nё studimin e evolucionit tё kulturёs por dhe çdo sistemi tjetёr nё Univers.

Burime:

Barkow, J., Cosmides, L and Tooby, J. (1992)  The Adapted Mind: Evolutionary Psychology and the Generation of Culture. New York: Oxford University Press.

Blackmore, S. (2000)  The Meme Machine. London: Oxford University Press.

Darwin, Ch. (1859)  On the Origin of Species. London: Murrey Press.

Dawkins, R.  (197) The Selfish Gene. London: Oxford University Press.

Dawkins, R. (1983) Universal Darwinism. In: Evolution from molecules to man, ed. D. S. Bendall. Cambridge University Press

Dennett, D. (2005) Darwin’s Dangerous Idea: Evolution and the meanings of life. New York: Simon & Schuster.

Heylighen, F., & Chielens, K. (2009) Evolution of Culture. B. Meyers Encyclopedia of Complexity and Systems Sciences. Springer. http://pespmc1.vub.ac.be/Papers/Memetics-Springer,pdf.

Hodgson., G. M. (2004) Darvinism, Causality and Social Sciences.  Journal of Economic Methodology,  Vol 11, No. 2.

Gould., S. J. (1978) Ever Since Darwin: Reflection in Natural History. London: Burnett Books.

Plotkin, H. C. (1997). Darwin Machines and the Nature of Knowledge. Harvard University Press.

Roederer, J. (2003) On the concept of information and its role in nature. Entropy  5 (1), 3-33.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: